Meta do t’i paralajmërojë prindërit nëse fëmijët e tyre bisedojnë me chatbotin për vetëlëndim


Kompania teknologjike Meta ka njoftuar se do të vendosë një sistem të ri alarmimi për prindërit, i cili do t’i njoftojë ata nëse fëmijët e tyre adoleshentë zhvillojnë biseda me chatbotin Meta AI rreth vetëlëndimit ose mendimeve për vetëvrasje.
Kjo masë është pjesë e përpjekjeve të Metës për të rritur sigurinë e përdoruesve të rinj dhe vjen pas shqetësimeve në rritje nga prindërit dhe rregullatorët për mënyrën se si chatbotët me inteligjencë artificiale reagojnë ndaj bisedave të ndjeshme me të miturit.
Sipas kompanisë, prindërit që përdorin funksionet e mbikëqyrjes prindërore do të marrin njoftime në rastet kur Meta AI zbulon se një adoleshent po kërkon të diskutojë tema që lidhen me vetëlëndimin. Chatboti gjithashtu do t’u ofrojë të rinjve burime ndihme dhe do t’i inkurajojë të kërkojnë mbështetje nga një person i besuar.
Meta ka bërë të ditur se po punon edhe për mundësinë e kontaktimit të shërbimeve emergjente në raste kur bisedat tregojnë se një përdorues mund të jetë në rrezik të menjëhershëm për të dëmtuar veten.
Kompania më herët kishte prezantuar mjete që u lejojnë prindërve të shohin temat e përgjithshme për të cilat fëmijët e tyre bisedojnë me inteligjencën artificiale, pa u dhënë qasje të plotë në të gjitha bisedat private.
Vendimi i Metës vjen në një periudhë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me presion më të madh për të garantuar që mjetet e inteligjencës artificiale të jenë më të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët.
Meta është pronare e platformave si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ndërsa chatbot-i i saj Meta AI është integruar në disa prej këtyre shërbimeve. /Telegrafi/





































