LAJMI I FUNDIT:

Llogaritë pro-Wagner vazhdojnë të shfaqen në Facebook dhe Instagram edhe pas ndalimit të grupit mercenar nga Meta

Llogaritë pro-Wagner vazhdojnë të shfaqen në Facebook dhe Instagram edhe pas ndalimit të grupit mercenar nga Meta

Sipas një raporti nga ekspertë mbi dezinformimin, një rrjet i dhjetëra llogarive në Facebook dhe Instagram e kanë promovuar grupin e mercenarëve rus Wagner tek qindra mijëra ndjekës, disa muaj pasi Meta ishte zotuar se do të largojë përmbajtjen e cila e glorifikon grupin.

Studimi zbuloi se mbi 110 llogari pro-Wagner operojnë në dhjetëra gjuhë nëpër platformat e Meta-s. Shumica e postimeve bëjnë thirrje për rekrutë, përfshijnë imazhe me dhunë ose shprehin lëvdata për një grup të cilin administrata e Biden e ka etiketuar si një organizatë kriminale transnacionale.


Edhe pse nuk kishte prova kredibile të cilat llogaritë e rrjeteve sociale i lidhin direkt me grupin Wagner, shumica e tyre të paktën janë paraqitur si kjo organizatë, tha Instituti për Dialog Strategjik (ISD) me bazë në Londër, institut ky i cili të enjten e publikoi raportin. Edhe nëse llogaritë nuk janë direkt të lidhura me grupin Wagner, deklaroi ISD, përmbajtja të cilën ato e kanë krijuar ende ka të ngjarë të shkelë kushtet e Meta-s, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

Këmbëngulja e dukshme e përmbajtjes pro-Wagner në platformat e Meta-s nënvizon se si grupi ushtarak privat i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin – ose ndoshta admiruesit e organizatës – ka qenë në gjendje të anashkalojë një politikë Meta të krijuar për të luftuar të ashtuquajturat “organizata të rrezikshme”.

Algoritmet e Meta-s gjithashtu duket se kanë rekomanduar faqe dhe grupe pro-Wagner tek studiuesit e ISD teksa ata ishin duke e kryer studimin, thuhet në raport, duke ngritur pyetje rreth aftësisë së kompanisë për të mbajtur larg përdoruesit nga zbulimi i materialit i cili glorifikon grupin.

Në një deklaratë të bërë të enjten, Meta tha se po vlerëson llogaritë e theksuara në raport dhe se grupi Wagner “nuk lejohet të ketë një prani në platformat tona dhe ne heqim rregullisht asetet kur identifikojmë ato me lidhje të qarta me organizatën”. /Telegrafi/