Mbretëresha Camilla kishte qenë cak i një tentative për sulm gjatë adoleshencës, e zmbrapsi personin duke e goditur me takën e këpucës

Mbretëresha Camilla ka qenë viktimë e një tentative për sulm të pahijshëm kur ishte adoleshente, sipas një libri të ri për Familjen Mbretërore. Thuhet se Mbretëresha është vetëmbrojtur duke e zmbrapsur sulmuesin me takën e këpucës së saj.
Ngjarja tregohet në librin "Power and the Palace" të autorit Valentine Low, ish-redaktor mbretëror i gazetës The Times.
Sipas tij, Mbretëresha ia ka rrëfyer këtë histori Boris Johnson-it në vitin 2008, kur ai ishte kryebashkiak i Londrës, shkruan BBC.
Asokohe Camilla ishte 16 ose 17 vjeçe kur ndodhi incidenti, gjatë një udhëtimi me tren drejt stacionit Paddington.
Burri në fjalë thuhet se kishte filluar ta prekë Camillën adoleshente, kur ajo hoqi këpucën dhe e goditi atë me takë.
Sipas asaj që i ka treguar Johnson-it, këtë veprim ia kishte këshilluar nëna e saj në rast se ndonjëherë do të ndodhej në një situatë të tillë.
Kur arriti në Londër, ajo raportoi ngjarjen tek stafi i stacionit, dhe burri u arrestua.
Buckingham Palace nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për këtë histori, por nuk e ka mohuar saktësinë e saj.
"Ajo bëri gjënë e duhur," tha Valentine Low për emisionin Today të BBC Radio 4.
"Jo vetëm që tregoi zgjuarsi dhe forcë, por veproi si një qytetare e përgjegjshme duke u siguruar që ai burrë të arrestohej".
Një pjesë e rëndësishme e angazhimit publik të Mbretëreshës Camilla vitet e fundit ka qenë mbështetja për viktimat e dhunës në familje, sulmeve seksuale dhe përdhunimeve.
Ajo është patrone e organizatës bamirëse SafeLives dhe ka vizituar strehimore për gra dhe qendra për viktimat e përdhunimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj.
Në disa prej fjalimeve të saj të fuqishme, ajo ka folur për guximin e atyre që kanë përjetuar dhunë në familje dhe ka theksuar se nuk duhet të ndihen të frikësuar apo të turpëruar për të treguar përvojat e tyre.
Në një fjalim të mbajtur në vitin 2020, ajo tha:
"Përmes punës sime, kam biseduar me shumë gra që kanë jetuar nën kontroll të dhunshëm dhe dhunë në familje, dhe për fat të mirë, kanë dalë nga kjo si fitimtare, jo si viktima.
Ato janë disa nga njerëzit më të guximshëm që kam takuar ndonjëherë. Historitë e tyre janë tronditëse dhe kanë përlotur edhe dëgjuesit më të fortë. Prandaj është jetike që këto të mbijetuara të mos ndiejnë më kurrë turp apo faj".












































