LAJMI I FUNDIT:

Mediet në Sarajevë raportojnë se si Bosnja po bllokon mallrat e eksportuara nga Kosova

Mediet në Sarajevë raportojnë se si Bosnja po bllokon mallrat e eksportuara nga Kosova

Produktet me origjinë shtazore të prodhuara në Kosovë nuk arrijnë të depërtojnë në tregun e Bosnjë dhe Hercegovinës, ndërsa mallrat boshnjake janë të pranishme në dyqanet e Kosovës.

Edhe përkundër faktit se të dyja vendet janë pjesë e një marrëveshjeje të njohur si CEFTA, e cila ka për qëllim lehtësimin e këmbimeve tregtare në vendet e Ballkanit Perëndimor, BeH vazhdon ta bllokoj Kosovën.


Sipas medieve në Sarajevë, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet vende në rajon që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe si të tilla nuk ia njohin as certifikatën veterinare. Në këtë certifikatë, prodhuesi është i detyruar të shënojë origjinën e produktit – në këtë rast Republikën e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu ka konfirmuar se në fund të vitit të kaluar ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në BeH që të lejojë hyrjen e produkteve kosovare me origjinë shtazore.

Bllokohen eksportet e kompanisë ‘Vita’ nga Bosnja dhe Hercegovina, shkelet edhe marrëveshja CEFTA
Lexo po ashtu Bllokohen eksportet e kompanisë ‘Vita’ nga Bosnja dhe Hercegovina, shkelet edhe marrëveshja CEFTA

Në muajin mars, shton ai, për të njëjtin qëllim u është dërguar edhe një shkresë zyrtare zyrtarëve të Qeverisë së këtij vendi.

“Këto institucione nuk kanë reaguar. Rasti tashmë është raportuar në sekretariatin e CEFTA-s”, thotë Kadriu.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga viti 2022 deri më 13 prill 2023, vlera e produkteve të mishit që kanë hyrë në Kosovë nga BeH është mbi 190 mijë euro, ndërsa vlera e produkteve të qumështit është mbi 4.8 milionë euro.

Nga viti 2018 deri në prill të vitit 2023, Kosova ka importuar produkte nga BeH në vlerë rreth 240 milionë euro. Përveç qumështit dhe produkteve të mishit, Kosova nga BeH importon edhe pije, alkool, produkte druri, qeramikë, qelq, lodra, etj. /Telegrafi/