LAJMI I FUNDIT:

Liria individuale

Liria individuale

Besimi dhe dashuria janë elemente të veçanta. Këto dy elemente kur bëhen bashkë japin një komunikim të drejtpërdrejtë me inteligjencën e njeriut


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Në thelbin e përvojës, sendet që i shohim dhe i prekim afrojnë diçka, ama nuk na japin ide të reja, nuk na japin liri. Liria vjen nga materia e pazbuluar e papërpunuar. Nuk mund të pranoj mendime në kokën time. Mendimet e mia nuk vijnë nga unë, ato herë pas here arrijnë pa dashjen time dhe shpesh ikin po ashtu.

Njeriu lind i lirë, është pjesë e familjes, bëhet pjesë e shoqërisë, pjesë e botës, pjesë e të tjerëve. Ai edukohet, arsimohet në bazë të traditës dhe në bazë të mundësive të ngritjes familjare, si qenie sociale. Shumica e njerëzve që në fillim dorëzohen. Një kategori e vogël që e marrin lirinë nga shoqëria, bëhet me miratimin e të tjerëve. Ajo jepet me një çmim shumë të lartë. Liri absolute nuk ka. Njeriu duhet t’u përshtatet besimit, natyrës, ligjit.

Njeriu nga natyra është i etur, i pangopur, është i fshehur nga realiteti. Liria bëhet gënjeshtër, sepse varet nga të tjerët. Njeriu kërkon nga të tjerët të bëhet i pasur, të bëhet i ditur. Liria e tij është e prangosur, nuk arrin të shikojë realitetin. Qëllimi, ideja janë liria. Psikologjia i shërben shoqërisë. Psikiatri vazhdon me të gjitha mënyrat të detyrojë që të përshtatesh me shoqërinë, sepse ai i shërben shoqërisë, edhe feja i shërben shoqërisë. Por këta të japin liri sa ata duan të të japin. Shumë pak, aq sa ata mendojnë për ty se je një shërbëtor i tyre, je skllav. Kjo liri është e mbrapshtë, kjo nuk është liri. Politika, psikologjia, kultura, arsimi i shërbejnë shoqërisë. Gjithashtu edhe fetë: krishterimi, islami budizmi dhe besimet tjera sillen në mbrojtje të shoqërisë. Ato predikojnë lirinë alternative. Edhe këto ta kushtëzojnë lirinë. Të tjerët e dinë se çfarë lirie të duhet ty. Fetë, predikuesit mendojnë për ty. Do të thotë, shoqëria dhe feja janë në garë, në konkurrencë me njëra-tjetrën. Po ashtu edhe feja përpiqet të bindë të bëjë për vete sa më shumë njerëz, gjithnjë t’i ketë nën kontroll. Këta mundohen të ta japin atë që ata mendojnë për ty. Ata mendojnë se janë më të zotët dhe se ata janë të dërguarit të shpërndajnë drejtësi në emër të Zotit. Shoqëria dhe përfaqësuesit e fesë janë shumë tinëzare. Të japin liri sa ata duan, këta ta thithin nektarin e kësaj bote.

Qeveritë, por edhe krijuesit, krijuan formula të ndryshme për të manipuluar me shumicën në këtë botë. Predikuesit kanë shpikur formula të ndryshme në emër të besimit. Ata të bindin se kjo jetë është kalimtare, se jeta në amshim është e përjetshme dhe se duhet të nënshtroheni për lirinë tuaj në këtë botë. Kjo është një fasadë, të tjerët kujdesen për ne. Ata luten për ne, ata luten për lirinë tonë, luten për lumturinë tonë. Por, shtrohet pyetja: A mundet njeriu t’i ikë shoqërisë dhe fesë? Jo, ajo është kudo/ngado, jo, jo ti nuk mund t’i ikësh, ti nuk mund të ndryshosh asgjë, ti je model i prindërve, model i traditës. Kjo është shqetësuese si për prindërit, ashtu edhe për fëmijët, edhe për shoqërinë, por edhe për predikuesit e feve.

