Përfitimet e proteinave varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe aktiviteti fizik – veçanërisht për njerëzit që bëjnë jetë sedentare

Një studim i ri sugjeron se konsumimi i sasive të mëdha të proteinave nuk është gjithmonë zgjedhja më e mirë. Për shumë të rritur që nuk janë veçanërisht aktivë fizikisht, një konsum më i moderuar i proteinave mund të lidhet me plakje më të shëndetshme dhe, potencialisht, jetë më të gjatë.


Hulumtimi, i publikuar në revistën Cell Press Blue, analizoi më shumë se 350 studime të kryera te njerëzit, minjtë dhe organizma të tjerë. Shkencëtarët zbuluan se ulja e marrjes së proteinave mund të përmirësojë metabolizmin, të ndryshojë mënyrën se si qelizat reagojnë ndaj lëndëve ushqyese, të reduktojë dëmtimet qelizore dhe të përmirësojë funksionimin e tyre.

Megjithatë, përfitimet ndryshojnë në varësi të moshës, gjendjes shëndetësore dhe nivelit të aktivitetit fizik.

“Është plotësisht e qartë se proteinat kanë ndikim pozitiv në rritjen e muskujve dhe në reagimin e organizmit ndaj aktivitetit fizik te njerëzit aktivë”, tha Dudley Lamming nga Universiteti i Wisconsin-Madison, një nga autorët e studimit.

Por, duke qenë se shumica e njerëzve bëjnë një jetë relativisht sedentare, shumë prej tyre mund të konsumojnë më shumë proteina sesa u nevojiten realisht, gjë që mund të ketë pasoja negative për shëndetin, transmeton Telegrafi.

Proteinat dhe humbja e peshës

Disa studime të fundit te njerëzit kanë treguar se një konsum më i ulët i proteinave mund të ndihmojë në uljen e peshës trupore dhe përqindjes së yndyrës, ndërsa njëkohësisht mund të përmirësojë nivelin e sheqerit në gjak.

Një analizë e gjerë ka treguar gjithashtu se konsumimi i tepërt i metioninës, izoleucinës dhe valinës, aminoacide që përbëjnë proteinat, mund të lidhet me rrezik më të lartë për obezitet, inflamacion dhe sëmundje të tjera të lidhura me plakjen.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se proteinat duhet të shmangen. Studime të tjera tregojnë se një konsum më i lartë i proteinave, veçanërisht kur kombinohet me aktivitet të rregullt fizik, mund t’i ndihmojë të moshuarit të humbin peshë duke reduktuar njëkohësisht humbjen e masës muskulore që shoqëron plakjen.

Në fund, mesazhi i studimit nuk është se proteinat janë të dëmshme, por se nevoja për to nuk është e njëjtë për të gjithë. Sasia e duhur varet nga mënyra e jetesës, mosha, gjendja shëndetësore dhe niveli i aktivitetit fizik. /Telegrafi/