LAJMI I FUNDIT:

Mbi 70 kompani nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë

Mbi 70 kompani nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë

Kryeministri  Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.


 Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje. 

 Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti./Telegrafi/