Në fundjavë është zhvilluar java e 33-të e Bundesligës së Gjermanisë, ndërsa në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje nuk kanë munguar futbollistët shqiptarë.

Sipas vlerësimeve të SofaScore, në “Ekipin e javës” janë përzgjedhur Albian Hajdari dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët spikatën me paraqitjet e tyre dhe u konsideruan ndër më meritorët në fitoret e skuadrave përkatëse.


Albian Hajdari ishte një nga pikat më të forta të Hoffenheim, në fitoren minimale 1-0 ndaj Werder Bremen. Mbrojtësi shqiptar u vlerësua me notën 8.7, falë paraqitjes së sigurt në prapavijë, dueleve të fituara dhe rolit kyç në ruajtjen e portës së paprekur në një ndeshje vendimtare në fundin e sezonit.

Ndërkohë, edhe më i avancuar në formacionin e javës është renditur Arijon Ibrahimovic, i cili shkëlqeu në fitoren e Heidenheim me rezultat 3-1.

Ai u vlerësua me notën 8.5, duke qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm në fazën ofensivë dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë të rëndësishme.

Përveç dyshes shqiptare, në formacionin më të mirë të javës 33 janë përfshirë edhe disa emra të njohur të Bundesligës, si Michael Olise (8.7), Joshua Kimmich (8.3), Willi Orbán (8.9) dhe Conrad Trimmel (8.8), që gjithashtu patën paraqitje të nivelit të lartë.

Paraqitjet e Hajdarit dhe Ibrahimovic janë një tjetër tregues i rritjes së futbollistëve shqiptarë në kampionatet më të forta të Evropës, sidomos në një fazë të sezonit ku çdo pikë dhe çdo performancë peshon shumë. /Telegrafi/

telegrafi sport app