Në Shtetet e Bashkuara janë mbajtur mbrëmë zgjedhjet paraprake në disa distrikte zgjedhore, ndërsa gara që mori më së shumti vëmendje ishte ajo në distriktin e katërt kongresional të shtetit të Kentuckyt.

Kongresisti aktual, Thomas Massie humbi vendin e tij dhe në zgjedhjet e nëntorit për Partinë Republikane do të garojë Ed Gallrein.


Sipas rezultateve të fundit, Gallrein fitoi pak më shumë se 54 për qind të votave në këto paraprake.

Kjo garë u ndoq me interes të madh për shkak të shumës pothuajse të pabesueshme të parave të investuara për rrëzimin e Massiet. Këto paraprake u bënë më të shtrenjtat në historinë e SHBA-së, të paktën kur bëhet fjalë për zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, shkruan theguardian.

Derisa Massie kishte mbledhur disa milionë dollarë kryesisht përmes donacioneve të vogla, Gallrein kishte mbështetjen e grupeve proizraelite në SHBA, të cilat investuan më shumë se 30 milionë dollarë në fitoren e tij.

Grupet si AIPAC dhe organizata të tjera arritën në fund ta rrëzonin Massien për shkak të kundërshtimit të tij publik ndaj luftës së SHBA-së kundër Iranit, si dhe ndaj dërgimit të ndihmës financiare për Izraelin.

Me këtë humbje, Massie do të mbetet jashtë Kongresit për dy vitet e ardhshme, ndërsa duke qenë se ky distrikt konsiderohet shumë konservator, pritet që Gallrein ta fitojë lehtësisht garën e nëntorit kundër kandidates demokrate Melissa Strange.

Në fjalimin ku pranoi humbjen, Massie paralajmëroi se pas dy vitesh mund të rikthehet sërish në betejën për Kongresin, ndërsa disa nga mbështetësit e tij madje kërkuan që ai të përfshihet edhe në garën presidenciale të vitit 2028. /Telegrafi/