“Më edukuan të mos mendoja”: Si shpëtoi arkitekti i Hitlerit nga dënimi me vdekje

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 16 tetor 1946, dhjetë zyrtarë nazistë u varën pasi u dënuan në tribunalin e parë ndërkombëtare për krime lufte në Nuremberg. Disa prej të gjykuarve për rolin e tyre në Luftën e Dytë Botërore, siç ishte Hermann Goering - pompoz dhe pa pendesë - ishin udhëheqës të lartë nazistë me përgjegjësi të qarta. Të tjerët ishin më poshtë në hierarki dhe u gjykuan në vend të figurave më famëkeqe si Heinrich Himmler dhe Joseph Goebbels që kishin kryer vetëvrasje. Të 21 të pandehurit u akuzuan për mizori të pabesueshme, përfshirë krimin e sapoemëruar të gjenocidit.
Njëri nga ata që mbijetoi për të rrëfyer ishte Albert Speer, figura rinore dhe me vetëbesim që fillimisht shërbeu si arkitekt i Adolf Hitlerit dhe më pas si ministër për Prodhimin për Luftë. Në vend që të pretendonte se thjesht kishte zbatuar urdhrat - siç bënë shumë të tjerë - strategjia e kujdesshme e Speerit për të mbijetuar ishte të distancohej nga Hitleri, duke pranuar që në fillim përgjegjësinë kolektive të të pandehurve për krimet e kryera. Pasi mbajti 20 vite burg, ai u shndërrua në një figurë të dashur për mediat, ndërsa kujtimet e tij më të shitura forcuan imazhin e tij si “nazisti i mirë”. Por, a ishte pranimi i përgjegjësisë një shenjë e pendesës së vërtetë apo thjesht një manipulim për të shpëtuar kokën?
Zgjedhja e Nurembergut si vend për gjyqet kishte një simbolikë të fortë. Pak vite më parë, nazistët në qytet kishin zhvilluar parada të mëdha propagandistike. Në qendër të këtyre spektakleve të errëta ndodhej Katedralja e Dritës e Speerit, një instalacion me qindra reflektorë që çanin errësirën e natës. Sipas kritikut të artit, Robert Hughes, Speer ishte “për një kohë, jo vetëm arkitekti më i fuqishëm në botë, por ndoshta më i fuqishmi që ka ekzistuar ndonjëherë”. Në vizionin e Hitlerit, Rajhu i Tretë do të zgjaste një mijë vjet dhe po aq duhej të zgjatnin edhe ndërtesat e tij.
- YouTube www.youtube.com
Arkitekti ambicioz ishte vetëm 25 vjeç kur iu bashkua Partisë Naziste në vitin 1931, dy vjet para se Hitleri të vinte në pushtet. Historiania Heike Görtemaker ka thënë: “Hitleri e shihte veten si artist, si arkitekt. Kur takoi Speerin, pa te ky djalë i ri një alter ego; arkitektin që ai nuk mund ishte”. Përkrahja e Hitlerit i dha Speerit fuqinë për të realizuar vizionin e tij.
Në një intervistë për BBC-në me gazetarin Michael Charlton në vitin 1970, Speer tha se tani e konsideronte Hitlerin si njërin nga njerëzit më të këqij në histori. Megjithatë, ka kujtuar se si miku i tij “kishte edhe njëfarë sharmi” dhe ishte “krejtësisht një njeri normal”. Ai tha:
“Mendova se ishte e nevojshme ta thosha këtë sepse, pas luftës, kaluam një periudhë kur Hitleri përshkruhej si një i çmendur që humbte kontrollin dhe që ulërinte ditë e natë. Dhe, kjo do të ishte e rrezikshme për të ardhmen, sepse nëse një ditë do të shfaqej një Hitler i ri dhe ai nuk do të humbte kontrollin apo të ulërinte pa pushim, njerëzit do të thoshin: ‘Nuk është i rrezikshëm, nuk është si Hitleri’. Por, Hitleri, si person, kishte shumë anë të ndryshme. Ishte një qenie njerëzore”.
Speerit iu bë pyetja se si, “si njeri inteligjent, njeri me njëfarë ndershmërie”, nuk arriti të kuptonte që regjimi i Hitlerit ishte regjim kriminal. A u përgjigj thjesht pa menduar? Speeri i tha Charltonit se tani ishte një njeri krejt tjetër nga ai që kishte qenë në fund të luftës. “Në vitin 1945, isha një teknokrat. Isha edukuar të mendoja në mjedisin tim, jo të mendoja në mënyrë të përgjithshme. Në shkollë ishim të detyruar të kuptonim mësimet tona, por nuk kishte diskutim mbi problemet e politikës. Ne pothuaj i shmangeshim atyre problemeve dhe nuk ishim të përgatitur të mendonim seriozisht për një njeri si Hitleri - kur ai erdhi në pushtet”.
Speer gjithashtu ka pohuar se nuk ishte ndryshe nga kushdo tjetër në brezin e tij që u josh nga udhëheqësi nazist. “Vetë Hitleri u shfaq në një kohë që për ne të rinjtë ishte kohë zhgënjimi. Ishte një kohë kur nuk kishim shpresë për të ardhmen tonë, dhe ja erdhi një njeri dhe tha se do të keni shpresë, se mundemi, se mund t’ia dalim, dhe Gjermania po lulëzonte përsëri. Sigurisht që ishte një tundim mjaft i madh për ta menduar”.

Por, a nuk do të duhej të kishin rënë zilet e alarmit? Në vitin 1934, gjatë Natës së Thikave të Gjata, SS-i vrau rreth 400 kundërshtarë të Hitlerit. Speerit iu kërkua të përshtaste zyrën e nënpresidentit Franz von Papen në një seli sigurie. Në kujtimet e tij Brenda Rajhut të Tretë, Speeri ka treguar se pa pellg gjaku të tharë atje ku një nga ndihmësit e Papenit ishte qëlluar me armë. “E shmanga shikimin dhe që atëherë e shmanga dhomën”, shkroi ai. Ai i tha Charltonit: “Është një dështim i plotë moral i imi që nuk pata asnjë reagim, dhe do të ishte e gabuar të justifikohem tani. Në fakt, e pashë atë njollë gjaku dhe e shtyva mënjanë në kujtesën time. Nuk ekzistonte më dhe vazhdova të punoja. Po të kisha menduar qoftë edhe pak për të, do të duhej të isha larguar nga Hitleri - që në atë moment. Por, nuk e bëra”.
Speeri nuk arriti kurrë të përmbushte projektin e tij më ambicioz arkitekturor: rindërtimin e plotë të Berlinit që do të riemërtohej Germania - kryeqyteti i ardhshëm i botës. Në zemër të tij, Speer kishte parashikuar një bulevard të madh Veri-Jug që do të përfundonte në një Sallë të Madhe me një kupolë 16 herë më të lartë se ajo e Shën Pjetrit në Romë. Mendohet se brendësia do të ishte aq e madhe saqë, kur të mbushej me frymëmarrjen e 180 mijë nazistëve të mbledhur, në tavan mund të formoheshin re shiu. Në vend të kësaj, në vitin 1939 Hitleri nisi Luftën e Dytë Botërore dhe e zhyti Evropën në gjashtë vjet ferr.
Në vitin 1942, ai e bëri Speerin ministër për Prodhimin e Armëve, duke u mbështetur në aftësitë e tij të jashtëzakonshme organizative për të përmbushur kërkesat e luftës totale. Në moshën 37-vjeçare, arkitekti ishte tashmë një nga njerëzit më të fuqishëm të Rajhut të Tretë. Për të vazhduar furnizimin e makinerisë naziste të luftës me armë, Speeri përdori punë të detyruar në fabrikat, minierat dhe gurorët e tij. Më shumë se shtatë milionë punëtorë të detyruar u punësuan nga industria gjermane, me përqendrim të madh në sektorin e armatimeve nën mbikëqyrjen e Speerit. Disa prej tyre punuan deri në vdekje, në kushte të tmerrshme. Historiani Hugh Trevor-Roper i tha dokumentarit Reputations të BBC-së të vitit 1996, Nazisti që kërkoi falje, se Speer e dinte çfarë po bënte. “Ai kishte metoda të frikshme kontrolli dhe mund të përdorte sistemin e kampeve të përqendrimit nëse donte, por ai e kreu punën dhe kjo e impresiononte Hitlerin”, tha ai.
