Goran Pandev është lojtari legjendë i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.

Sulmuesi i famshëm maqedonas u bë lojtari më i ri në histori të shtetit të tij që kishte debutuar me Kombëtaren A në vitin 2001 me vetëm 17 vite e 10 muaj.

Këtë rekord Pandev e mbajti për 13 vite dhe ai u thye nga një futbollist shqiptar.

Taulant Seferi në vitin 2014 debutoi me Përfaqësuesen A të Maqedonisë, duke thyer rekordin e Pandevit pasi u bë lojtari më i ri në histori të shtetit që luan me seniorët.

Ylli shqiptar debutoi në miqësoren ndaj Kamerunit me 17 vite e gjashtë muaj.

“Për mua ka qenë kënaqësi që e kam thyer këtë rekord dhe jam i lumtur. Gjithashtu dua t’i falënderojë edhe maqedonasit që më dhanë mundësinë për t’ia thyer rekordin e legjendës së tyre”, tha Seferi për Telegrafin.

Edhe pse një mundësi e madhe iu dha, Seferit kjo gjë nuk i bëri përshtypje, pasi ai u largua nga Përfaqësuesja maqedonase.

“I falënderojë që ma dhanë këtë mundësi, por mua nuk më ka bërë shumë përshtypje pasi dëshira ime gjithmonë ka qenë të luaj për Kombëtaren shqiptare”, u shpreh Seferi.

Talenti nga Kumanova debutoi me Kombëtaren A të Shqipërisë në muajin nëntor, kur u inkuadrua në lojë ndaj Anodrrës.

“Ka qenë një moment jashtëzakonisht emocionues për mua dhe familjen time. Jam krenar që kam debutuar me Kombëtaren dhe shpresoj që t’i arrijë më shumë se 100 ndeshje”, vazhdoi tutje Seferi.

Krejt në fund Taulanti foli edhe për përballjen gjysmëfinale në Ligën e Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ku shpreson që Dardanët të arrijnë finalen dhe kampionatin evropian.

“E kam thënë edhe më herët po e them edhe tani, dua që Kosova ta fitojë këtë takim dhe të shkoj deri në Evropian”.

“I kam parë ndeshjet e Kosovës dhe më kanë lënë përshtypje jashtëzakonisht të madhe se si luajnë”.

“Nëse do të kem mundësi dhe do të jem i lirë do të shkoj në Shkup për ta përkrahur Kosovën në atë ndeshje”, përfundoi Seferi për Telegrafin.

23-vjeçari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Maqedonisë së Veriut dhe Përfaqësuesen A.

Ndërkohë për Shqipërinë ai ka 12 paraqitje me Kombëtaren U21 dhe një ndeshje me A. /Telegrafi/