LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja për Energjinë, Kelmendi: Iniciativa bën ndarjen territoriale elekektro-energjetike të Kosovës

Marrëveshja për Energjinë, Kelmendi: Iniciativa bën ndarjen territoriale elekektro-energjetike të Kosovës

Ish-deputeti i Kosovës, Ramiz Kelmendi ka reaguar lidhur me Marrëveshjen për Energjinë të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kelmendi me anë të një shkrimi në Facebook, thekson se kjo iniciativë bën ndarjen territoriale elekektro-energjetike të vendit.


“Iniciativa e kamotshme për ndërtimin e vijës territoriale elektro-energjetike arriti në fund! Kjo iniciativë ka filluar gjatë kohës sa kam qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atëherë e kam kundërshtuar me këmbëngulje. Njëjtë mendoj edhe tani, sepse si e tillë, bënë, plotësisht ndarje territoriale elekektro-energjetike. Ndërmarrja Elektrosever është kompani private e regjistruar në Republikën e Kosovës dhe kryen funksionin e blerjes, distribuimit dhe inkasimit të energjisë së shpenzuar (si kompania KEDS)”, shkruan Kelmendi.

Sipas tij, qytetarët serb dhe ata që jetojnë në veri të Kosovës do të kenë çmim më të lirë të rrymës.

“Çmimin e shitjes e përcakton vet shitësi dhe distributori, por jo më lartë se çmimi i aprovuar nga ZRRE-ja. Qytetarët serb dhe ata që jetojnë në veri do të kenë çmim më të lirë, energji elektrike më stabile dhe më voluminoze (sepse blerja e energjisë elektrike që po bëhet në vazhdimësi për Kosovën do të ketë dy lloj çmimesh. Çmimi i Kontraktuar do jetë më i lartë për shqiptarët, për aq vlerë sa serbët e veriut dhe serbët e jugut të kompensohen me tarifa të lira në veri drejtpërdrejt, ndërsa në jug me subvencionime me pretekstin e qëndrueshmërisë jetike në Kosovë)”, thekson ai.

Afaristi Kelmendi thotë se Elektrosever do të punoj politikisht që të shantazhojë qytetarët shqiptarë.

“Elektrosever do ç’kapë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që do jenë në anën e Mitrovicës Jugore. Elektrosever do punojë e veproj politikisht që të shantazhojë qytetarët shqiptarë duke mos rinovuar shpërndarjen, duke mos sanuar dëmet që ndodhin nga qëllimi apo dëmtimi kohor i distribuimit dhe dëmet nga fatkeqësitë natyrore. Të vetmen ndërlidhje do e kemi nga bartja ndërkombëtare e energjisë elektrike nga KOSTT-i”, pohon Kelmendi.

“Mendimi dhe qëndrimi im politiko-profesional rreth kësaj marrëveshjeje bazohet në eksperiencën ndër vite, si menaxher i kompanisë Shoqërore për Ndërtim të Largpërçuesve Elektrik, shpërndarjes elektroenergjetike dhe ndërtues i trafostacioneve të ndryshme”, thekson ai.

Ai shton se Kosovës i duhen dy dhe më shumë shitës të energjisë elektrike.

“Andaj në parim, Kosovës i duhen dy dhe më shumë shitës të energjisë elektrike, në mënyrë që industritë e mëdha të cilat shpenzojnë energji elektrike të kenë mundësi të blerjes me konkurrencë, ndërsa qytetarët të kenë çmim unik të energjisë elektrike dhe shpërndarja e kyçja të jenë nga një operator”, shton ai.

Në fund, Kelmendi tregon se, serbët vijojnë me kërkesa të shumta që do tentojnë të pavarësohen në atë pjesë.

“Edhe atëherë kam kundërshtuar, e kundërshtojë edhe tani këtë hap përfundimtar të autonomisë dhe pavarësisë elektroenergjetike të pjesës veriore të Republikës së Kosovës. Pra, kemi pavarësi të gjyqësorit e nga tani kemi edhe pavarësi elektroenergjetike. Pavarësi të infrastrukturës së ndërtimit të vendbanimeve në atë pjesë kemi qëmoti, dhe druaj se kjo do shkojë deri te autonomia”, tregon ai.

“Qytetarë të nderuar, serbët vijojnë me kërkesa të shumta që do tentojnë të pavarësohen në atë pjesë. së pari pak me një qeveri, më pas edhe pak, e pak nga pak deri në cakun final. Andaj, le të kthjellemi sa nuk është bërë tepër vonë, të kalojmë dhe ta bindim bashkësinë ndërkombëtare që shkëmbimi i territoreve do jete ruajtja më e mirë e territorit tonë dhe territorit kombëtar”, përfundon Kelmendi. /Telegrafi/