LAJMI I FUNDIT:

​Mësimi në pandemi, nxënësit e mësimdhënësit tregojnë vështirësitë

​Mësimi në pandemi, nxënësit e mësimdhënësit tregojnë vështirësitë

Viti 2020 po konsiderohet si më i vështiri për sistemin arsimor, por që udhëheqës të institucioneve thonë se përkundër vështirësive, procesi mësimor gjatë vitit të pandemisë ka qenë i suksesshëm.

Mbyllja e shkollave ka qenë një nga vendimet e para që është marrë në funksion të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vend. Ende nuk kishte raste pozitive me koronavirus kur u ndërpre procesi mësimor në mars të vitit të kaluar, e ku u deshën javë që nxënësit të fillojnë të ndjekin mësimin online.


Gjysmëvjetorin e dytë të vitit të shkollor 2019/2020, nxënësit e përfunduan larg bankave shkollore. Ata u rikthyen në shkolla tek në shtator, ku mësimi u organizua në bazë të tre skenarëve. Skenari A ka paraparë mësimin në shkolla, skenari B mësim i kombinuar në shkollë dhe online, ndërsa skenari C ka paraparë mësimin online.

Në shkollat ku procesi mësimor u zhvillua sipas skenarit A, nxënësit e mësimdhënësit ishin të detyruar që gjatë qëndrimit në klasa të jenë të pajisur me maska dhe të mbajnë distancën.

Mbajtja e mësimit me maska, ndërrimi i shpeshtë i skenarëve të mësimit kur në shkolla paraqiteshin raste me COVID-19, janë disa nga sfidat që nxënësit kanë pasur gjatë vitit që e kemi lënë pas.

Jora Maloku është nxënëse e klasës së 7 në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, e cila thotë se mësimi gjatë vitit 2020 ka qenë shumë i vështirë për të.

“Ky vit ka qenë vit pak më i vështirë se të tjerët, pasi që e kemi bërë të pamundurën për ta mbajtur mësimin në shkolla. Ky vit për mua ka qenë pak më i lodhshëm se të tjerët pasi që është dashur ta dyfishojmë punën tonë si nxënës, pasi që jemi dashur edhe të merremi pak më shumë me shpjegime vet, na kanë ndihmuar edhe prindërit edhe arsimtarët. Të gjithë pra kemi kaluar një gjysmëvjetor pak më ndryshe se të tjerët”, thotë ajo.

E mbajtja e mësimit me maskë, ajo thotë se ka qenë e vështirë por që gjithmonë i kanë respektuar masat.

Procesin mësimor në kohë pandemie me sfida, thotë se e ka kaluar edhe Joni Hyseni, nxënës i klasës së 8 në shkollën “Faik Konica”. Ai tregon edhe vështirësitë që ka pasur gjatë kohës kur mësimin e ka mbajtur online.

“Normal kemi pasur sfida se gjithherë ose nuk ka bërë interneti ose është ndal rryma ose kemi pasur ndonjë problem teknik, por i kemi kaluar ato, po më mirë që në shkollë të mbajmë se në shkollë është edhe më lehtë me arsimtarët e online mundesh për shembull mos me qenë shumë interaktiv”, thotë ai.

Ndalja e rrymës, mungesa e internetit janë disa nga vështirësitë që i ka pasur edhe Ema Kusari, nxënëse e klasës së 6 në shkollën “Faik Konica”, gjatë kohës kur mësimi është mbajtur online.

Duke qenë se mësimi është mbajtur me orar të shkurtuar, Ema thotë se është ndarë e kënaqur edhe me njohuritë që ka marrë gjatë vitit 2020, po edhe me vlerësimin që i është bërë nga mësimdhënësit.

“Gjatë kësaj periudhe unë kam qenë e kënaqur sepse më kanë dhënë shansa të dyta për t’i përmirësuar notat, por njëra nga gjërat që nuk më ka pëlqyer është se unë sikur fëmijë … ta marrë si shembull kam mësuar për tre ose katër lëndë dhe ka qenë shumë e vështirë për mua sepse në njërën kemi pasur test, në tjetrën kush nuk i di 5 pyetje i ulet nota dhe kështu ka qenë shumë e vështirë për mua të fokusohem në tre lëndë”, tregon ajo.

Nëna e Emës, Shpresa Kusari, që në shkollë fillore ka edhe dy fëmijë të tjerë, tregon se sa ka qenë e vështirë për të kur të tre fëmijët kanë pasur mësimin online në të njëjtën kohë.

Ajo thotë se në vitin 2020, prindërit kanë pasur barrën më të madhe për t’iu siguruar pajisjet teknologjike për fëmijët kur mësimi është mbajtur online.

