LAJMI I FUNDIT:

Lezja siç (nuk) e njohim

Lezja siç (nuk) e njohim

Aktorja e njohur Leze Spaçi- Qena mëse gjysmë decenie është një nga emrat e talentuar të teatrit dhe filmit, ku gjatë jetës së saj artistike ajo ka interpretuar me dhjetëra role. Jeta artistike e aktores së njohur që në fillimet e saj njohu suksesin, ndërsa vlerësimi i regjisorëve nuk mungoi të cilët i besuan role nga më të ndryshmet.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

E lindur në Prizren më 1 mars 1935, Lezja qysh në fëmijëri ka treguar një talent të rrallë për artin skenik dhe atë filmik, por ka edhe një afinitet për role komike. Ajo, ka luajtur në disa seri dhe shfaqje, sikurse është, po e zëmë, “Ditari i Lec Pazhecit”, “I ikuri”, “Shkolla e fshatit”, “Qesh e ngjesh”, etj., “Macja mbi çatinë e nxehtë”, deri tek “Familja…”.
Lezja, moderne, ose gjyshja e ekranit tonë, për asnjë çast nuk largohet nga arti dhe aktrimi virtuoz.

Shtatëdhjetetetë vjet jetë, a ju duken sikur të ishin shtatëdhjetetetë sekonda?
Po, ashtu siç po thua. Shtatëdhjetetetë vjet jetë, sikur të ishin shtatëdhjetetetë sekonda. Jeta, duket se po fluturon. Por, jeta ime ka qene interesante dhe plot jetë, art e gjithfarë sfidash. Që të jem e sinqertë, jam e realizuar dhe mezi po pres të shkoj tek Xhevati (v.j. aktori i ndjerë, Xhevat Qena, bashkëshorti i jetës dhe shoku i skenës)…

Megjithatë shumë veprimtari brenda shtatëdhjetetetë sekondave?
Unë jam shumë e parehatshme, nuk di të rri. Nuk më zë vendi vend. Kam qenë gjithmonë aktive, në lëvizje dhe kjo ka bërë që të jem vitale, madje të më quajnë dhe Gjyshja lazdrane. Kemi punuar shumë, kemi mbetur net të tëra pa gjumë. Artisti nuk ka moshë, ka ndjenja dhe ndjenjat ende më thonë të vazhdoj. I lutem Zotit që është familja dhe unë ndjehem aty sikur në shtëpi, nuk di çka kisha bërë, nuk mundem të rri në një vend, pa punu…pa aktru…

Është fat që e keni arritur këtë moshë të pjekurisë?
Po….ashtu është. Jam e lumtur që kam arritur të hy në moshën e pleqërisë. Dritëro Agolli, me të drejtë thoshte: “Jetoj, d.m.th., plakem, plakem, d,m,th., jetoj”.
Unë, vazhdoj të jetoj dhe të aktroj.

Si ndjeheni kur iu thërrasin gjyshe; shumica dërmuese ju quan plakë zonjë, madje, madje, dikush ju quan zonja e lazdruar?
Unë hiç nuk hidhërohem, sido që të më quajnë, unë i pranoj me kënaqësinë më të madhe. Si gjyshe jam shumë e lumtur, sepse unë s’kam pasë as gjysh e as gjyshe, as nga nëna e as nga babai, sepse ata janë rritur jetimë, kështuqë unë kam arritur të bëhem gjyshe. Kjo për mua është një lezet i madh.Ju identifikoheni me “Familjen moderne”, të themi ju ishit strumbullari, boshti i kësaj serie dhe vërtet, mendoj, se ndiheshit si një familje. Ju mbetej barra juve që ta mbanit nën kontroll…
Po, ashtu është. Çdo familje pa një kryefamiljar, nuk bën. Te ne, ende respektohet tradita, atëherë me të vërtetë unë isha shtylla e kësaj familjeje moderne. Më respektojnë… shumë i dua dhe më duan.

