LAJMI I FUNDIT:

LR-PDSH: BDI fajtore për shkurtimin e Fondeve IPA aq sa edhe OBRM-PDUKM

LR-PDSH: BDI fajtore për shkurtimin e Fondeve IPA aq sa edhe OBRM-PDUKM

LR-PDSH përmes Departamentit për Integrime Evropiane, në një konferencë për media të mbajtur sot ka folur për sanksionimin që i bëhet Maqedonisë në dështimin e IPA Fondeve, që sipas tyre është shkak për mosrealizim të shumë projekteve, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në vazhdim e keni të plotë tekstin e konferencës për shtyp:


“Ditë më parë në forumin afarist të BE në Paris, Maqedonia u përjashtua nga agjenda e ndihmës për Shtetet e Ballkanit perëndimor, duke mos qenë pjesë e pakos financiare prej afër 150 milionë eurosh ndihme nga BE për zhvillim, energjetikë dhe ekologji.

Rasti i fundit i shkurtimit të IPA fondeve për Maqedoninë me vlerë prej 68 milionë, me të cilën vjen në shprehje dështimi i shumë projekteve ndër të cilat edhe Korridori tetë (8), është po ashtu një sinjal negativ për Qeverinë e RM dhe qytetarët e saj.

BE me këto masa të ashpërsuara financiare ndaj Maqedonisë jep një porosi të qartë për pushtetin VMRO-BDI dhe ua bën me dije qytetarëve të vendit se janë viktimë e politikave shkatërruese të kësaj Qeverie. Kërkojmë, posaçërisht nga votuesit shqiptarë të ndëshkojnë politikën çintegruese të BDI, e cila është po aq fajtor sa OBRM-PDUKM, e që vite me radhë kanë udhëhequr me Ministrinë për integrime evropiane dhe janë po aq përgjegjës për mos menaxhimin efikas të mjeteve të IPA fondeve dhe duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe juridike për sanksionet e BE kundrejt RM.

BDI duhet t’u japë llogari shqiptarëve për manipulimin dhe gënjeshtrën e radhës, se çështjet etnike i kanë lënë në plan të dytë duke u dhënë prioritet integrimeve evropiane. Konstatimi i ynë i përbashkët është se BDI ka dështuar edhe në kërkesat etnike edhe në ato integruese, andaj sa më parë duhet të tërhiqen nga skena politike dhe te mbajnë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre dhe shqiptarëve në përgjithësi”./Telegrafi/