LAJMI I FUNDIT:

Lladrovci për hapjen e urës së Ibrit: Mos provokoni situata që nuk mund t’i qeverisni

Lladrovci për hapjen e urës së Ibrit: Mos provokoni situata që nuk mund t’i qeverisni

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci është përfshirë në debatin e fundit që po bëhet mbi hapjen e urës së Ibrit.

I pari i Drenasit, në reagimin e tij thotë se loja me durimin e ndërkombëtarëve i kushton Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Ura e Mitrovicës, është simbol i dhimbshëm në shtatin e Kosovës shtet. U vu nga forca madhore, forcë e cila na ndihmoi ta kemi shtetin me 10.905 kilometra katror, të njohur me më shumë se 115 shtete. Loja me durimin e ndërkombëtarëve i kushton shtetit dhe kjo nuk duhet të bëhet nga kushdo që ia do të mirën Kosovës”, thotë ai në reagimin e bërë në Facebook.


Më tej, ai ka pohuar se zgjedhjet shkojnë e vijnë, dhe se nuk duhet provokuar situata.

“Zgjedhjet shkojnë e vinë, por, betonimin e urës si shenjë e ndarjes, në çfarëdo rasti do të garantohej nga forcat e KFOR-it. Ura për këmbësor, sot është e lirë. Kjo “trimëri” nuk i ka hije asnjë lideri që e mendon të tashmen e të ardhmen e Republikës së Kosovës. Kësaj situate më së miri i shkon fjala e urtë “tu mundu me ia ndreq vetullat, ia nxjerr sytë”. Patriotizmi i vonuar dhe “gjyksat” në këtë kohë, bëjnë dëm. Mos provokoni situata që nuk mund t’i qeverisni. Pa aleatët, nuk do të arrinim deri këtu, kujdes”, shton Lladrovci.

Ndryshe, hapja e urës së Ibrit po vazhdon të kundërshtohet nga vendet e QUINT-it, ndërsa Qeveria e Kosovës ka qëndrimin se ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt. /Telegrafi/