LAJMI I FUNDIT:

Malisheva ka 4.3 milionë euro për investime kapitale

Malisheva ka 4.3 milionë euro për investime kapitale

Komuna e Malishevës, për vitin 2019 ka një buxhet prej 14.5 milionë euro, ndërsa prej tyre 4.3 milionë janë të parapara për investime kapitale.

Kështu u tha në dëgjimin e parë publik, në kuadër të dëgjimeve publike, për hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Dëgjimet publike do të vazhdojnë në ditët në vijim nëpër vendbanime dhe me grupet e interesit.


“Sot është mbajtur dëgjimi i parë, ku kanë marrë pjesë kryetarët e fshatrave të Komunës së Malishevës, ndërsa në këtë takim, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pasi i ka falënderuar kryetarët e fshatrave për bashkëpunimin e deritanishëm, i ka ftuar ata që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, përmes propozimeve të tyre, për orientimin e investimeve në vitet në vijim, me theks të veçantë për vitin 2019. “Gjatë gjithë këtyre viteve, investimet i kemi bërë duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e juaja, e po ashtu edhe këtë vit, do t’i orientojmë investimet në këtë formë, duke u bazuar në kërkesat e vendbanimeve”, tha Begaj, sipas kumtesës për media.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, duke e prezantuar qarkoren e dytë buxhetore, për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021, është fokusuar më shumë në ndarjen e buxhetit që i është bërë Komunës së Malishevës, për vitin 2019. Sipas tij, buxheti në vitin 2019, do të jetë për dy për qind më i madh se viti paraprak, ku i tërë buxheti do të jetë 14.5 milion euro, ndërsa për investime kapitale, janë të ndara 4.3 milion euro.

Pas prezantimit të KAB, kryetarët e fshatrave, i kanë shfaqur kërkesat e vendbanimeve të tyre, për investime, ku kryesisht kanë dominuar kërkesat për infrastrukturë, si kanalizime, ujësjellës, rrugë e trotuare, por edhe për përkrahje në fushën e bujqësisë.

Në këtë takim, është kërkuar nga kryetarët e fshatrave, që të jenë aktiv në takimet tjera që do të mbahen nëpër vendbanimet e Komunës së Malishevës, ndërsa kërkesat e tyre, ti paraqesin me shkrim, në drejtoritë përkatëse. /Telegrafi/