Mbreti i pakurorëzuar

Shkrimi im i kaluar fliste për një mbret futbolli, i cili për më tepër u kurorëzua plot 18 herë me tituj nga më të ndryshmit. Sot dua të flas për një mbret tjetër, që e ka njohur bota e futbollit vitet e fundit. Është ky mbret i vërtetë! Vetëm se këtij iu mohua kurora në mënyrë të vazhdueshme. Të gjitha betejat i fitoi e, megjithatë, luftën ende nuk ka arritur ta fitojë. Quhet Michael Ballack. Dhe shpesh karriera e tij ma kujton karrierën e lojtarëve të Holandës atomike të viteve ’70, e cila, edhe pse mund ta ketë luajtur futbollin më të bukur në histori, nuk fitoi dot një botëror.
Ballack ishte trashëgimtar i denjë i Effenbergut, Rummeniges Mathausit dhe mbretërve të tjerë të futbollit gjerman. Forcë fizike e jashtëzakonshme, lojë në ajër fenomenale, vizion të rrallë për lojë. Nuk dorëzohej kurrë. Ishte gjerman i vërtetë! Por vetëm një gjë i mungonte për ta arritur nivelin e pararendësve të tij: ata ishin titujt e rëndësishëm.
Gjithçka filloi si në ëndërr, kur me skuadrën e sapopromovuar nga Bundesliga 2, Kaiserslautern, ai u bë kampion i Gjermanisë. Rruga e lavdisë kishte filluar. Një yll i ri po ndriçonte në Gjermani. Brenda një sezoni ai dërgon Leverkusenin në finalen antologjike me Realin në Ligën e Kampionëve 2002, të superdominuar nga gjermanët, por të fituar nga lartmadhëria e tij, Zidane. Do të ishte, po ashtu tragjike, humbja e titullit të Bundesligës që tashmë tifozët e Leverkusenit kishin filluar ta festonin në Unterhaching.
Kështu fillon edhe historia e finaleve të humbura të ikonës së futbollit gjerman. Finalja më e madhe që e ka humbur mbetet ajo e Botërorit 2002, ku i vetëm merr në shpatulla Gjermaninë dhe e dërgon në finale, të cilën nuk mundi ta luajë shkaku i kartonëve. Kurora për mbretin Ballack ishte shumë pranë më 2008 kur Terry, rrëshqet në çastin më të rëndësishëm të karrierës, duke gjuajtur penaltinë që vlente një Ligë të Kampionëve. Serisë së zhgënjimeve i bashkohet humbja e finales me Spanjën në vëren e 2008-s.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit! Dhe mbreti duhet ta marrë kurorën. Chelsea i Carlo Ancelottit është skuadër e cila sivjet mendon vetëm një gjë: Ligen e Kampionëve. Pastaj aty është edhe Kampionati Botëror. Siç ka thënë i madhi Lineker, “Futbolli është një lojë, ku luajnë 22 lojtarë dhe gjermanët arrijnë gjithmonë në finale”. Kështu shpresa vazhdon.




