Kjo reflektohej edhe në vetë serialin, çka ndodh me Lezen prapa kuintave?
Po, ashtu si në seri, ashtu edhe në jetë. Lezja e vërtetë.

Ju vini nga një mjedis ku ka traditë aktrimi, psh. Katarina Josipi-Kati, kemi edhe pena të shquara prej Bogdanit, Pashkut e deri te Gjeqovi, etj. A mund të thuhet se kjo ka reflektim me anët tjetër të atdheut, madje thuhet se edhe Skënderbeu ka lindë pikërisht në këtë anë?
Zymi, Hasi janë një trevë artistësh dhe këtë nuk di ta shpjegoj. Ndoshta, ajri, konfiguracioni, tradita, nënqielli, apo të gjitha bashkë. Jam krenare që i përkas këtij ambienti artistësh të mëdhenj. Madje, unë kam qenë më e vogla, edhe me trup. Kur kam provuar të bëhem aktore, më kanë thënë, “po ti do të humbasësh në skenë…”

Ju e keni njohur personalisht Katin.
Katin?! O Zot. Unë e kisha dhënë jetën time për Katin, me jetue ajo, e unë me shkue. Kati ishte një fenomen, ishte artiste e madhe. Unë mburrem që e kam njohur dhe kam aktruar me të. Jam krenare, poashtu që mbaj unazën e Katit si shpërblim nga manifestimi “Takimet e Gjeçovit”. Kati është e pazëvendësueshme.

Ketë e keni deklaruar edhe me rastin e marrjes së "Unazës së Katit"?
Po, Katin është gjynah që nuk e kanë parë gjeneratat e reja, atëherë sa pat filluar televizioni. Kati jetoi e shkoi pa u regjistrua, pa e pa sot opinioni se kush ka qenë ajo. Një aktore që kanë dashtë me e vra në skenë dikush prej publikut kur e ka interpretuar rolin e Njerkës, aq bindëse…Ajo ka qenë e lindur, ka qenë fenomen i skenës. Skena jonë është shumë e varfër pa të.

Pse thuhet se artistët janë fatkeq dhe tragjik?
Fati i Katit ka qenë vërtetë tragjik. Por, edhe i shumë artisteve të tjera. Kështu, qenka, nuk di si të shpjegohet kjo! Ajo e meritonte lavdinë e përbotshme.

Mos ka ndodh që rolet i ka pasur të tilla…?
Jo, ajo ka interpretuar edhe nëpër komedi. Ka qenë një figurë e çuditshme, e luante vajzën, jevgën, zonjën, plakën…në mënyrë brilante. Kati nuk bën nëna më, ishte njëshi i skenës sonë sot e tërë ditën, ka mbetur e patejkalueshme, e paarritshme.

Është një ndjenjë e këndshme kur kolegët flasin mirë për artistët.
E gjithë gjenerata e kemi dashur, sepse, ashtu ka qenë edhe Meribane Shala, por mjerisht edhe ajo iku..

Kur shpërtheu talenti për aktrim, kush iu ka zbuluar, si ndodhi që mos të bëheni mësuese, por aktore?
Po, e kemi pasur një regjisor dhe drejtor të teatrit amator në Prizren. Ai vinte, më shihte dhe më thoshte: ti duhet të shkosh në teatër. Teatrit i duhesh Ti. Unë thosha ti po tallesh me mua, se për aktore duhet të jesh e madhe, e gjatë, e bukur…alla Sofia Loren, për mua atëherë.