Në gjyqet e Nurembergut, Speeri kishte një strategji djallëzore për të mbrojtur veten nga akuza për përdorim kriminal të punës së detyruar. Ai e ofroi ish-zëvendësin e tij, Fritz Sauckel, si një kokë turku. Pa pasur elokuencën apo sjelljen sociale të Speerit, Sauckel u përshkrua nga prokurori amerikan Robert Jackson si “skllavopronari më i madh dhe më mizor që nga faraonët e Egjiptit”. Sauckel u var më 16 tetor 1946.

Pak pas mesnatës, më 30 shtator 1966, 61-vjeçari Speer doli nga Burgu i Spandaut përballë dritave të forta të mediave botërore që ishin mbledhur për të parë nga afër ish-mikun më të ngushtë të Hitlerit. Në vitin 1969, Speer publikoi kujtimet e tij më të shitura, Brenda Rajhut të Tretë. Në intervista me të gjithë - nga BBC-ja te revista Playboy - ai promovoi me mjeshtëri një imazh të vetes si një njeri që kishte turp të thellë për dështimin për të zbuluar krimet e regjimit nazist.
Por, a ishte me të vërtetë Speeri thjesht një teknokrat që nuk kishte asnjë ide për të këqijat e Holokaustit? Speer pretendonte se në Nuremberg dëgjoi për herë të parë për vrasjen masive të hebrenjve. Megjithatë, në vitin 1971, një vit pas intervistës së tij të parë për BBC-në, historiani i Universitetit të Harvardit, Erich Goldhagen, zbuloi se ai kishte marrë pjesë në një konferencë të zyrtarëve të lartë nazistë në tetor të vitit 1943, ku kreu i SS-it, Himmleri, kishte folur hapur për “shfarosjen e popullit hebre”. Biografja e Speerit, Gitta Sereny, i tha dokumentarit Reputations të BBC-së se, edhe pse nuk kishte arritur të konfirmonte që Speeri kishte qenë personalisht i pranishëm për të dëgjuar “fjalimin më të tmerrshëm në histori”, tre prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt kishin marrë pjesë dhe do t’i kishin treguar atij se çfarë kishte thënë Himmler. “Nuk ka rëndësi nëse ishte aty apo jo; që nga ai moment, ai dinte”, tha ajo.
- YouTube www.youtube.com
Speer ndodhej në Londër për një tjetër intervistë me BBC-në në vitin 1981, kur pësoi një goditje në tru në hotelin ku qëndroi. Ai vdiq atë natë, në moshën 76-vjeçare. Sapo kishte botuar një libër të ri, Shteti i skllavërisë: Plani i Madh i Heinrich Himmlerit për epërsinë e SS-it. Görtemaker i tha BBC-së këtë vit: “Një libër i ri, një rrëfim i ri, një intervistë e re, dhe po atë ditë ai vdiq në një hotel në Londër me të dashurën e tij sekrete. Atëherë bota u bë e vetëdijshme se ai kishte një jetë të dyfishtë. Askush nuk dinte gjë për këtë të dashur në Londër. As gruaja e tij, as fëmijët. Edhe këtu, një jetë e dyfishtë, një tradhti. Ky është Speeri tipik”.
Nuk kanë mbetur shumë gjëra nga arkitektura e Speerit; ndërtesat e tij të dizajnuara për një Rajh një mijëvjeçar u shkatërruan kryesisht nga Aleatët fitimtarë, madje edhe përpara se të fillonin gjyqet e Nurembergut. Ndërtesa e papërfunduar për tubimet në Nuremberg tani pret një ekspozitë të përhershme që shërben si paralajmërim nga historia. Por, ndërsa rrënojat e arkitekturës së tij qëndrojnë si një kujtesë, vetë Speer kurrë nuk pranoi plotësisht rolin që luajti në ndërtimin e një krijese shumë më të errët. /Telegrafi/




















































