Kinematografia shqiptare numëron shumë projekte filmike të suksesshme në treg.

Ndryshe nga filmat e metrazhit të gjatë, pak më rrallë kemi pasur rastin të shohim filma të animuar në tregun kosovar, ndonëse ka tendenca për realizimin e projekteve të tilla nga producentët.

Në fakt një film i tillë do të vijë shumë shpejt për herë të parë në Kosovë, dhe është titulluar “Magneti”, një film i animuar i metrazhit të shkurtër që do të tërheqë vëmendjen e publikut.

Në një prononcim për Telegrafin, producenti i këtij filmi Berat Hasani ka shpalosur detajet e këtij projekti të veçantë, i cili do të jetë i gatshëm për publikun brenda vitit.

”Jemi në përgatitje të një filmi të animuar, i cili titullohet “Magneti” dhe është film i metrazhit të shkurtër. Tematika që trajton filmi është përditshmëria e njerëzve në ditët e sotme, se si të gjithë janë bërë të varur nga teknologjia, më saktësisht telefonat e mënçur, dhe beteja e një familje e cila lufton ‘të shpëtojë’ nga kjo vartësi”, tha ai për Telegrafin.

Regjisor i filmit është Arvan Berisha, skenariste Mjellma Doli, animatorë të filmit janë Junik Berisha dhe Edvin Susuri, gjersa për kolonën zanore të filmit do të kujdeset kompozitori Liburn Jupolli.

I pyetur nga Telegrafi për personazhet, producenti Hasani ka treguar se brenda “Magnetit” është një familje krejtësisht e thjeshtë.

“Personazhet në film gjithsej janë katër, dy prindër me dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë, të cilat fatkeqësisht janë bërë rob të teknologjisë dhe mundohen të largohen nga kjo mani. Kohëzgjatja e filmit është afro pesë minuta (varësisht nga lëvizja e personazheve), dhe do të jetë i gatshëm në fund të muajit shtator”, shtoi më tej producenti Berat Hasani.

“Qëllimi i këtij filmi është që të zhvendosim sa më shumë vëmendjen e prindërve tek kujdesi maksimal ndaj fëmijëve, të cilët nuk duhet të bien si të vegjël pre e teknologjisë”, përfundoi Hasani për Telegrafin.

Mbetet të shihet se sa i veçantë do të jetë ky projekt, i cili që nga titulli mund të tërheq para vetës fëmijët e vegjël të pasionuar pas filmave të animuar. /Telegrafi/