Dëshira juaj ishte të bëhesh mësuese.
Dëshira ime ishte të bëhesha balerinë, por kushtet ishin të tilla që m’u deshtë të shkoja për mësuese. Tamam i rregullova dokumentet për mësuese, më erdhi ftesa për audicion. I kam shqye ato dokumente dhe shkova në teatrin amator dhe iu kam thënë se dikush po tallet me mua, por vendosa ta provoj. Ma dhanë një monolog, disa pyetje që m’i bënë ata të komisionit, i dija. Kur erdhi koha për të recituar vjershën… unë e harrova, as titulli s’më kujtohej. Fillova të qaj, më erdhi në mendje një vjershë e rinisë dhe e thashë. Me këtë vjershë edhe kam fituar audicionin dhe kam filluar aktrimin deri me sot.

Ka një shpjegim interesant për martesën tuaj me Xhevatin, poashtu aktor i njohur. Na shpjegoni pak më ne detaje?
Eh, ai më thoshte se duhet me iu falënderua Foto Neshës në Prizren. Unë aty isha fotografuar dhe Xhevati është dashuruar në fotografi. Njeri mashtrohet, hehhee.
Xhevati ka qenë me një shok dhe i thotë: “Kjo ka me qenë e imja”. Dhe, Xhevati, ka qenë shumë i sigurt që unë do të jem e tij.
Të nesërmen ai ka qenë në turne me teatrin dhe, rastësisht kur më ka pa rrugës, ka thënë: “ Ja kjo e fotografisë…”. Ai ndalet, më flet, rastësisht pastaj jemi takuar pas dy netëve, pas shfaqjes. Pastaj, në rolin e parë që e kam interpretuar, kam qenë dashnorja e tij. Ai mirë e ka ndie se unë do të jem e tij…

Një profeci…
Shumë ka pasur parandjenja. Kur thoshte ka me u ba kështu, ashtu bëhej…Edhe, kështu mbetëm bashkë.

Mbetët dashnorë sikur në skenë…
Ashtu kemi mbetur, edhe në shtëpi, si dashnorë. Këtë e them, edhe tash pas 10 vjetësh së ikjes së tij në amshim. Xhevati është shuar me 25 mars 2003, por për mua ai është i gjallë, në kujtime, në mendje dhe zemër.

I përkisni një gjenerate të artë.
Me modesti e pranojmë faktin se ajo gjeneratë e artë…vërtetë ishte e artë. Nuk e di pse ndodh kështu, këto fenomene…por, vërtetë kemi qenë një kolektiv shumë serioz dhe të miqësuar e të padjallëzuar. Kemi ditur vetëm të punojmë, të sakrifikohemi për teatrin, të cilin e kishim jetë të vërtetë.
Me kohë, gjeneratës së tashme, ndoshta nuk i pëlqen ato që neve na ka pëlqyer. Tash janë krejt tekste të tjera, moderne. Sigurisht se edhe tashti ka shume talente dhe artistë të mrekullueshëm, por disi, po më duket mua se, në teatër ka më tepër se sa duhet, nëse mund të them pornografi filmike? Atëherë edhe një përqafim ka qenë i tepërt, banal.

Nëse po u lexoj mendimin, ju po doni të thuani se sot ka artistë individualistë të mirë, e atëherë krejt kolektivi ka qenë i mirë…
Po, ne atëherë kemi qenë edhe më pak, tash ka më shumë aktorë. Tash nuk i jepet rasti çdo aktori me luajt. Atëherë një aktor është dashtë me luajt 2-3 role brenda një shfaqjeje.

Jeni shumë modeste, jeni popullore shumë, madje krijoni situata të këndshme me mahitë e ndryshme…
Më duket se e kemi edhe traditë familjare. Babain e kam pasur, njëfarë humoristi. S’ka shtëpi pa një humorist. Vëllai ka qenë i njohur edhe më gjerë, gjyshin e kam pasur, gjithashtu, me talent të madh. Edhe vet Prizreni është ashtu, ai nënqiell ka qenë dhe ka mbetur plot talent.

