LAJMI I FUNDIT:

Mësimi fetar dhe arsimimi në shkollë (1)

Mësimi fetar dhe arsimimi në shkollë (1)

Të punojmë edhe për fenë apo të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin?

Fati i shqiptarëve është një dramë e dhimbshme, thuajse e ngjashme me dramën çifute që me vështirësi, por suksesshëm e kemi mbijetuar. Për kombin dhe për fetë e shqiptarëve është shkruar dhe folur shumë dhe shumë herë është gabuar. Në vend se politikat nacionale të shqiptarëve të prodhoheshin nga elitat intelektuale, ato u përgatitën nga klasat politike të cilat ndihmoheshin nga ideologji të huaja. Si rrjedhojë, nuk u zgjidh si duhet as çështja kombëtare, as çështja shtetërore e as ajo fetare. Historia jonë është shëmtuar dhe me të drejtë shtrojmë pyetjen: a duhet t’u përngjajmë arabëve lindorë, sepse jemi myslimanë; të krishterëve perëndimorëve, sepse jemi evropianë; apo të mbrojmë qenien tonë shqiptare, pikërisht sepse jemi popull autokton? Pse të mos krenohemi me Islamin dhe Krishterimin si pjesë të historisë sonë dhe sa është e dëmshme thirrja e pseudo-intelektualëve që thërrasin në zhveshjen e shqiptarizmit nga feja? Përse të na konsiderohet për mëkat përpjekja për një identitet të fortë kombëtar, pa prekur fenë, dhe përse ne ende s’po mund të bëhemi NE – për ne dhe për ata? Kombi shqiptar ka nevojë për fenë; feja mund ta ndihmojë kombin shqiptar, ndërsa shtetet tona kanë për detyrë t’i ruajnë që të dyja: kombin dhe fenë. Është koha të bëhemi çobanë të vyeshëm të kopesë sonë, sepse kopeja jonë është pasqyra e secilit nga ne.


***

Personaliteti i njeriut, si dhe kur fillon formimi i tij!

Fëmija mëson të flasë duke i dëgjuar të tjerët. Por, në kuptim të veprimeve, personaliteti i fëmijës ndërtohet më shumë nga kopjimi i sjelljeve të më të rriturve e veçanërisht prindërve, sesa nga këshillat e tyre. Janë dy komponentë që ndërtojnë egon-personalitetin e njeriut dhe të dyja bashkë, na paraprojektojnë modelin e krijimit të një individi si subjekt social.

Në këtë kontekst, realiteti ynë shoqëror-shpirtëror duhet të kundrohet pikërisht nga këto dy dimensione: si ju flasim të tjerëve dhe si sillemi para të tjerëve?

Jo rrallëherë, feja si nocion i përgjithësuar trajtohet vetëm si një prej ideologjive të shumta të prodhuara nga njeriu, për shkaqe evolutive ose për shkaqe revolucionare. Më e keqja është që nëse fetë u krijuan pas krijimit të njeriut, hasim në një logjike përvetësuese dhe sektare të interpretimit të inspirimit hyjnor.

Sot, kur në emër të fesë ushtrohet dhunë, doemos duhet të merremi me shkaqet që sollën një degradim të tillë. Mu sikur secili popull e secila shoqëri, edhe shoqëria shqiptare po përballet me një krizë mentale të vlerësimit e njohjes së thellësisë së misionit të fesë. Në këtë trajtim, fokusi do të vendoset tek trauma shpirtërore e shqiptarëve të identitetit fetar islam, por jo vetëm, veçanërisht pas gjendjes së krijuar viteve të fundit.

Në formë studimore, duhet të gjejmë apo rigjejmë veten në autenticitetin tonë tradicional të respektimit të besimeve, në mënyrë që sektet religjioze, të mos degradojnë më tutje në imazh vetëm të shantazhimit dhe të frikësimit të njerëzve. Para se gjithash, Zoti është krijuesi ynë, ndërsa fetë, në këtë rast feja islame veçanërisht, është një interpretuese dhe udhëzuese e natyrshme në edukimin e njeriut.

Feja, në radhë të parë është edukim dhe jo ideologji brutale, siç është projektuar në imazhet e fundit. Detyrë e fesë, është të zbatojë vullnetin e Zotit për të kultivuar natyrshmërinë e njeriut, e jo që në emër të Tij, njerëz apo grupe njerëzish, të kalojnë caqet e kësaj natyrshmërie e të shpërfaqin joshje dhe shije të kundërnatyrshme.

