LAJMI I FUNDIT:

Lexuesit spanjollë: Ismail Kadaresë t’i jepet çmimi Nobel

Lexuesit spanjollë: Ismail Kadaresë t’i jepet çmimi Nobel

Shkrimtari i ri, Rodrigo Blanco Calderon, që jeton në Malaga, të Spanjës, bëri një anketim spontan në rrjetin social Twitter, ku i pyeste lexuesit se nëse do të zgjidhnit dy shkrimtarë për Çmimin e ardhshëm të Nobelit në Letërsi, kush do të ishin ata.

Postimi i shkruar në spanjisht merr përgjigje kryesisht nga përdorues spanjishtfolës të rrjetit. Mes emrave të shumtë të preferuar, ai më i përsërituri ishte i shqiptarit Ismail Kadare.


Aq shumë përsëritet emri i shkrimtarit shqiptar sa që në fund vetë Blanco Calderón shkruan: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është shqiptari Ismaíl Kadare”.

Autori i librave si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe “Pallati i Ëndrrave”, ka qenë për shumë vite në listën e shkurtër të kandidatëve për Çmimin Nobel, po vonesa në njohjen e vlerës së veprës së tij ka shtuar dyshimin se Kadare do të jetë pjesë e plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj të cilëve nuk iu dha ndonjëherë.

Këto anketime nuk kanë ndonjë vlerë për vendimin aktual të Komisionit të Nobelit po janë gjithnjë një kuriozitet për të parë çfarë lexojnë njerëzit në vende e gjuhë të ndryshme. /Shqiptarja/