LAJMI I FUNDIT:

Lluka premton mbështetje për projektet konkrete të komunave të Ferizajt dhe Lipjanit

Lluka premton mbështetje për projektet konkrete të komunave të Ferizajt dhe Lipjanit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar sot komunat Ferizaj dhe Lipjan me ç’rast ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Ferizajt Agim Aliu dhe atë të Lipjanit, Imri Ahmeti, të cilëve u ka ofruar mbështetjen e Ministrisë që drejton për projektet e tyre në fushën e energjisë, trajtimit të ujërave të zeza, infrastrukturës dhe punësimit.

Pas takimit me kryetarin e Ferizajt, Ministri Lluka tha se janë trajtuar shumë tema që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Komunës së Ferizajt, mirëpo më tepër rëndësi i është kushtuar trajtimit të ujërave të zeza, projekt ky në vlerë rreth 25 milionë euro që do të financohet nga fondet e huaja përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku do të ketë një kontribut Qeveria e Kosovës si dhe Komuna e Ferizajt.


Çështje tjetër që është diskutuar në këtë takim ishte edhe infrastruktura energjetike në vend. “Nëse duam që t’i mbështesim bizneset duhet që t’u sigurojmë furnizim stabil me energji elektrike, e në këtë aspekt duhet të bashkëpunojmë me KEDS, KOSTT sepse duhet t’i rrisim kapacitetet energjetike në Ferizaj, në mënyrë që t’i përkrahim bizneset vendore duke ditur që Komuna e Ferizajt është kontribuuesi i dytë më i madh pas Prishtinës”, tha Lluka.

Sa i përket ndërmarrjeve publike, kreu i MZHE-së tha se ato duhet të subvencionohen që të funksionojnë, mirëpo ato duhet ta dëshmojnë se do të punojnë sipas standardeve më të mira të qeverisjes korporative në mënyrë që këto ndërmarrje të menaxhohen mirë dhe nga këto shërbime të përfitojnë qytetarët.

Nga ana e tij, Kryetar i Ferizajt Agim Aliu tha se Ferizaj është ndër qendrat më të rëndësishme si për nga numri i banorëve po ashtu edhe për nga kapacitetet biznesore që ka, dhe falënderoi Ministrin Lluka për angazhimin dhe gatishmërinë për mbështetjen e projekteve konkrete, ndër të cilat përmendi atë për trajtimin e ujërave të zeza dhe efiçiencës së energjisë.

Aliu tha se nga Ministri ka marrë mbështetje edhe për përmirësimin e kushteve të bizneseve të komunës sa i përket furnizim stabil me energji elektrike.

MZHE mbështet zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Komunën e Lipjanit

Ministri Lluka po sot ka qëndruar edhe në Komunën e Lipjanit, ku është pritur nga I pari i kësaj komune, Imri Ahmeti, me të cilin ka diskutuar  për projektet e përbashkëta që ndërlidhen MZHE-në.

“Ne si MZHE u pajtuam që të shikojmë mundësinë e futjes së Komunës së Lipjanit në rrjetin ngrohjen qendrore të Prishtinës me shtimin e  kapaciteteve të TC “Kosova e Re”. Ne do t’i shumëfishojmë kapacitetet e koogjenerimit që do të thotë që me këto kapacitete ta mbulojmë Fushë Kosovën, Obiliqin e ku do të përfshihet edhe Lipjani”, tha Lluka, duke shtuar se për këtë fillimisht duhet të bëhet një studim i fizibilitetit.

Gjithashtu, në takim u diskutuan edhe mundësitë që MZHE të përfshijë Lipjanin në mbulimin me fibra optik, në kuadër të projektit të digjitalizimit ekonomik të vendit që zhvillohet me Bankën Botërore.

Ndër të tjera, Ministri Lluka ka diskutuar edhe për zonat ekonomike në vend, për mundësinë e zhvillimit të një të tillë edhe në këtë komunë sepse Lipjani ka pozitën strategjike, si zonë afër Aeroportit të Prishtinës, ka një avantazh jashtëzakonisht të madh për investuar, të cilët janë të interesuar të vijnë për të investuar në këtë komunë.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti e vlerësoi takimin me Ministrin Lluka si shumë konstruktiv dhe frytdhënës në angazhimet e përbashkëta. “Projekti kyç për të cilin kemi diskutuar është çështja e studimit të fizibilitetit për çështjen e koogjenerimit që mendojmë se është një nga projektet më të rëndësishme të Lipjanit dhe mbulimi me fibrat optikë që i mungojnë Lipjanit”, tha ai. /Telegrafi/