LAJMI I FUNDIT:

Matoshi kërkon përfshirjen e BIK-ut në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”

Matoshi kërkon përfshirjen e BIK-ut në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është pritur në një takim zyrtar nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava me ç’ rast kanë biseduar për aksionin “ Ta pastrojmë Kosovën”, i cili fillon më 15 shtator 2018.

Matoshi ka kërkuar nga Myftiu Tërnava përfshirjen e BIK-ut në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, me qëllim të përmirësimit të mjedisit për qytetarët e Kosovës.


“Pastërtia është gjysma e besimit, andaj duke u nisur nga kjo, sot jam ardhur këtu që të kërkoj nga Bashkësia Islame e Kosovës, të jetë pjesë e aksionit për pastrimin e vendit. Një tjetër synim që kemi dhe që duam mbështetje nga BIK-u, është pastrimi i varrezave. Varrezat meritojnë trajtim më të mirë sepse aty janë njerëzit tanë, andaj është mirë të kemi një ndihmë edhe nga BIK-u”, deklaroi Matoshi.

Ai gjatë këtij takimi, kërkoi nga përfaqësuesit e BIK-ut t’i kushtojnë një ligjëratë të veçantë rëndësisë së pastrimit të mjedisit.

“BIK-u është institucion i respektuar, ka 800 xhami dhe në të gjitha xhamitë do të ketë thirrje për pastrim. Ne me BIK-un do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, mirëpo për këtë temë na bashkon pastërtia e vendit tonë”, deklaroi Matoshi.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, falënderoi ministrin Matoshi, duke premtuar mbështetje për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Bazuar në fenë tonë, islami kërkon që vendi dhe të gjithë të jemi të pastër. Po që se e përkthejmë pastërtinë në term tjetër, ajo ka kuptimin e jetës. BIK-u në ditën e xhuma në të gjitha xhamitë do të mbajnë ligjërata për ruajtjen e ambientit”, tha Myftiu Tërnava.

Matoshi gjatë takimit me Myftiun Tërnava, ka treguar se në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës, MMPH-ja ka ndarë grant prej 1. 2 milion euro për komunat më të suksesshme në këtë aksion.

Aksioni “ Ta pastrojmë Kosovën” , do të nisë më 15 shtator 2018 për tu përfunduar më 15 dhjetor 2018. /Telegrafi/