LAJMI I FUNDIT:

Lufta në Tajvan do ta zbeh luftën e Ukrainës, pos nëse ShBA-ja nuk ia tregon dhëmbët Kinës

Lufta në Tajvan do ta zbeh luftën e Ukrainës, pos nëse ShBA-ja nuk ia tregon dhëmbët Kinës
Simon Tisdall

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në përgjithësi pranohet se pushtimi kinez i Tajvanit – që do tërheq në ShBA-në dhe ndoshta Japoninë, Australinë dhe Britaninë – mund të zbehë krizën e Ukrainës, si në nivel ashtu edhe në aspektin e rrezikut. Gjeneralët dhe zyrtarët e lartë amerikanë, vazhdimisht kanë paralajmëruar se sulmi po bëhet më i mundshëm dhe më i realizueshëm. E, megjithatë, në mënyrë spektakolare mbetet e paqartë se çfarë në të vërtetë do të jepte – si kundërpërgjigje – administrata e Bidenit.

Politika e gjatë e ShBA-së e “paqartësisë strategjike”, e konceptuar për ta lënë Pekinin që të hamendësojë për qëllimet e Uashingtonit, ka ndihmuar në ruajtjen e kontrollit në tensionet mes Kinës dhe Tajvanit. Por, dinamika rrënjësisht ka ndryshuar pas ngritjes së presidentit të Kinës Xi Jinping në postin e pushtetit suprem, dhe me deklarimin e qasjes së tij agresive ndaj Tajvanit dhe ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare në tërësi.

Muajin e kaluar Xi përsëri u zotua për ta aneksuar ishullin e vetëqeverisur, të cilin e konsideron si pronë të Kinës. “Duhet t’i kundërshtojmë në mënyrë aktive forcat e jashtme dhe aktivitetet secesioniste të pavarësisë së Tajvanit. Duhet të çojmë para dhe në mënyrë të palëkundur kauzën e përtëritjes dhe të ribashkimit kombëtar”, tha Xi në Kongresin Popullor Kombëtar. Xi nuk e përjashtoi përdorimin e forcës.

Me kalimin e kohës, dykuptimësia amerikane bëhet më problematike. Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i ka ngatërruar më tej gjërat me komente të papërgatitura. I pyetur në shtator nëse – për dallim nga Ukraina – do t’i dërgonte trupat amerikane për ta mbrojtur Tajvanin, Biden u përgjigj: “Po, nëse në fakt do të ketë sulm të paprecedentë”.

Kjo nuk është politika zyrtare e SHBA-ve – edhe pse ndoshta duhet të jetë. Fjalët e Bidenit me shpejtësi u hodhën poshtë nga zyrtarët e tij të lartë në kohën e protestave të furishme kineze. Sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin të vitit 1979, ShBA-ja është e përkushtuar “t’ia sigurojë Tajvanit armët me karakter mbrojtës”. Qëllimi është parandalimi, jo lufta.

Përkeqësimi i dukshëm në marrëdhëniet ShBA-Kinë, si pasojë e ngritjes së Jinpingut dhe presidencës së Donald Trumpit, ka çuar në qëndrimet e padobishme të politikanëve amerikanë dhe kinezë. Ato përfshijnë demokraten Nancy Pelosi, vizita e panevojshme dhe provokuese e së cilës – gjatë vitit të kaluar – rriti tensionet ushtarake, si dhe ministrin e jashtëm ngucakeq të Pekinit, Qin Gang.

Grindjet tjera dhe kërcënimet më të mëdha ushtarake mund të priten nëse presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, këtë javë në Kaliforni takohet me pasardhësin republikan të Pelosit – si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve – Kevin McCarthy. Tsai do ta bëjë një ndalesë jozyrtare, pasi do t’i vizitojë dy nga pak aleatët e mbetur të Tajvanit në Amerikën Qendrore. Hondurasi kohët e fundit dezertoi kah Pekini.

Takimi i planifikuar Tsai-McCarthy do të jetë simbolik, pa kuptim praktik. Ajo që do ta bëjë ky takim është reklamimi i qëndrimit të ashpër të republikanëve kundër Kinës – para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në ShBA. Duke e demonstruar forcën me Uashingtonin, ajo mund ta ndihmojë gjithashtu Partinë e saj Demokratike Progresive (DPP) – që është në pushtet – para zgjedhjeve kombëtare të janarit 2024.

Paqartësia, strategjike apo diçka tjetër, shtrihet edhe në anën tajvaneze. Tsai nuk mund të kandidojë përsëri dhe është e pasigurt se kush do ta pasojë atë si presidente ose nëse DPP-ja, që është pro pavarësisë, do të mund të mbajë pushtetin. Kundërshtari kryesor i partisë së saj, Kuomintang (KMT), pretendon se DPP-ja i ka prishur marrëdhëniet me Kinën të cilat premton t’i riparojë.

