Mbyllet përkohësisht Pishina e Gërmisë


Pishina e Gërmisë është mbyllur përkohësisht, pas një kërkese të Inspektoratit Sanitar, ndërsa rihapja e saj do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë analizat e mostrave të ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Lajmin e ka bërë të ditur NPL “Sport Marketing”, e cila ka njoftuar se pezullimi i aktivitetit është ndërmarrë në përputhje me procedurat e institucioneve përgjegjëse dhe me synimin për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Sipas ndërmarrjes, kontrolli i cilësisë së ujit dhe matja e parametrave përkatës realizohen në mënyrë të rregullt, në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes së pishinës.
Në njoftim thuhet se, bazuar në vlerësimet aktuale, gjendja e përgjithshme e Pishinës së Gërmisë konsiderohet e mirë, si për cilësinë e ujit, ashtu edhe për kushtet në ambientet e saj.
Megjithatë, për shkak të procedurave të parapara për pishinat publike, ndërmarrja ka vendosur të presë rezultatet zyrtare të analizave laboratorike përpara se ta rikthejë pishinën në funksion.
“Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e NPL “Sport Marketing”.
Po ashtu, qytetarët do të njoftohen me kohë për datën e rihapjes së Pishinës së Gërmisë, sapo të përfundojnë procedurat dhe të publikohen rezultatet zyrtare të IKSHPK-së. /Telegrafi/


