“Kur të dy fëmijët ishin të angazhuar në të njëjtën kohë që të kishin orarin e mësimit, dy fëmijë, dy ambiente, dy kompjuterë, ishte pak shumë e tepruar posaçërisht kur kishin detyra në projekte atëherë ishe e detyruar me dal dhe me i gjet materialet e ndryshme me çka ishin të detyruar ta punojnë projektin. Në atë kohë ka qenë edhe kufizimi i lëvizjes … Për mësimin online kemi pas pak a shumë probleme për me iu siguruar qasje, mirëpo me mundin e të gjithë familjarëve dhe me mirëkuptimin e arsimtarëve ndërronim kështu orarin e ligjëratave apo me thënë të orëve të mësimit apo orët të cilat i kishin shtesë për ndonjë komunikim”, thotë ajo.

Si prind ajo thotë se është e kënaqur me vlerësimin që u është fëmijëve të saj gjatë vitit 2020, derisa shton se përkundër frikës nga infektimi i fëmijëve me COVID-19, preferon që mësimi të mbahet në shkolla.

Të njëjtën kërkesë e kanë edhe mësimdhënësit, të cilët thonë se përkundër vështirësive, mësimi në objektet shkollore është me efektiv.

Donika Xhemajli është mësimdhënëse e lëndës së historisë në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, e cila thotë se përkundër vështirësive kanë arritur të bëjnë më të mirën që nxënësit të marrin njohuritë e duhura.

Ndërprerja e mësimit dhe kalimi i mbajtjes së procesit mësimor online, Xhemajli thotë se ka qenë koha më sfiduese, por që thotë se tashmë janë adaptuar.

“Ajo ka qenë ndoshta koha më sfiduese, e vërtetë që atëherë bash kemi pasur vështirësi të ndryshme për shkak se derisa jemi përcaktuar për çfarë platforme online duam ta përdorim, derisa i kemi kyçur nxënësit, derisa jemi koordinuar me e-mësimin. Ishin krejt rrethana të reja, se shkolla nuk e ka idenë me punu prej distancës, do të thotë fëmijët vijnë në shkollë, mësojnë prej njëri tjetrit dhe neve na u ndërrua komplet situata, kështu që, na ka marrë kohë derisa jemi adaptuar, por sivjet këtë vit shkollor kemi qenë goxha gati”, thotë ajo.

Për të mbrojtur veten e nxënësit nga infektimi me COVID-19, ajo thotë se është kujdesur që gjatë gjithë kohës të jetë me maskë, e të njëjtën gjë potencon se e ka kërkuar në vazhdimësi edhe nga nxënësit e saj.

Ani pse thotë se ligjërimi me maskë ka qenë shumë i vështirë, ajo shton se tashmë është mësuar të funksionojnë si arsimtare me maskë.

“Arsimtarët është dashur vazhdimisht me kërkua prej nxënësve me i majtë maskën. E vështirë ka qenë për arsimtarët me fol edhe me ligjërua para nxënësve me maskë, për shembull, unë, është maska e 10-të që veç jam adaptuar dhe tash mund të funksionojë si arsimtare me maskë…Realisht shumë mundohemi, asnjëherë nuk harrojmë distancë, distancë, se fëmijët janë fëmijë ndonjëherë habite luajnë, preken, po arsimtarët sidomos këta që punojnë në nivelin e dytë mendoj që vazhdimisht u rikujtojnë fëmijëve që duhet me majtë distancë edhe gjatë hyrjes e daljes në shkollë edhe gjatë orëve”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Ibe Gashi-Demolli, mësuese e matematikës në shkollën “Faik Konica”, thotë se mbajtja e maskës dhe respektimi i distancës është shumë i vështirë në lëndët shkencore, megjithatë thotë se është kujdesur që në asnjë rast të mos rrezikojë nxënësit e saj.

Ajo flet për vështirësitë që kanë pasur si mësimdhënës për të vlerësuar nxënësit gjatë vitit 2020, kur mësimi është mbajtur me orar të shkurtuar, herë online e herë me prezencë fizike në klasë.

“Është një sfidë shumë e madhe, mirëpo duke pas parasysh që nxënësit i kemi tash në shkollë është pak më e lehtë prej vitit të kaluar shkollor kur nxënësit i kemi përfunduar notat edhe nxënësit nuk i kemi pasur fare pranë. Po është sfiduese, po nxënësve tërë kohën jemi duke iu dhënë mundësi që ata gjithherë me u mundua me e tregua vetën edhe nëse ndonjëherë kanë dështuar në ndonjë vlerësim atëherë herën tjetër po i japim mundësi që me i paraqitë ato njohuritë e veta dhe me u mundua me i përmirësuar notat”, thotë ajo.

Vitin 2020 për sistemin arsimor, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, e quan më të rëndin që nga pas lufta. Përkundër të gjitha vështirësive, ai thotë se mësimdhënësit kanë bërë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai lavdëron Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për angazhimin gjatë andemisë, por që ka kritika për drejtoritë komunale të arsimit, që thotë se nuk i kanë zbatuar vendimet e Ministrisë së Arsimit.

