LAJMI I FUNDIT:

Libri për dhimbjen e trishtimin

Libri për dhimbjen e trishtimin

Arben Jaupaj

Rreth romanit “Lulet e skajbotës” të Namik Dokles…

Romani “Lulet e skajbotës” është cilësuar nga kritika si vazhdim i romanit “Vajzat e mjegullës”, pjesë tashmë e një distiku, duke ndjellë hamendësime, urime nga ata që i kanë lexuar, për një roman të tretë në vazhdim.

“Lulet e skajbotës” është një libër artistik jo shumë voluminoz, por i ngjeshur në ngjarje, personazhe, mesazhe, me disa linja që gërshetohen me njëra-tjetrën sikundër ditët dhe vitet pasojnë njëra-tjetrën, ashtu si koha rrjedh jashtë dhe brenda nesh. Autori ia kushton narrativën Gorës, vendlindjes së tij, origjina e së cilës humbet në mjegullën ballkanase, një grumbulli fshatrash malore, një pjesë e të cilave gjenden jashtë kufirit shtetëror, në verilindje të vendit. Një histori e bjeshkëve tona, atje ku realiteti dhe mitologjia ende takohen, ku vendasit dhe ardhacakët gjithmonë bashkohen. “Bjeshkë ne, bjeshkë ju, a i bashkojmë?”, i drejtohet i pari i Skurajve të parit të Kallabakëve, kur shkon t’i kërkojë dorën e vajzës për djalin.

Në faqet e librit gjejmë legjendën e obruçit, me rrezikun e përhershëm të shpërthimit, me të cilën është lidhur historia e fshatit, gjejmë rrëfenja e mite, djaj e shenjtorë, ura që ngrihen dhe rrëzohen, zana dhe lule, shenja dhe proverba, këngë e livadhe, shelgje dhe tinguj violine, intriga dhe pendesa, kujtime të përgjakshme, perandorë dhe atentate, dhimbje dhe vdekje, braktisje dhe dashuri, por mbi të gjitha gjejmë dashuri.

Ndoshta, kush e ka lexuar mund të mëdyshet, sepse “Lulet e skajbotës” është roman që ka shumë dhimbje dhe trishtim, dhe një fund aspak të lumtur, bile do ta quaja një roman pa fund, i papërfunduar.

Njomza, vajza e vogël e Lula Karpes, nuk gjendet; Andrin Skuraj nuk i jep zgjidhje hasmërisë; Petrit Kallabaku bashkohet dhe ndahet me Drenën; Mirjet Xhiritlia nuk e realizon dashurinë e tij, Ismen Kallabaku e dorëzon në gjallje kutinë e duhanit që trashëgohej në fshat, amanetin e ikjes nga vdekja drejt jetës. Për të mos harruar trokitjen e vdekjes në fshat me arkë – mortin e gabuar, në fillim të librit, ku autori e grish lexuesin të jetë pjesë e vazhdimit.

“Lulet e skajbotës” janë lulet e botës, lulet e botës sonë, shumëkush prej nesh ruan në dollapët e kujtesës lulet e bardha të dashurisë. Romani është një arritje jo vetëm për ndjesitë dhe emocionet që përcjell, por është nga të paktët krijime letrare që fokusohet në realitetin e sotëm social duke përforcuar mendimin se tematika e sotme duhet të lëvrohet më tepër, jo për t’i ikur kujtesës historike, por për të shpëtuar të tashmen, të ardhmen. Libri i shkrimtarit është një ftesë për këtë.

Trokitja e gabuar e arkëmortit në fshatin malor dhe hapja e gropës në mal, “gropës së vdekjes”, janë simbol i hapit të gabuar si e nisi tranzicionin e gjithë shoqëria jonë. Rrjedhoja: braktisja hemorragjike.