Sidoqoftë, strukturave të organizuara të institucioneve fetare, në rastin konkret të Bashkësisë Islame, u mbetet barra për rikthimin e fesë në shtratin e saj të natyrshëm të misionit për edukim të njeriut në dimension shpirtëror, arsimor dhe social. Institucioni fetar islam në trojet shqiptare, duhet të (ri)gjejë mënyrën efikase të rikthimit të rolit të fesë si përuruese të vullnetit të Zotit, që konsiston në ndërtimin dhe kultivimin e personalitetit të njeriut si qenie e edukuar, e arsimuar, njerëzore dhe e dobishme.

Padyshim, elokuenca në ligjërimin, si rrugë e transmetimit të vlerave të shpallura nga Zoti, është themeltare në rikthimin e natyrshmërisë. Kjo formë reflektive e komunikimit, nuk mund të bëhet me një mënyrë të thatë predikimi, por me një mënyrë të thellë e themeltare të komunikimit, në mënyrë që para njerëzve të përurohet Zoti si krijues, bashkë me qëllimin e krijimit të njeriut e jo interpretime teologjike jo-burimore, që mund të jenë në shfrytëzim të interesave të caktuara të ngushta e të zymta.

Mësimet e fesë dhe ligjërimi fetar, çka na nevojiten ato?

Qëllimi kryesor i mësimeve fetare, qoftë nëpërmes mësimit nëpër institucione përkatëse, qoftë nëpërmes ligjërimit të rregullt jo vetëm nëpër xhami, është edukimi i shpirtit, nga andej, i aftësimit të njeriut për punë, dhe suksese në shoqëri. Feja është vetëm një nga “shkollat” e shumta që edukojnë njeriun, nëse jo më e mira. Mësimet fetare tek njerëzit përcillen nëpërmes ligjërimeve që bëhen nëpër objektet e fesë, por edhe nëpërmes karakterit dhe sjelljes së ligjëruesve që reflektojnë në shoqëri. Meqë në fenë islame ligjërimi zë vend të merituar, ai duhet të jetë i kapshëm dhe frytdhënës, rrjedhimisht në shërbim të jetës sociale të njeriut.

Rrafshi horizontal i raporteve mes njerëzve, në mënyrë absolute përcakton raportet mekanike të njeriut me Zotin, nga poshtë lartë dhe anasjelltas. Nuk përkojnë me mësimet islame ligjëratat e stërngarkuara me premtime, deri në kushtëzim të vrazhdë, për parajsë meritore nëse bëhesh mysliman i mirë apo ndëshkim me zjarr nëse nuk je mysliman i mirë – apo nëse nuk je mysliman fare! Këto ligjërime janë më tepër ideologjike dhe bien ndesh me realitetin e jetës shoqërore tek ne.

Përsërisim, feja nuk është dhe nuk duhet të prezantohet si ideologji, ajo është sistem jete. Ligjërimet e tilla fenë e hedhin jashtë hemisferës së njeriut. Si e tillë, ajo duket diçka e amputuar shoqërisë.

Ligjërime të mira janë ato që kristalizohen me ngjyrën praktike të jetës. Shpjegimi i gabueshëm i fesë tek të rinjtë shkakton kuptimin e gabueshëm ndaj edhe gabimisht e praktikojnë. Shpirti i të riut është sikur një tokë e pëlleshme, në të cilën ajo që mbillet, mbinë dhe rritet. Nëse mbillet fara e së keqes, i riu zhvillohet shtrembër dhe i mangët në ideale për shoqërinë e vet. Këtu zë fill e keqja e injektuar në kokën e të rinjve tanë. Atyre shumë herë gabimisht u është shpjeguar edhe kuptimi dhe rëndësia e xhihadit në Islam, gabimisht po u shpjegohen themelet i Islamit, gabimisht po u prezantohen vlerat e së kaluarës islame, ndaj, rinia gabimisht po i qaset Islamit.

Gabimet janë tonat dhe ne jemi duke paguar koston e këtyre gabimeve. Për të qenë ligjërimet e dobishme dhe me përmbajtje të nevojshme, ligjëruesit fetarë duhet të lexojnë, jo vetëm libra të fesë. Leximi fisnikëron shpirtin e njeriut, si i tille bënë që ligjëruesit të jenë fisnikë me xhematin dhe dëgjuesit e tyre.

Thamë se ligjëruesit kanë obligim t’i flasin sidomos mendjes dhe shpirtit të njeriut. Edukimi i shpirtit nuk është gjithaq i lehtë, madje është mjaftë delikat. Edukimi fetar dallon nga instruksionet mësimore që jepen nëpër shkolla. I pari është art, ndërsa në shkolla zhvillohet mësim. Vlera e edukimit si çështje artistike ka të bëjë me shpirtin, ndërsa vlera e mësimeve ka të bëjë më shumë me jetën materiale, të jashtme.