Njeriu që është i zgjuar, është talent, ka dituri dhe dituria e tij është produkt i zgjidhjes së tij, është produkt i vetmisë së tij, por duhet të ketë më shumë kujdes, sepse vlerat e një krijuesi janë shumë të dobishme, por edhe shumë të rrezikshme. Njeriu që e ka formuar veten, që mundohet të depërtojë në brendinë e vet, në oazën e vet është perandor. Ai nuk lejon t’ia prishë lumturinë askush, sepse njeriut të tillë nuk i mungon asgjë nga kjo botë. Atij nuk i duhet asgjë, ai i arrin të gjitha ato që do, ai arrin të përshtatet, të transformohet sipas arsyes. Këtu qëndron bukuria e kësaj bote. Njeriu që arrin të ballafaqohet me vetveten, është i zgjedhuri, është vetvetja. Duke zbuluar vetveten, ti ke gjetur Zotin, tashmë ke besimin tënd, tashmë ti je dikush.

Njeriu në këtë botë vjen vetëm, por edhe shkon nga kjo botë vetëm. Kjo jetë është një luftë, një luftë për t’i përballuar kërkesat, ankesat, problemet, krizat. Mirëpo nëse nuk arrin ta shijosh jetën, ta materializosh dhe të bësh llogari, ti je i mangët. Ai person që ka arritur ta shijojë, ai ka arritur edhe ta materializojë, por nëse ne nuk kemi bërë llogari i japim të drejtë vetes për dështim.

I vetmuar do të thotë se ty dikush të mungon, se je i frikësuar. Kuptimi i asaj që të jesh vetëm është krejtësisht tjetër. Ty nuk të mungon asgjë dhe kjo do të thotë se ke gjetur veten tënde, ke gjetur lirinë në brendinë tënde dhe ti tashmë je në rrugë të drejtë. Duke e zbuluar veten, njeriu e gjen kuptimin e jetës, rëndësinë e saj, madhështinë e jetës. Ta zbulosh veten është gjetja më e madhe në jetën e njeriut dhe kjo gjetje është e mundur vetëm nëse ti je vetëm me vetveten.

Ta harrosh veten është mëkat, kurse të punosh, të interesohesh për veten është virtyti i vetëm. Sa më shumë e vlerëson, aq më shumë vlen, sa më shumë kujdesesh aq më i mirë je. Ti mund të jesh i ditur, mund të jesh krijues, por në momentin kur e harron veten nuk je i vërteti. Çasti kur e kujton veten, ti e shijon atë, ti e drejton atë, ti e mban timonin e vetvetes. Atëherë mos harro cili je, kujtoje më shpesh veten tënde. Ti je qenie njerëzore, nuk e sheh brendinë tënde, ti sheh jashtë, ndeshesh me vetveten, arrin të kujtohesh se cili je dhe kupton se je pjesë e lojës, që duhet luajtur.

Duhet luajtur rolin që e ke trashëguar, me të gjitha vuajtjet, shqetësimet. Jeta është një film-teatër, me shumë aktorë dhe me shumë role të ndryshme. Të gjithë luajnë rolet e veta sa më mirë, që në fund të marrin shpërblim, ose ndëshkimin. Bëhu vetvetja, përqendrohu në vetminë tënde. Ajo duhet të jetë e pastër, që të mos ndërhyjë asnjë ndjenjë, ajo nuk është diçka që vjen nga jashtë, ajo vjen nga brenda, ajo rritet, shumëzohet brenda teje. Ta harrosh veten është mëkat, ta kujtosh veten është tërë bukuria, është aroma e jetës. Nga ti nuk kërkohet asgjë, pos të kesh interesim, kujdes dhe besim të fortë te vetja. etj.

/Telegrafi/