“Jo në të gjitha institucionet arsimore ka pasur kushte të mjaftueshme mbrojtëse për nxënësit dhe mësimdhënësit. E keqja më e madhe është se DKA-të nuk e kanë kryer detyrën e tyre karshi mësimdhënësve të Kosovës, ngase me insistimin e SBASHK-ut dhe me angazhimin e MASH-it qeveria e Kosovës kishte ndarë mjetet e mjaftueshme për dy çështje kyçe, që të ketë mjete të mjaftueshme buxhetore për kolegët tanë që i zëvendësojnë kolegët e prekur me COVID, pra ata që punojnë me mbi norma të kompensohen, kjo nuk është bërë ashtu siç duhet në asnjërën komunë. Ajo që është për t’u kritikuar më shumë institucionet, e veçmas DKA-të është ngase me insistimin tonë dhe me angazhimin e MASH-it prapë në Qeverinë e Republikës së Kosovës u nda buxhet i mjaftueshëm që të kenë paga të rregullta kolegët tanë të sëmurë rëndë me sëmundje si kanceri dhe të tjera, por kjo çështje nuk ka shkuar siç duhet dhe unë po them fajin e vetëm e kanë DKA-të të cilat nuk punuan me kohë, nuk i liruan të gjithë mësimdhënësit e sëmurë rëndë nga procesi mësimor”, thotë ai.

Gjatë mësimit në kohë pandemie, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se është lënë anash aspekti emocional i nxënësve dhe mësimdhënësve. Këtij aspekti, ai thotë se nuk i është kushtuar fare rëndësi, derisa ka kritika edhe për mbarëvajtjen e mësimit online.

“Skenari i të mësuarit online dhe në distancë e ka vënë në pah edhe një mangësi substanciale në realizim të këtij procesi që është jo përgatitja e komunitetit dhe mos qasja e po të njëjtit në të mësuarit digjital. Pra, gjithpërfshirja është në nivel të ulët, ka shumë pak nxënës që më shumë përkushtim dhe me vazhdimësi kanë qenë të përfshirë në mësimin online dhe pashmangshëm mos përfshirja e tyre pastaj na kthehet në një performancë jo të mirë dhe në një vlerësim jo të mirë të po të njëjtëve”, tha ai.

Gjatë mësimit në kohë pandemie edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, thotë se nga institucionet nuk i është kushtuar kujdes shëndetit mendor të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Kur po flasim për aspektin e shëndetit mendor ne e dimë që pandemia COVID-19 ka shkaktuar një rritje të ankthit, depresionit dhe stresit e sidomos tek dy akterët kryesor që merren me mësimdhënie dhe mësimnxënie, pra nxënësit dhe mësimdhënësit. Duke e pasur parasysh që masat e qeverisë përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë qenë të fokusuara në shëndetin fizik, është lënë anash shëndeti mendor i mësimdhënësve dhe nxënësve. Evidenca shkencore në mostrën kosovare tregon rritjen e këtyre tre faktorëve, pra stresit, ankthit dhe depresionit, po nuk tregon që ka ndonjë masë te ndërmarrë ose manual se qysh me i trajtua ato në sistemin tonë të edukimit. Për më tepër ky sistem i edukimit ka ndërruar disa modele të mësimdhënies gjatë kësaj kohe, pra kemi filluar me atë në një shkëputje totale, pastaj me një mësim online, pastaj kemi kaluar në një sistem hibrid edhe në një mësim online dhe në një mësim fizik. Pastaj ka kaluar ndoshta nëse është infektuar një mësimdhënës ose diçka është mbyllur komplet shkolla dhe ndryshimi i këtyre modeleve pa u bazuar në një evidencë shkencore definitivisht ka shkaktuar një problem tek shëndeti mendor edhe tek mësimdhënësit edhe tek nxënësit”, thotë ai.

Përkundër të gjitha vështirësive në organizimin e mësimit në kohë pandemie, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, thotë se kanë arritur të bëjnë më të mirën.

Ai thotë se gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021, ka qenë i suksesshëm, derisa përmend se organizimi i mësimit përmes tre skenarëve ka qenë i duhuri.

“Për shkak të rrethanave në të cilat jemi nuk është vit i humbur, ne i kemi përcjell kam shkuar në shkolla, krejt vizitat që i kam bërë kanë qenë pa media …. Kam shkuar në mënyrë të rastësishme dhe i kam gjetur duke i zbatuar 100 përqind udhëzimet që i kanë pasur, kam gjetur edhe shkolla që fare nuk e kanë përfill master planin por kanë mbajtur mësim 40-45 minuta dhe gjithmonë në skenarin A, janë komuna që asnjëherë nuk kanë lëvizur prej skenarit A”, thotë ai.

Që nga fillimi i vitit shkollor 2020/2021, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se për COVID-19, janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 615. Ndërsa, janë testuar 6 mijë e 792, nxënës dhe pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 173.

Në bazë të kalendarit shkollor mësimi në Kosovë është dashur të përfundojë më 24 dhjetor 2020 dhe të fillojë më 8 janar 2021, por për shkaqe të mospërhapjes së COVID-19, gjysmëvjetori i parë ka përfunduar më 18 dhjetor dhe do të do të nis më 18 janar. /kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori