Paraqitja e Meghan Markle si e ftuar speciale në edicionin australian të MasterChef ka rezultuar një sukses i madh për shikueshmërinë e emisionit, ndonëse ka shkaktuar reagime të ndryshme mes publikut.

Dukesha e Sussex-it u shfaq si gjyqtare e ftuar në episodin e transmetuar të dielën, ku sfidoi konkurrentët të përgatisnin një pjatë "të denjë për një dukeshë".


Episodi ishte xhiruar në muajin prill, gjatë vizitës zyrtare të Meghan dhe Princit Harry në Australi. Sipas rrjetit televiziv Network 10, emisioni u ndoq nga më shumë se 1.5 milionë shikues, duke shënuar rezultatin më të mirë për programin e së dielës që nga korriku i vitit 2023.

Po ashtu, episodi u bë edhe përmbajtja më e ndjekur ndonjëherë në platformat e transmetimit të kësaj kompanie televizive.

Shikueshmëria totale gjatë shtatë ditëve të para arriti në 1.22 milionë, ndërsa krahasuar me të njëjtin episod të vitit të kaluar, paraqitja e Meghan solli një rritje prej 16 për qind të audiencës, sipas metodës australiane të matjes Total TV, e cila përfshin si shikuesit e televizionit tradicional, ashtu edhe ata të platformave streaming.

Meghan, Duchess of Sussex Has Arrived 😍 | MasterChef Australia | S18 Ep56 | Clip youtu.be

Megjithatë, pavarësisht suksesit në shifra, prania e saj në emision ka nxitur debat në rrjetet sociale.

Shumë kritikë argumentuan se roli i gjyqtarëve të ftuar zakonisht u besohet shefave të njohur të kuzhinës ose profesionistëve të gastronomisë.

"Disi më vjen keq për garuesit. Ata erdhën në këtë emision për të mësuar nga profesionistët, ndërsa Meghan nuk është e tillë. Ajo gatuan në shtëpi, ashtu si edhe vetë garuesit", shkroi një shikues.

Nga ana tjetër, shumë të tjerë e vlerësuan paraqitjen e saj, duke thënë se qetësia dhe mënyra inkurajuese me të cilën komunikoi me konkurrentët sollën një atmosferë më të ngrohtë në kuzhinën e MasterChef.

Gjatë emisionit, Meghan foli edhe për pasionin e saj për gatimin.

"Për mua, ushqimi dhe gatimi janë vërtet gjuha e dashurisë. Mendoj se është një mënyrë e mrekullueshme për t'u lidhur me njerëzit. Është diçka emocionale dhe shumë e rëndësishme. Kështu u tregoj miqve, familjes dhe fëmijëve të mi sa shumë i dua", u shpreh ajo.

Dukesha zbuloi edhe një detaj nga jeta familjare, duke treguar se djali i saj shtatëvjeçar, Archie, dhe vajza pesëvjeçare, Lilibet, pëlqejnë të hanë lakrat e Brukselit.

Një moment surprizë gjatë episodit ishte edhe telefonata me bashkëshortin e saj, Princin Harry, i cili u lidh përmes videotelefonatës gjatë vlerësimit të pjatave.

"Përshëndetje, zemër", i tha Meghan sapo mori telefonin, përpara se t'ua prezantonte Harryn konkurrentëve dhe gjyqtarëve, duke i treguar edhe pjatat e përgatitura.

"Bashkëshorti im është në linjë", tha ajo, ndërsa pas bisedës shtoi me të qeshur: "Është vërtet simpatik, apo jo?".

Në pamjet e publikuara nga prapaskenat, Meghan shihet duke biseduar dhe bashkëvepruar me gjyqtarët dhe konkurrentët.

Kur u pyet më herët gjatë këtij muaji se përse pranoi ftesën për t'u bërë pjesë e MasterChef Australia, ajo dha një përgjigje të thjeshtë.

"Ajo që më tërhoqi ishte kombinimi i dy gjërave që i dua shumë: ushqimi dhe Australia. Pranova menjëherë. Është një emision fantastik dhe është nder i madh të jem këtu për të vlerësuar këto pjata", tha Meghan Markle. /Telegrafi/