“Ikin… ikin… ikin të gjithë, vajzat dhe djemtë, burrat dhe fëmijët, këputen yllzit e lodhur dhe lënë pas vetes një boshllëk të humnertë. Është zbrazur Gora si gjoksi im i mjeruar. Edhe dielli po vajton, e rrezja e tij ka frikë të përbirohet nëpër dritaret e taposura, nëpër portat me ferra e në rrugët që po vyshken…”, këto janë fjalët në gojën e njërit prej personazheve kryesore të librit. Ikja nga varfëria në kufirin e mjerimit, korrupsionit, panikut, ikja kaotike, ikja në panik. “Na ra murtaja e bardhë e braktisjes”, mendon Mirjet Xhiritlia, kur nga fshati, për 40 ditë, ishin larguar 56 familje dhe vazhdon: “Ka filluar gjëma e madhe e ferrave brenda oborreve, pastaj do futet edhe brenda shtëpive, dhe në fund edhe në gjakun tonë. Mirë të gjallët, po të vdekurit kujt do t’ia lëmë?!”. Ikja dhe braktisja masive është tema qendrore e romanit, është mallkimi i Ismenit, i Gorës, i autorit dhe i lexuesit.

Në kronikën e jetës së fshatit spikatin familjet Kallabaku, Xhimshiti, Skuraj, Karpa etj., të gjithë të realizuar mjeshtërisht, me gjeste, fjalë, proverba, shprehje, tablo, stil, frymë, alegori etj. Alegoria është mbizotëruese, e ndihmuar nga një leksik në kufijtë e një glosari: e zimtuar, zharriti, rrahiti, shpërkeq, perishan, orëngrimë e orëdekun, kimke, tif, kjostra, hupajkë, hallajkë etj. Nuk mungojnë simbolet, anaforat, oksimoronet e kthyera në shprehje metaforike, si: “Eh, ç’ujë kanë ato kroje… e ëmbëltojnë dhe helmin e gjarprit”. Kolorit kanë dhe figurat negative, hajduti i koteceve që u bë deputet dhe shkaktar i hapjes së gropës së vdekjes, Çopur Çabraku (ç-ja mohuese), partizani Rako, i cili përgjon, dëgjon, zhbiron, raporton, këndon, bërtet, hingëllin, kakaris”; kapter Kurtishi, figura groteske e hoxhës: “Rroftë hoxha!”.

Në jetën e fshatit nuk mungojnë personazhet me hije në jetën e tyre, si Hasime Xhimshiti dhe Arif Karpa. Nuk mjaftojnë faqet e një libri për zhbirimet shpirtërore të një njeriu e jo të një fshati, sado i vogël. Në skajbotën e autorit, Hasimeja dhe Arifi nuk vuajnë dilemat, por ndëshkimin. Metafizika e tyre është skajshmërisht e largët. Tek e para, pena e shkrimtarit nuk e lejon lexuesin të pushojë, por e tërheq nga përshkrimi në përjetimin e tablove. Momenti i pushkatimit të partizanes me emrin “Vajza e lirisë” është, veçanërisht, i punuar: “Ç’kanë malet kështu? Ka nisur të kuqëlojë gjaku i qelbëzuar i agimit. Dhe ajri po dridhet nga vuajtjet, qoshet e shtëpive po zgjasin kokën mbi rrugicat e ngushta dhe çuditen për këtë mëngjes të përhimët. Edhe këndesat sikur janë sëmurë në fyt dhe nuk këndojnë, por çirren”.

Hasimeja është personazh mjaft kompleks, ajo nuk krahasohet me Arif Karpën, tek i cili pena e autorit kursehet, por Arifi është personazhi më tragjik i romanit, ani pse në periferi, paraliza, dashuria e munguar e Lulës dhe humbja e vajzës. Xhaketa me dekorata e Hasimesë, që flaket bashkë me sëpatën e krimit në familje, ligësia njerëzore dhe jo ironia e fatit që goditi Petrit Kallabakun dhe motrën e tij Jetmirën, kujtimet e Andrinit, fletoret e shënimeve të Mirjetit etj., janë fijet që endin rrjetën e hidhërimit të Ismen Kallabakut. Dashuria, thotë Ismeni, është jeta; vendlindja është jeta; familja është jeta, por “kjo kohë po i vret… koha edhe ne që s’bëjmë sa duhet…”.

I goditur nga fati i nipit, Andrinit, djalit të motrës Nurzije (një tjetër oksimoron i autorit), Ismeni, njeriu që kishte parë, çfarë s’kishte parë në jetë, u godit nga një kanun i ringjallur kokëposhtë. Kumtuesi i dashurisë e dorëzon kutinë e duhanit në gjallje, koha ndalon në roman: ikja s’është më shpresë dhe ardhja jo gëzim. Libri s’ka fund, por autori grish, grish lexuesin dhe kumton: “Mos ikni! Ikja nga rrënjët sjell vdekje dhe jo dashuri”.