Manchester City nis kontaktet e para për transferimin e Rodrygos

Manchester City ka filluar bisedimet me agjentin dhe familjen e sulmuesit të Real Madridit, Rodrygo, duke eksploruar mundësinë e një transferimi, sipas Fabrizio Romano.
Ky hap vjen në një moment kur City mund të përballet me largimin e Jack Grealish, James McAtee dhe ndoshta Savinho, gjë që e ka bërë Pep Guardiolën ta identifikojë brazilianin si një objektiv madhor.
Rodrygo, 24 vjeç, ka parë rolin e tij te Real Madrid të reduktohet pas mbërritjes së Kylian Mbappe, duke nxitur interesin e skuadrës së madhe angleze.
Sipas Romanos, Real Madridi është i gatshëm ta shesë nëse lojtari kërkon largimin, me një çmim prej rreth 100 milionë eurosh.
Guardiola e admiron aftësinë e Rodrygos për të luajtur në disa pozicione ofensive, veçanërisht në krahun e majtë, ku do të konkurronte me Jeremy Dokun.
Vendimi përfundimtar i brazilianit pritet të varet nga garancitë që do t’i japë trajneri i ri i Real Madridit, Xabi Alonso, për minutat e lojës.
Ndërkohë, Manchester City vazhdon të shtyjë përpara në përpjekjet për të siguruar nënshkrimin e tij.
Interesim për Rodrygon kanë shprehur edhe skuadra të tjera angleze si Arsenal, Liverpool dhe Tottenham Hotspur, por besohet se City po i prinë garës. /Telegrafi/





















