Mos të harrojmë, përderisa në shkollë vihen themelet intelektuale, njëjtë për të gjithë, gjë që arsimimi reflekton njëjtë edhe nëpër shoqëri tjera, kur është fjala për edukatën, që është mësuesja e shpirtit dhe vullnetit njerëzor, puna qëndron ndryshe. Secila shoqëri ka shpirtin e vet, dallueshëm nga shoqëritë tjera, andaj edhe dallojnë popujt mes vete.

Shpirti shqiptar natyrshëm dallon prej shpirtit arab apo anglez. Pra, përderisa metodat mësimore në shkolla mund të jen të njëjta për të gjithë, të qenit në shpirt shqiptar natyrshëm dallon nga të qenit në shpirt turk apo indian. Ne marrim guximin të dalim haptazi me tezën këmbëngulëse se ne nuk bënë, nuk mundemi dhe as që duhet lejuar që symbyllazi të imitojmë e as kopjojmë të tjerët. Përkundrazi, duhet të trasojmë rrugën e shpirtit tonë të edukuar mirë dhe ta promovojmë atë për një të ardhme të ndritshme.

Ne duhet të jemi më origjinal, të hulumtojmë në vetvete çka është jona dhe çka e huaja. Tonën ta promovojmë, ndërsa të huajën në ne ta përdorim vetëm për aq sa është në dobi tonën. Asgjë më shumë.

Qenia shqiptare si produkt i historisë dhe themel i gjeografisë ku jetojnë!

Shqiptarët, përveç tjerash, kanë dy të mira mjaftë të rëndësishme. Për fe, në shumicë, kanë Islamin “oriental” dhe janë evropianë që për fenë shumicë Evropa është e krishterë. Sipas kësaj, të qënit evropian dhe si popull me shumicë myslimane është sfidë e dorës së parë për neve shqiptarët. Të jesh pjesë e Evropës, e këtij pellgu civilizimesh, përveç që kemi nderë, kemi edhe obligim.

Si të tillë, shqiptarët nuk bënë që edhe më tutje të jenë dert i Evropës. Shqiptar, mysliman apo i krishterë, me gjithë specifikat tepër të veçanta si qenie historike dhe si pjesë e gjeografisë evropiane, është diçka që nuk e kanë popujt tjerë të Evropës. Nuk bënë të çuditemi kur disa herë biem pre e xhelozive dhe mërive që mund të kenë të tjerët neve, pikërisht pse jemi të këtillë. Aty edhe mund të gjenden fillesa të armiqësive që të tjerët kishin, kanë dhe vazhdojnë të kenë kundrejt kombit shqiptar.

Nga këtu, edhe pse ne nuk jemi kundër mësimeve të huaja që i importojmë, ne kategorikisht refuzojmë ato që janë në dëm të shqiptarisë, si komb dhe si shtete ku jetojmë. Edhe Orienti islamik tepër i ideologjizuar, edhe Oksidenti i krishterë së tepërmi i materializuar janë edhe të dobishëm edhe të dëmshëm për ne. Të dobishëm për aq sa i kontribuon qenies shqiptare, dhe i dëmshëm për aq sa qenia shqiptare e keqkupton dhe keqinterpreton edhe orientin islamik edhe aksidentin e krishterë.

Sot, në Orient, flitet më shumë për fe, në emër të saj vriten dhe masakrohen miliona njerëz, por në rrafshin social atje ka fare pak prosperitet dhe liri individuale. Në Perëndim, liritë individuale janë thuajse të pafund, arsimimi dhe teknologjia kanë arritur zenitin, por fare pak i jepet rëndësi anës shpirtërore të njeriut.

(Vazhdon)

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Harry Kane emëron ish-yllin e Liverpoolit si lojtarin më të nënvlerësuar ndaj të cilit ka luajtur

Harry Kane emëron ish-yllin e Liverpoolit si lojtarin më të nënvlerësuar ndaj të cilit ka luajtur

Përfaqësueset
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Magazina

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Letra e Qeverisë drejtuar Këshillit të Evropës, reagimi i Presidencës dhe deklarata e Gjermanisë, Francës dhe Italisë për Asociacionin

Letra e Qeverisë drejtuar Këshillit të Evropës, reagimi i Presidencës dhe deklarata e Gjermanisë, Francës dhe Italisë për Asociacionin

Lajme
Kalo në kategori