Ese nga: Michel de Montaigne
Përktheu: Verjon Fasho

1. Mënyra më e zakonshme për t’i zbutur disi ata që i kemi ofenduar kur, gati për t’u hakmarrë, na kursejnë me mëshirën e tyre, është që të zgjojmë tek ata, me anë të nënshtrimit tonë, keqardhjen dhe përdëllimin. Por, megjithatë, kapadaillëku, këmbëngulja dhe vendimmarrja, që janë krejt e kundërta, nganjëherë kanë prodhuar të njëjtin efekt.

2. Eduardi, Princ i Uellsit, i cili mbretëroi për një kohë të gjatë në Gyjenin[1] tonë, një personazh të cilit fati dhe rrethanat nuk ia zbehën madhështinë, ishte thellësisht i ofenduar nga Limuzinët.[2] Duke pushtuar qytetin e tyre, ai nuk e la veten të ngashërehej nga britmat e njerëzve, të grave dhe fëmijëve të braktisur në mes së masakrave që i luteshin për mëshirë dhe i binin ndër këmbë. Por, teksa përparonte më thellë në qytet, shqoi nja tre francezë të fisëm, të cilët, duke treguar një trimëri të pabesueshme, të vetëm u bënin ballë sulmeve të ushtrisë së tij fitimtare. Një guxim i tillë mbresëlënës i ngjalli konsideratë dhe respekt në shpirt dhe kësisoj ia shoi zemërimin dhe, pasi ua fali jetën këtyre të treve, u akordoi faljen edhe të gjithë banorëve të tjerë të qytetit.

3. Skënderbeku, Princ i Epirit, po përndiqte një nga ushtarët e tij për ta vrarë. Ky i fundit, pasi kishte provuar ta qetësonte me anë të nënshtrimit dhe përgjëratave të tij, vendosi, ashtu në agoni, ta presë me shpatë në dorë: ky vendim i dha fund tërbimit të prijësit të vet, i cili, pasi e pa të merrte një pozitë të lëvdueshme, ia fali jetën. Por, është e vërtetë se ata të cilët nuk do ta njihnin trimërinë dhe forcën e jashtëzakonshme të këtij Princi, mund t’i jepnin sjelljes së tij një tjetër interpretim.

4. Perandori Konrad III[3], pasi kishte rrethuar dukën Gelf[4] të Bavarisë, nuk deshi t’i zbuste sadopak kushtet e veta, sado që i ofruan një mori kënaqësish të ulëta dhe burracake. Vetëm zonjave, të cilat ishin nën rrethim bashkë me Dukën, u lejoi të dilnin pa ua cenuar nderin, por me këmbë, me aq plaçkë sa mund të bartnin me vete. Dhe ato, me një shpirtmadhësi të pashoqe, menduan të bartnin mbi supe burrat e tyre, fëmijët dhe vetë Dukën. Perandori u mahnit aq shumë nga veprimi i tyre shumë fisnik saqë u përlot i këndellur dhe ajo armiqësi për vdekje që ndiente kundrejt Dukës u zbut dhe që prej atij çasti ai dhe njerëzit e tij u sollën njerëzisht me ta.

5. Sa për mua, do ta lija veten të tërhiqesha nga çdonjëra prej këtyre qëndrimeve, porse unë kam njëfarë dobësie për mëshirën dhe shpirtmirësinë, kështu që mendoj se do t’i dorëzohesha më lehtë dhembshurisë sesa admirimit. Megjithatë, mëshira për Stoikët është një ndjenjë e keqe: ata mendojnë që nëse dikush u vjen në ndihmë të përvuajturve, ai nuk duhet t’ia lejojë vetes të ligështohet deri në atë pikë sa ta ndajë vuajtjen me ta.

6. Shembujt e mësipërm më duken gjithnjë e më shumë bindës kur shohim personazhet teksa përballen me këto dy qëndrime. Ata i kanë rezistuar njërit dhe i jepen tjetrit. Mund të themi se të lejosh të prekesh nga dhembshuria, do të thotë t’i jepesh lehtësisë, mirësisë dhe dobësisë: dhe mund të vërehet qartë se natyrat më të dobëta, si ato të grave, fëmijëve dhe njerëzve të thjeshtë, janë më të dhënë pas saj. Por, pasi ka përbuzur psherëtimat dhe lotët, njeriu jepet me lehtësi nga përkushtimi kundrejt guximit. Ky është, në fakt, shenjë e një karakteri të fortë dhe të paepur, i cili i do dhe i nderon forcën dhe vendimet burrërore.

