Mickoski: Jemi të gatshëm për negociata, por jo për një aventurë politike pa garanci

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut këtë pasdite, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth pritjeve nga takimi i ardhshëm me përfaqësuesin e lartë evropian dhe nëse mund të ketë mundësi për ndryshim të qëndrimeve të Qeverisë në lidhje me ndryshimet kushtetuese që janë kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në, Mickoski ishte i vendosur se si kryeministër nuk do të mbështesë një aventurë pa një fund të caktuar, përkatësisht nuk do të bëjë një ndryshim derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja nga pala bullgare në të ardhmen.
"Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për këtë çështje shumë herë dhe qëndrimi ynë është i pandryshueshëm. Unë nuk kam ndërmend si Kryeministër të mbështes një aventurë pa një fund të caktuar. Ne po tregojmë se jemi konkurrues, duam ta përfundojmë procesin shpejt, por nuk duam një fund të shpejtë dhe të pasigurt, nuk po hyjmë në një aventurë të tillë. Për tre dekada e gjysmë kemi qenë dëshmitarë të aventurave dhe gjimnastikës politike dhe po qëndrojmë në të njëjtin vend. Është e padrejtë të pritet që papritmas do të ndryshojmë qëndrimin tonë.
Duhet të dihet se pa OBRM-PDUKM-në kjo punë nuk mund të bëhet. Analfabetët politikë artikulojnë tema çdo ditë dhe mendojnë se do të fitojnë diçka, por vetëm humbasin dhe minojnë qëndrimet e Qeverisë. Nëse do të isha në anën e qeverisë bullgare, do të rrija në heshtje dhe do të prisja kur të shoh se dikush nga pala e kundërt po minon qëndrimet nga brenda", deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se procesi është një rrugë me dy drejtime dhe se është e nevojshme të ndërtohet besim i ndërsjellë midis palëve dhe të fillojnë bisedimet./Telegrafi/









