Ju nuk keni monotoni. Jetën nuk e keni barrë, përkundrazi…
Jeta është shumë e shkurtër, krejt jeta është lojë, bota është një teatër i madh, kurse ne jemi aktorë të vegjël. Jeta, nganjëherë di të tallet me ne, qe jemi mbi dhe. Zaten, jeta është një shaka, atë punë e ka…
Jetën duhet me e ditë ta luash, kush din ta luajë, fiton, kush nuk di, mbaron…
Unë për vete, gjithmonë jam e lumtur.

Ku e keni gjetur veten më shumë, në teatër apo në film?
Në teatër, sepse të interpretosh para 500 vetëve duhet fort me u mat se çka flet, ndërsa në film është e kundërta, mund të përsëritet roli deri sa të dal i realizuar…Tash që jam plakur, disi më duket se rinia ka ikur shumë shpejtë.

A ke dëshirë, që së paku jetës me ia heqë 10 vjet…?
Të kisha pasë atë njeriun tim të dashur, Xhevatin, jo 10, por edhe kaq sa kam jetue, i kisha kthye. Tash, unë veç e kam rrethin tim të mirë dhe jetoj vetëm nga dashuria e publikut dhe miqve, se përndryshe s’më ka mbetur tjetër. Nuk ke për çka. Partnerin tim që ia kam qelë zemrën se kam më, prandaj më mungon shumë.

Megjithatë, gjithmonë gjithkujt ka me i mungue diçka…
Po, po e di këtë, gjithkujt, gjithmonë do t’i mungojë dikush…por a mjafton ky vlerësim, ky ngushëllim…

Nuk jeni penduar që jeni marrë me këtë profesion?
Kam gabuar vetëm që s’jam marrë me këngën…dhe këtë, veç për pare, hahha, për t’u bërë e pasur…Jo, more, paraja nuk sjell lumturi, është nevojë, por jo edhe kënaqësi.
Kur unë kam ardhë në teatër, babai më ka dhënë leje, nëna jo! Ajo më ka thanë se kafeneja është më mirë se sa teatri…

Keni shëtitë, nëpër mjedise, keni bërë shaka … A keni ndonjë detaj….
Shumë, por më kujtohet kur dilnim nëpër fshatra me komedi. Një person që ishte i autorizuar për sallën, e kërcënonte publikun me një shufër, sa herë që ata qeshnin, me arsyetimin se na morët fytyrën me mysafirët. Ne nuk e dinim këtë dhe mendonim se, athua pse nuk po qeshin, kur duhet të qeshin, athua nuk po iu pëlqejmë dhe sakaq, komedinë e shndërronim në shfaqje serioze…nuk e dinim se ata nuk guxonin të qeshnin nga personi me shufër.

A ka moshë aktori?
Me të vërtetë artisti nuk ka moshë, por duhet të jesh aktor i vërtet e jo aktor i shpifur! Aktori i madh duhet të ketë edhe shpirt të madh, të jetë komplet, të ketë pamje, zë, diksion…

Artistit mosha nuk i vyen gjë, fama…e mban gjallë edhe kur nuk është më.
Unë, me të vërtetë, me duket vetja se jam plakur me një parë mend.. Në pleqëri bëhesh dy herë fëmijë….nuk thuhet kot se në këtë botë i vogël vjen, i vogël shkon…

Si jeton sot, Lezja, në vetmi, apo në një familje të madhe, moderne?
Kam një jetë dinamike, sepse jam aktive, por edhe me syrin tim, Argjendtën, çikën time. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Sin Boy sulmohet brutalisht në një sallon bukurie, teksa po hynte 'live' në TikTok?

Sin Boy sulmohet brutalisht në një sallon bukurie, teksa po hynte 'live' në TikTok?

Magazina
Votimi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës nga Mali i Zi, heshtin kryeministri Spajiq, ministri i jashtëm Ivanoviq dhe partia në pushtet “PES”

Votimi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës nga Mali i Zi, heshtin kryeministri Spajiq, ministri i jashtëm Ivanoviq dhe partia në pushtet “PES”

Botë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Premier League
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Kalo në kategori