7. Megjithatë, në ata shpirtra më pak bujarë, habia dhe admirimi mund ta japin të njëjtin efekt. Këtë gjë e dëshmon populli i Tebës: duke i kërkuar drejtësisë ndëshkimin kapital kundër udhëheqësve të tij të cilët i akuzonte, e kishin vazhduar ta ushtronin detyrën e tyre përtej periudhës së përcaktuar dhe të pajtuar; me vështirësi arriti ta falë Pelopidian[5], i cili, i shtypur nga një mori akuzash kudër tij, nuk mundi të mbrohej veçse me anë lutjesh e përgjërimesh. Përkundrazi, në rastin e Epaminondas, i cili u kundërpërgjigj me rrëfimin e bëmave të tij derisa nga krenaria dhe arroganca e shfaqur ua neveriti turmës, por askush nuk pati zemër të merrte pjesë në votim dhe ai u veçua prej të tjerëve; asambleja e vlerësoi pa masë guximin mbresëlënës të të akuzuarit.

8. Dionisi Antik[6], i cili sapo kishte marrë qytetin e Regës, pas një rrethimi që i kishte marrë shumë kohë dhe mund, deshi që kapitenin Piton, këtë burrë të nderuar, që e kishte mbrojtur si i çartur qytetin e vet deri në çastet e fundit, ta bënte shembull të hakmarrjes më mizore. Ai filloi duke i rrëfyer se si ia kishte mbytur të birin dhe gjithë anëtarët e tjerë të familjes një ditë më parë; për çka Pitoni ia ktheu fare thjesht duke i thënë se ata ishin kësisoj një ditë më të lumtur se ai. Atëherë ai urdhëroi ta zhvishnin krejt dhe ua dorëzoi disa xhelatëve të cilët e tërhoqën zvarrë në rrugët e qytetit, duke e fshikulluar në mënyrë mizore e poshtëruese, duke e mbytur me gjithfarë sharjesh dhe talljesh. Por fatkeqi e ruajti kurajën dhe dinjitetin e vet.

9. Përkundrazi, me një çehre të palëkundur ia kujtonte shkakun e nderuar dhe të lavdishëm të vdekjes së tij, i cili ishte mosdorëzimi i vendit të vet në duart e një tirani, dhe ai e kërcënonte me një ndëshkim të afërt hyjnor. Në vend se të indinjoheshin nga kapadaillëku i këtij armiku të mposhtur, dhe nga përbuzja që ai shfaqte për prijësin e tyre bashkë me triumfin e tij, ushtria kishte mbetur e mallëngjyer dhe pa fjalë nga një virtyt kaq i rrallë: ajo po mendonte të ngrinte krye, madje dhe ta rrëmbente Pitonin nga duart e torturuesve të vet. Atëherë Dionisi, duke e lexuar këtë gjë në sytë e ushtarëve të vet, i dha fund martirizimit të tij dhe urdhëroi të mbytej fshehtazi në det.

10. Sigurisht, njeriu është subjekt jashtëzakonisht sqimatar, i larmishëm dhe i lëkundshëm: është e vështirë të krijosh për të një gjykim të pandryshueshëm dhe të njëtrajtshëm. Ja Pompeu, i cili e fali të tërë qytetin e Mamertinëve[7], ndaj të cilëve ishte fort i zemëruar, vetëm duke marrë në konsideratë virtytin e lartë deri në madhështi të qytetarit Zenon, i cili kërkoi ta marrë në kurriz të tij të gjithë fajin publik, dhe nuk kërkonte tjetër favor veçse ta bartte ndëshkimin i vetëm. Por miku i Silës[8], duke shfaqur të njëjtin guxim në qytetin e Perusë, nuk fitoi kurrgjë, as për veten e tij, as për të tjerët.

11. Dhe, ndryshe nga shembujt e mi të parë, ja ai i Aleksandrit, luftëtarit më guximtar, por dhe aq dashamirës kundrejt armiqve të mposhtur: duke marrë pas aq shumë peripecish qytetin e Gazas, gjeti aty Betisin[9] i cili ishte i parë, vlerën e të cilit ai kishte ditur ta çmojë gjatë kohës së rrethimit falë atyre manovrave të jashtëzakonshme; Betisi në ato çaste ishte fillikat, i braktisur nga të vetët, me armaturën e copëzuar, i tëri i mbuluar në gjak e plagë, dhe ende duke luftuar në mesin e maqedonasve të cilët e grisnin nga të gjitha anët.

12. Aleksandri, i zemëruar që kishte marrë një fitore me aq shumë kosto (sepse ai vetë ishte plagosur dy herë gjatë rrethimit), i tha: “Betis, ti nuk do të vdesësh ashtu siç ke dëshiruar. Dije se do të të duhet t’i durosh të gjitha torturat që mund të sajohen për një rob”.

