Presidenti i Republikës së Francës Emmanuel Macron, i ka dërguar letër urimi presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

Macron në letër thotë se ky vit u shënua me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës dhe nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Propozim-ligji, i cili do të mundësojë ratifikimin e tij, tashmë është dërguar në Parlamentin Francez, i cili do ta shqyrtojë së shpejti. Dua të përshëndes këto zhvillime të rëndësishme, që promovojnë stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit”.

“Franca është e përkushtuar dhe mbështet perspektivën evropiane të vendit tuaj dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor. Uroj që Bashkimi Evropian, sa më parë, t`i specifikojë mënyrat, që do t`i mundësojnë kësaj perspektive të bëhet pjesë e një reforme të domosdoshme të funksionimit të Bashkimit Evropian, që do të mund të garantojë stabilitetin tonë dhe të ardhmen tonë të përbashkët”.

“Gjithashtu doja që Franca të rrisë përkushtimin e saj konkret, në nivel shtetëror, në favor të stabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, duke përgatitur dhe hartuar një strategji kombëtare për rajonin. Kjo strategji përfshin forcimin e kontakteve tona politike dhe bashkëpunimin tonë dypalësh në katër fusha: zhvillimin ekonomik dhe shoqëror; sigurinë; drejtësinë dhe mbrojtjen. Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, uroj që sa më shpejt të nënshkruhet marrëveshja midis dy vendeve tona, për kushtet e veprimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim në Maqedoninë e Veriut”, thotë Macron në letër./Telegrafi/