KMT prej kohësh ka mbajtur qëndrimin se nuk është “pro-Kinë”, por pro paqes dhe prosperitetit – një mesazh tërheqës ky, pas viteve të trazirave Kinë-Tajvan. Nëntorin e kaluar, partia fitoi në zgjedhjet lokale, duke e pushtuar kryeqytetin – Taipei. Megjithatë, vazhdojnë dyshimet për gatishmërinë e partisë për t’i bërë ballë Pekinit. Kur Bideni flet për mbrojtjen e Tajvanit, ai duhet të kuptojë se jo të gjithë duan të mbrohen.

Javën e kaluar kjo ambivalencë u shfaq përsëri në mënyrë dramatike, kur ish-presidenti i Tajvanit, Ma Ying-jeou, u bë figura më e lartë e lidhur me KMT-në që e vizitoi Kinën që nga viti 1949. Ma, që ishte në detyrë nga viti 2008 e deri më 2016, pretendoi se udhëtimi i tij nuk ishte politik, por me sa duket ishte. Një lëvizje e tillë ka implikime pozitive dhe negative për perspektivat zgjedhore të KMT-së.

Ma, i cili dikur tha se “nuk do t’jua kërkonte kurrë amerikanëve që të luftojnë për Tajvanin”, e shpjegoi vizitën e tij me komentet që vetë Xi mund t’i kishte shkruar. “Njerëzit në të dy anët e ngushticës së Tajvanit janë kinezë”, tha Ma. “Ne sinqerisht shpresojmë që të dy palët do të punojnë së bashku, për të ndjekur paqen, për ta shmangur luftën dhe për ta rigjallëruar Kinën”.

Pak njerëz duan luftë. Dhe, komenti që Ma dha se “ne të gjithë jemi kinezë” injoroi faktin se më shumë se 60 për qind e njerëzve të ishullit sot identifikohen vetëm si tajvanezë. Ndërsa, shumica e favorizojnë status quo-në ndaj një deklarate formale të pavarësisë, dhe një shumicë e madhe e kundërshton sundimin nga Pekini. Marrja e pamëshirshme e Hong-Kongut nga Kina e vendosi një precedent të frikshëm. Disa kanë frikë nga tradhtia e KMT-së.

Një editorial në Taipei Times e quajti udhëtimin e Masë si një “hap prapa”. Kjo mundet, paralajmëron gazeta, “të interpretohet se ish-lideri rrezikon legjitimitetin e kombit dhe se përdoret si mjet propagande nga Kina në dëshirën e saj për ta asgjësuar Republikën e Kinës dhe demokracinë e Tajvanit”.

Është e qartë se situata e Tajvanit është më komplekse dhe më e nuancuar sesa thonë të djathtët amerikanë (dhe ish-kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, e cila e mbron furnizimin me armë dhe mbështetjen ushtarake britanike). Është i thjeshtë dhe potencialisht i rrezikshëm Imazhi shpeshherë i supozuar, bardhezi, për një demokraci të vogël që u bashkua për ta kundërshtuar guximshëm tiraninë e madhe.

I rrezikshëm, gjithashtu, është konfuzioni i vazhdueshëm rreth garancive të ShBA-së, qoftë ato reale apo imagjinare. Richard Haass, president i Këshillit të ShBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë, paralajmëroi në një artikull me ndikim – i botuar pak para pushtimit të Ukrainës – se mungesa e “qartësisë strategjike” e Bidenit mund ta çojë Jinpingun, njëjtë si Vladimir Putinin, drejt një llogaritjeje të gabuar fatale.

“Mënyra më e mirë për ta reduktuar rrezikun e luftës do të ishte t’ia bësh të qartë Kinës se ShBA-ja do t’i përgjigjet sulmit kundër Tajvanit, me të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë sanksionet e rënda ekonomike dhe forcën ushtarake. Uashingtoni duhet t’ia bëjë të qartë Pekinit se kostoja e agresionit shumëfish do t’i tejkalojë përfitimet e mundshme”, shkroi Haass.

Zhvendosja amerikane drejt parandalimit duke i treguar dhëmbët, mund të ndihmojë në shmangien e një Ukraine aziatike – dhe kjo është e nevojshme dhe urgjente. Por, kjo nuk do ta zgjidhë enigmën më të gjerë të Tajvanit. Kjo çështje kërkon vizionin politik, maturi dhe mungesë të përfitimeve personale, gjëra këto që mungojnë globalisht këto ditë. /Telegrafi/