LAJMI I FUNDIT:

Liberalizimi i vizave në fillim të vitit 2023 – takimi i 13 tetorit mund të sjellë vetëm vendim pozitiv

Liberalizimi i vizave në fillim të vitit 2023 – takimi i 13 tetorit mund të sjellë vetëm vendim pozitiv

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të diskutohet në takimin e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do të mblidhet më 13 tetor të këtij viti.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë. E në kuadër të kësaj është bërë e ditur se gjatë kësaj jave në Kosovë do të jetë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se çfarëdo vendimi që merret më 13 tetor, nuk nënkupton që menjëherë mund të liberalizohen vizat.

“Është raportuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën me datën 13 tetor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, por mos të harrojmë se ky është një takim informal në Luksemburg që mbahet, vendimet që merren aty duhet të procedohen me çështje teknike. Çfarëdo vendimi që merret me 13 tetor nuk është që menjëherë mund të liberalizohen vizat”, tha Arifi.

Dritëro Arifi, profesor i marrdhënieve ndërkombëtare

Sipas Arifit janë disa procedura në këtë drejtim që mund të zgjasin 2-3 muaj.

“Ka procedura që mund të zgjasin 2 deri në 3 muaj, duhet që ambasadorët të votojnë, të shkoj në Parlament, të votohet prapë në Komitetin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, të kthehet prapë në Këshill, janë shumë procedura mirëpo derisa nuk ka zyrtare nuk mund të specifikojmë diçka konkrete”, u shpreh Arifi.

I pyetur se sa janë gjasat që brenda këtij viti t’i hiqen vizat kosovarëve, profesori Arifi theksoi se nëse e analizojmë momentumin politik mund të themi që ka sinjale jashtëzakonisht pozitive që Kosovës mund t’i liberalizohen vizat, mirëpo kjo varet nga shpejtësia e punës së Këshillit të Ministrave në koordinim me Parlamentin Evropian.

“Çfarëdo vendimi që merret në muajt në vazhdim deri sa të hyn në gazetë zyrtare i duhen afërsisht një muaj, brenda këtij viti mund të merret vetëm vendimi pozitiv, ndërsa liberalizimi mund të ndodh në vitin e ardhshëm”, tha Arifi.

Në anën tjetër drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë për Telegrafin, se futja në rend dite të çështjes së liberalizimit të vizave në takimin e 13 tetorit, është hapi i parë për rinisjen e procedurës vendimmarrëse.

“Tani më është konfirmuar nga presidenca çeke e BE-së që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend ditë të grupeve punuese të Këshillit të BE-së. Ky është hapi i parë për rinisjen e procedurës vendimmarrëse për të mundësuar liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Shasha.

Shasha ka shtuar se për të mundësuar liberalizimin e vizave për Kosovën ligjërisht BE-ja duhet të miratoj plotësim ndryshimin e Rregullores 2018/1806 të BE-së e cila përcakton se cilat shtetet mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK

“Për të ndryshuar rregullorja ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian. Në skenarin më optimist të mundshëm kjo procedurë vendimmarrjeje institucionale mund të konsumohet gjatë këtij viti – gjë që do lejonte që në pjesën e parë të vitit 2023 qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, u shpreh për Telegrafin, drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.

Duke diskutuar rreth mundësisë që liberalizimi i vizave mund të jetë “kompromis” për ndonjë marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare u shpreh se kjo praktikë ishte para se në Ukrainë të niste invazioni rus.

“Liberalizimi i vizave është e vërtetë që para luftës në Ukrainë ka qenë si një kusht që të ketë përparim në dialog. Pas shkurtit të vitit 2022 ky kusht nuk besoj që mund të jetë më kompromis për Kosovën, sepse BE-ja me liberalizimin e vizave për Kosovën po dëshiron të imponohet si lojtare e fuqishme në skenën politike në Ballkanin Perëndimor. Dëshiron të qoj mesazh se BE-ja është e gatshme të bashkëpunoj dhe ta zhvilloj më tutje politikën e zgjerimit karshi Ballkanit Perëndimor. Liberalizimi i vizave nuk do të lidhet kësaj radhe me dialogun pavarësisht rezultatit që do të sjellin muajt në vazhdim”, tha Arifi.

E për drejtorin e Institutit EPIK, procesi i liberalizimit dhe dialogu janë dy procese të ndara.

“Zyrtarisht këto dy procese – liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë – janë dy procese të ndara. Sidoqoftë patjetër se dialogu është pjesë e konsideratave diplomatike dhe politike të vendeve anëtare të BE-së kur bëhet fjalë për procesin integrues qoftë të Kosovës, qoftë të Serbisë”, tha Shasha.

Ditë më parë në një intervistë për Telegrafin, edhe eurodeputeti Lukas Mandl tha se liberalizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës, pasi ka kohë që janë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

Ai shtoi se vlerëson shumë durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë, për tërë këtë pritje që të udhëtojnë pa viza drejt Evropës.

“Unë jam duke punuar shumë në këtë çështje por ka edhe kolegë nga vende të ndryshme evropiane që janë duke punuar po ashtu shumë në këtë drejtim. Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberalizimin e vizave e meritojnë populli i Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, u shpreh ai.

“Shkallët” deri te liberalizimi i vizave

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.

Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave Kosova ka arritur deri në të 4-tën.

1. Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:

5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

13. Liberalizimi hyn në fuqi.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori