Lunacek demaskoi premtimet e rreme të Qeverisë


Sipas tyre, Qeveria e Kosovës vazhdimisht është përpjekur që ta krijojë një përshtypje pozitive tek qytetarët karshi procesit të liberalizimit edhe pse optimizmi i Qeverisë ishte jo real.
Eksperti i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, theksoi se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është e ndjeshme.
Ujkani mendon se ky proces vështirë se do të ndodhë gjatë këtij viti, për shkak se Bashkimi Evropian këtë vit do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme për Parlamentin Evropian, që do rezultojnë edhe në zgjedhjen e Komisionit Evropian të ri, në përputhje me ndryshimet e bëra me Traktatin e Lisbonës.
“Në këtë kontekst është e vështirë të mendohet që procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën të jetë prioritet në BE. Në anën tjetër, se a mund të zgjat edhe më shumë getoizimi i kosovarëve, edhe dy apo tri vite, çdo gjë është e mundur. Por, nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet, mendoj që Këshilli (pas rekomandimit nga Komisioni Evropian) do të merr vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën në fund të vitit 2015. Ndërsa, vetë qytetarët e Kosovës do jenë në gjendje të lëvizin lirshëm nga viti 2016.”, tha ai.
“Mendoj se duhet të kemi parasysh se institucionet e Kosovës në dy vitet e fundit kanë rritur intensitetin e punës lidhur me këtë çështje, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Në anën tjetër të mos harrojmë se Kosova në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka pasur një regjim më strikt të kritereve, që natyrisht e bëjnë edhe me të vështirë këtë proces dhe rrjedhimisht edhe të stërgjatur”, ka thënë Ujkani për Telegrafin.
Ai mendon se stërzgjatja e liberalizimit të vizave mund të ketë efekt jo të mirë në disponueshmërinë e qytetarëve të Kosovës, “por a është e drejt të fajësojmë BE-në për këtë gjë, nuk e besoj”.
Sipas tij, BE-ja e ka për detyrë që të shikojë përmbushjen e këtyre kritereve në përpikëri. “Janë institucionet tona dhe lidershipi ynë, i cili natyrisht i prirë nga vullneti dhe qëllimi i mirë, shpeshherë kanë lansuar deklarata, përmes së cilave kanë rritur pritjet e qytetarëve të Kosovës”, tha Ujkani.
Analisti Astrit Gashi, nuk e beson të ketë pasur dikush seriozisht në Kosovë, duke përjashtuar këtu kryeministrin Thaçi, apo edhe ndonjë ministër të tij, që kosovarët do të marrin liberalizimin e vizave gjatë këtij viti.
Sipas tij, shtyrja e liberalizimit të vizave nuk është për faktin se BE-ja ka ndonjë faj ose se nuk na do, por për faktin se Kosova ende nuk ka treguar seriozitet në shumë lëmi dhe që janë të domosdoshme për të arritur qarkullimi i lirë nëpër vendet e BE-së.
“Thjesht, sot shumë vende të BE-së madje nuk i besojnë as dokumenteve që lëshojnë institucionet e shtetit. Shto këtu që në kuadër të skandaleve që kanë ndodhur e kemi edhe atë të me tenderin e pasaportave. Pra, jemi larg ende prej rrugës së BE-së dhe liberalizimit të vizave. Udhëtimi me ekonomi - class nuk mjafton e as nuk kryen punë”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, theksoi se raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek nuk ka thënë asgjë të re në raport me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa, siç tha ai “ne, e kemi paralajmëruar një gjë të tillë edhe më herët”.
Sipas tij, deklaratat e Lunacekut janë ekzagjeruar nga mediat, ku disa prej tyre shkruan se deri në katër vjet do të shtyhet liberalizimi i vizave.
“Të gjithë po e përdorin liberalizimin e vizave për hesapet e tyre politike, për të ndëshkuar qeverinë për premtimin e tyre të parealizuar që kosovarët të udhëtojnë pa viza, për 15 muaj nga fillimin i mandatit të dytë. Me rastin e marrjes se udhërrëfyesit, komisionerja Malmstrom ka deklaruar se ritmi dhe afati se kur kosovarët do lëvizin lirshëm varet nga Qeveria e Kosovës dhe, sa shpejt ata i zbatojnë kushtet nga udhërrëfyesi. Tash 24 muaj më parë ka filluar dialogu, kemi vetëm një raport progresi nga BE-ja, ndërsa nuk shihet ‘drita në fund të tunelit’. Qeveria duhet të reflektoj dhe të shoh ku ka gabuar në veprim apo qasje.
Qeveria e Kosovës duhet te pyetet, pse ka filluar zbatimin e kushteve për liberalizim qysh prej 2009-ës, dhe tash e 56 muaj ende nuk ka arritur t’i zbatojë kushtet? Gjithashtu ekzekutivi kosovar duhet të pyetet pse ka refuzuar të aplikojë marrëveshje për lehtësim të vizave si të gjitha vendet tjera, për t'iu lehtësuar barrën qytetarëve. Pra, një reflektim do ishte i dobishëm këtë moment”, ka thënë Muharremi për Telegrafin.
Ai mendon se largim i fokusit nga funksionalizimi i ekonomisë që ka prodhuar azilkërkues në vend të punësimit dhe rritjes kualitative, tolerimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesa e shtetit ligjor, tregon sipas tij, që qeveria nuk po mëson nga gabimet e saja.
“Qeveria e Kosovës dhe BE-ja duhet të dakordohen për një afat të vlerësimeve dhe raportimeve deri në fund të procesit, si dhe qeveria duhet të ndryshojë qasjen në mënyrën qe ky proces mos të zgjat pafundësisht”, ka thënë Muharremi për Telegrafin.
Petrit Zogaj, nga Lëvizja Fol, theksoi se është i njohur fakti se një shteti i hiqet regjimi i vizave duke u bazuar në reformat që shteti ka ndërmarrë, në nivelin e sundimit të ligjit, luftimit të migrimit ilegal dhe rezultateve tjera në funksionalizimin e demokracisë së vendit përkatës.
Zogaj tha se kjo ka ndodhur edhe me Kosovën. “Ne, si vend ka kohë që jemi duke shpresuar që brenda këtij apo atij viti të kemi një qasje të lirë të lëvizjes në BE, në vendet që janë në zonën Schengen. Megjithëse, janë ndërmarrë disa hapa, vlerësimet e jashtme e të brendshme tregojnë që janë bërë hapat e duhur më shpejtësinë e duhur që ky proces të rezultojë me liberalizim të vizave. Megjithatë nuk duhet harruar edhe një fakt, BE-ja nuk ka treguar një vullnet edhe aq të përkushtuar në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj. Jemi vendi i vetëm në Ballkan që ka një izolim të madh sa i përket lëvizjes së lirë dhe për këtë nuk themi që kemi të bëjmë vetëm me qeverisjen e keqe në Kosovë, por edhe me një neglizhencë nga disa mekanizma ndërkombëtar”, ka thënë ai për Telegrafin.
Zogaj beson që BE-ja nuk ka treguar një vullnet të duhur për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte shumë më aktive dhe e përkushtuar që ky proces të ishte i përfunduar.
“Jemi të vonuar shumë dhe deklarimet e fundit do të ndikojnë negativisht tek qytetarët e vendit. Edhe nga premtimet elektorale të udhëheqësve, e këtu po flas për kryeministrin Hashim Thaçi, por edhe nga një proces normal ballkanik, liberalizimi i vizave pritej të ndodhte shumë më herët”, ka thënë Zogaj. /Telegrafi/






































