Prezantohet projekti i banimit social, vlera e përgjithshme 37 milionë euro dhe shtrihet në 21 komuna

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli – Dalipi, dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, prezantuan projektin e Banimit Social Adekuat në Republikën e Kosovës, në vlerë rreth 37 milionë euro dhe që përfshin gjithsej 21 komuna.
Duke e vlerësuar si një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale, kryeministri Kurti tha se “po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën si Qeveri e Republikës së Kosovës e kemi vendosur në qendër të punës sonë, e kjo është: përmirësimi i mirëqenies së familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë”.
Më tej kryeministri shtoi se një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt atëherë duhet patjetër shteti të bëhet strehë për të.
“Një fëmijë që nuk mund t’i ketë mundësitë e barabarta atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të papërshtatshme banimi”, tha ai, bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri tha se gjatë qeverisjes së tyre kanë ndërmarrë një sërë masash deri më tani për t’i mbështetur familjet, veçanërisht ato me fëmijë dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike, si nga shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona, te veprimet për mbrojtje sociale dhe përmirësim të standardit të jetesës.
“Projekti është rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të Republikës, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qeveria ka siguruar financimin përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, në vlerë prej 25 milionë euro. Krahas tyre kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës. Pra, kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej rreth 37 milionë euro. E ky është gjithsesi një investim i madh”, tha kryeministri në detyrë.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi se “e drejta për jetë, e drejta për banim, barazia mbi të gjitha jo vetëm si synim i përbashkët por edhe si pikënisje pa dyshim mbeten vlerat nga të cilat nisim e shkojmë, me të vetmin qëllim, që shteti të jetë për krejt sepse krejt jemi të këtij shteti’. /Telegrafi/





































