LAJMI I FUNDIT:

Bllokohen eksportet e kompanisë ‘Vita’ nga Bosnja dhe Hercegovina, shkelet edhe marrëveshja CEFTA

Bllokohen eksportet e kompanisë ‘Vita’ nga Bosnja dhe Hercegovina, shkelet edhe marrëveshja CEFTA

Edhe pse Kosova është e njohur për cilësinë e lartë të prodhimit të saj dhe eksportit në shumë vende të botës, ende përballet me pengesa në eksportin e saj në vende të afërta si Bosnja dhe Hercegovina. Kjo ndodh përkundër faktit se Kosova ka arritur të sigurojë standarde të larta për cilësinë e produkteve të saj dhe ka arritur të eksportojë në tregjet më të rëndësishme në botë.

Ndërsa, Kosova nuk mund të eksportojë produktet të qumështit në Bosnje, shteti ynë importon nga  ky vend gjashtë lloje të qumështit.


Kjo bllokadë po bëhet në kundërshtim me parimet e CEFTA-s për tregti të lirë të cilat nuk po respektohet fare në rastin e kompanisë “Vita” nga Kosova.

Artan Spahija, drejtor ekzekutiv i qumështores “Vita” ka shpalosur detaje nga ndalesa që po iu bëhet nga shteti boshnjak.

Ai ka thënë se kanë marrë kërkesë për eksport atje nga një furnitor, por që edhe pse pagesa nga ana e furnitorit është kryer, produktet nuk kanë mundur t’i eksportojnë fare.

“Kur ne kemi filluar të marrim pjesë nëpër panaire ndërkombëtare, dhe aty e kemi pas kërkesa të shumta, ndër ta ka qenë edhe Republika e Bosnjës, ku kemi pas kërkesë për eksportim të qumështit, me datë 09.11.2022. Furnitori e ka bërë pagesën e qumështit dhe ne menjëherë kemi shku për me bë certifikatat, dhe kemi kërkuar nga shteti i Bosnjës se me çfarë certifikate ta nisim mallin. Por, ata asnjëherë nuk na kanë kthyer përgjigje”, tha ai.

Kosova po bëhet më e konkurrueshme në tregun global - Qumështorja "Vita" rrit eksportin në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe më gjerë por bllokohet në Bosnje
Lexo po ashtu Kosova po bëhet më e konkurrueshme në tregun global - Qumështorja "Vita" rrit eksportin në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe më gjerë por bllokohet në Bosnje

Spahija ka treguar se shteti i Bosnjës nuk i është përgjigjur as Agjencisë për Veterinari dhe Ushqim të Republikës së Kosovës dhe në këtë mënyrë po shkelet edhe marrëveshja e CEFTA-s për tregti të lirë por edhe po dëmtohet kompania .

“Më datë 21. 11. 2022 iu kemi drejtu AVUK-ut në Prishtinë, ku kemi kërkuar nga ta që të kenë një komunikim me shtetin e Bosnjës. Ata kanë nisë një e-mail zyrtar por nuk kanë marrë përgjigje. Prapë në janar kemi pas një takim me AVUK-un dhe ata prapë nuk kanë pas një përgjigje  nga shteti i Bonjës, ku dihet që në Kosovë importohet diku rreth 66 milionë përafërsisht ën vitin 2022, ku eksporti i Kosovës për Bosnjën është vetëm 11 milionë. Ndër ta 66 milionë, radhitet e treta ose e katërta është qumështi që hyn nga shteti i Bosnjës në Kosovë, ku neve na bëhet e padrejtë të eksportojmë në shtetin e Bosnjës, ku dihet që në marrëveshjen e CEFTA-s kemi të drejtë edhe ne të eksportojmë edhe në Bosnjë edhe në pjesët e tjera”, ka thënë drejtori Spahija, në emisionin “7 ditë me Pangjën” në Klan Kosova.

Ndërsa nga AVUK-u, drejtori Flamur Kadriu ka thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar nga organet e Bosnjës që të lejohet eksporti nga kompania “Vita” por që asnjëherë nuk mori përgjigje.

Spahija ka treguar se tashmë pas shumë refuzimeve për vënie të kontakteve kjo çështje u adresua në CEFTA nga ana e shtetit të Kosovës.

“Në muajin e 12-të unë e kam bërë kërkesën që kemi dy kompani të interesuara për eksportin e produkteve me prejardhje shtazore në Bosnje, autoriteti i tyre, faktikisht udhëheqësi i tyre nuk ka kthy përgjigje për kërkesën tonë. Atëherë i kam shkru ministrisë në Bosnjë, por prapë nuk kam marrë përgjigje. Tash mbetet që përmes pikave të kontaktit të CEFTA-së, kërkesa është bërë në sekretariatin e CEFTA-s dhe tash do të diskutohet në nivel të CEFTA-s se ku qëndron problemi” ka thënë Kadriu.

Sa i përket bllokadave të eksportit të Kosovës ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari javën e kaluar tregoi se është në dijeni dhe se autoritetet shtetërore janë në kontakt me autoritetet e Bosnjë Hercegovinës, derisa ende po presin një përgjigje, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër kryetari i Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi, thotë që institucionet e vendit duhet të reagojnë më shpejt kur ka raste të ngjajshme që prodhuesve vendor u bllokohet eksporti si dhe të vendosin masën e reciprocitetit.

“duhej që të kemi reagim më të shpejt të institucioneve dhe të AVUK-ut, por edhe të Ministrisë së Tregtisë duke kërkuar nga CEFTA dhe nga Bosnja një përgjigje se pse po ndodh kjo bllokadë. Dhe në rast se kjo është e paarsyeshme atëherë duhet që Qeveria e Kosovës të filloj reciprocitetin me Bosnjën. Për këto kohë që krijohet humbja do të duhet të kërkohet kompensim nga ana e institucioneve të Bosnjës në këtë rast, për humbjet që i ka shkaktuar kompanisë. Sepse kemi të bëjmë me humbje jo të vogla dhe me rrezikim të vendeve të punës nga ana e kompanisë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, CEFTA nuk është hera e parë që i shkel këto rregulla.

“Ne si dhomë e tregtisë kemi kërkuar që Kosova të largohet nga CEFTA për një kohë dhe të hyjë si Republikë e Kosovës meqenëse aty jemi si UNMIK dhe të hyjmë me të drejta të plota në CEFTA. Përkundër kërkesave tona të vazhdueshme diçka konkrete nuk kemi pas”, tha ndër të tjera ai.

Kompania “Vita” përkundër tentimeve që të marrë sqarime nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës për trajtimin e barabartë sikurse produktet e këtij shteti në Kosovë, nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

Sipas të dhënave të bilancit të tregtisë mes dy vendeve, Kosova importon përafërsisht 66.4 milionë euro mallra nga Bosnja, ndërsa Bosnja vetëm 11.1 milionë euro mallra nga Kosova.

Ndryshe, Bonja dhe Hercegovina është shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës madje lëvizja e qytetarëve atje akoma bëhet me viza përkundër përpjekjeve të “Procesit të Berlinit” për lëvizje me letërnjoftime kjo nuk ka ndodhur, pasi Bosnje dhe Hercegovina nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje. /Telegrafi/