13. Dhe tjetri, jo vetëm i qetë, por edhe arrogant dhe kryelartë, i pranoi ato kërcënime pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Aleksandri, përballë heshtjes së vet kokëfortë, tha me vete: “A e ka përkulur ai njërin gju? A i ka shpëtuar atij ndonjë lutje vallë? Po, vërtet, unë do ta mposht këtë heshtje; nëse nuk mund të nxjerr ndonjë fjalë prej tij, të paktën do të nxjerr një rënkim”. Dhe zemërata iu shndërrua në tërbim, urdhëroi t’ia shponin thembrat, duke ia tërhequr me shumë forcë, për të përfunduar i rrjepur e i copëtuar pas një karroje në revan.

14. A mundet vallë që një akt guximi të ishte për të diçka aq e zakontë dhe krejt e natyrshme saqë të mos i dukej fort i admirueshëm, dhe nga kjo e vlerësonte ca më pak? Apo sepse ai këtë farë trimërie të çartur e konsideronte si diçka krejt të vetën dhe që nuk mund të duronte ta shihte në një gradë të tillë te dikush tjetër, pa pasur në vete shkulme smire dhe zilie? Apo edhe sepse furia e natyrshme e zemërimit të tij nuk mund ta duronte faktin e të qenit i kundërshtuar.

15. Në të vërtetë, nëse ai do mund të ishte zbutur, gjithçka të bën të besosh se gjatë kohës së pushtimit të Tebës do t’i kishte të gjitha gjasat, duke parë të shkuar në shpatë kaq shumë burra trima që s’u kishte mbetur asnjë mjet mbrojtës. Sepse numëroheshim mbi gjashtë mijë të vrarë dhe askush prej tyre nuk mendoi t’ia mbathë e as të kërkojë mëshirë. Përkundrazi, ata kërkonin ende, aty-këtu, kudo nëpër rrugë, të përballeshin me armiqtë fitimtarë, madje edhe duke i provokuar për të marrë një vdekje me nder. Por asnjëri syresh, në çastet e tij të fundit, nuk u pa të mos provojë sërish hakmarrjen, dhe me forcën e dëshpërimit, të ngushëllohej për vdekjen e tij me atë të ndonjë armiku. Guximi i tyre i dëshpëruar nuk ngjalli kurrfarë dhembshurie dhe as një ditë e tërë nuk i mjaftoi Aleksandrit për ta nxjerrë dufin e hakmarrjes: kjo kasaphanë zgjati derisa nuk mbeti më asnjë pikë gjaku pa u derdhur, dhe ai nuk kurseu veçse të paarmatosurit, pleqtë, gratë dhe fëmijët, nga të cilët u bënë tridhjetë mijë skllevër. /Revista “Akademia”/

_______________

[1] Guyenne ishte një provincë e vjetër franceze e cila i korrespondon provincës romake të Aquitania Secunda dhe kryepeshkopatës së Bordosë. Emërtimi “Guyenne” vjen nga Aguyenne, transformim i Aquitanias. Në shek. XII, bashkë me Gaskoninë, ajo formonte dukatin e Akuitanisë, e cila ishte nën sundimin e mbretërve të Anglisë me anë të martesës së Eleonorës së Akuitanisë me Henrin II. (Shën. i përk.)
[2] Banorë të Limuzinës, e cila ishte një ish-krahinë administrative e jug-perëndimit të Francës. (Shën i përk.)
[3] Conrad III (1093-1152), lideri më i shquar i familjes Hohenstaufen; u përzgjodh mbret i Perandorisë Romane në viset gjermanike më 1138. (Shën. i përk.)
[4] Welfi I, i njohur ndryshe edhe si Guelfe Duc (1035-1101), ishte duka i krahinës së Bavarisë nga periudha 1070-1077, më pas më 1096 e deri në vdekje. (Shën. i përk.)
[5] Polopidia (420-364 p.e.s), strateg teban, prijës i partisë popullore. Emri i tij lidhet me atë të Epaminondas (415-362), këtij gjenerali dhe burri shteti teban, duke qenë miq deri në fund të jetës. (Shën. i përk.)
[6] Denys l’Ancien, (431-367 p.e.s), një tiran me nam në koloninë greke të Sirakuzës, i cila arriti majat në këtë mbretërim. (Shën. i përk.)
[7] Mamertinët ishin banorët e qytetit të Mesinës në Sicili në kohët antike. (Shën. i përk.)
[8] Sila (138-78 p.e.s.) ose Lucius Cornellius Sulla, gjeneral i shquar dhe politikan i spikatur romak. (Shën. i përk.)
[9] Bétis ishte emri i një komandanti të fortifikimeve të Gazës që i bëri rezistencë Aleksandrit të Madh në fund të viteve 332 para erës sonë. Në shërbim të sovranit pers Dari III, i cili vendosi t’i bëjë ballë mësymjes së Aleksandrit kur ai mori drejt Egjiptit pasi kishte pushtuar Tirin (Libani jugor). (Shën. i përk.)