LAJMI I FUNDIT:

Lëshojani Fishtës hisen e Diellit

Lëshojani Fishtës hisen e Diellit

Nuk ka ndodhë kund tjetër që një shkrimtar, me targetin “poet kombëtar”, të jetë sulmuar, dënuar, rrëzuar e ringritur; që t’i jetë dhunuar varri e t’i jenë tretë eshtrat, t’i jetë ndaluar vepra po e po, e të ketë qenë herezi edhe përmendja e emrit. Kjo ka ndodhë në Shqipëri me Gjergj Fishtën; këtë e bëri për të dhuna e përdhunës së diktaturës, e megjithatë vijon të “frymojë” ende në vetëdijen letrare, kulturore.

Ende sot Gjergj Fishtën nuk e duan. Nuk e duan poet, nuk e duan as prozator; dramaturg, satirik, publicist.

Edhe pse ishte par exellencë në bashkëkohësinë e vet… (Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer, do të thoshte për të Faik Konica sqimatar)! Nuk e duan as si atdhetar. Ani pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështinë e shërbesën për kombin i ndërtoi në Shqiptari, me “zavalle krejet” [halle, telashe] të panumrueme e jo mërguar… E as si diplomat s’e duan ani pse pak kush si ai luftoi për “shqiptarët dhe të drejtat e tyne”!

Fishtën nuk e duan veqilat e shtetit…(?)

Gjergj Fishta nuk ka as shtëpi as varr. Shtëpinë ai e kishte lënë që në fëmijërinë e herëshme, kur iu përkushtua thirrjes meshtarake, kurse nga varri e patën dëbuar komunistët triumfalistë të pas dyzetekatrës. Nga letërsia dhe kultura kombëtare, gjithashtu, qe përjashtuar për t’u ripranuar (?) pas një gjysmë shekulli.

Shtëpia ku ka lindë me 23 tetor 1871, Gjergj Fishta, nuk është më. Ai ka qenë rreth tri vjeç, kur familja lëviz e shkon në një shtëpi tjetër, fare afër aty ku tubohen edhe shtëpitë e tjera të katundit.Kjo e fundit është akoma në këmbë, atje në Fishtë të Zadrimës, në fshatin e tij të lindjes, jo më larg se pesëmbëdhjetë kilometër nga qyteti i Lezhës.Fare pak më larg nga Shkodra, gjithashtu.

Gjergj Fishta (atëherë Zefi i Ndokë Simonit) largohet prej këtu, mbasi mbush gjashtë vjeç. Atë Marjani nga Palmanova, një misionar françeskan venedikas, ua lyp prindërve të vet dhe e dërgon në Shkodër, në shkollën që françeskanët kishin hapur në atë qytet që nga viti 1861, e para shkollë në Shqipëri, që do të ishte “shkolla e të vorfënve, e kambëzbathunve, e të harruemve, e fshatarëve, që ma vonë do të pagëzohej shkolla “për antonomazí” shqiptare”. Aty u shfaq për herë të parë, melodrama shqip “Nata e Këshnellave”, e përpunueme nga Atë Leonardo de Martino-poet arbëresh, me të cilën hapet për herë të parë sipari i teatrit kombëtar…

Në vitin 1880, në Kuvendin e Fretënve në Troshan, hapet për herë të parë Kolegji Françeskan Shqiptar prej At Marianit të sipërpërmendur dhe At Giampiero nga Bergamo.Fishta (pra Zefi, nëntë vjeç) është ndër të parët nxënës. Këtu nis udhën e meshtarisë, më pas, prej këtu së bashku me gjashtë vërsnikë të tjerë, në përkujdesjen e At Lovro Mihaçeviq, aso kohe Provinçial i Provincës Françeskane Shqiptare të këndellur, pas rrënimit të saj të mëparshëm, shkon për studime në Guca Gora, në kuvendin Sutiska për këndimet e filozofisë dhe më pas ato teologjike në Livno, në Bosnje. Kthehet mbasi mbaron studimet në vitin 1893, tashma jo Zefi, por Pader Gjergji.

Me 25 shkurt 1894 thotë Meshën e Parë në kishën e Troshanit, taman aty ku edhe e kishte nisë rrugën e vet të apostullimit. Mandej frat i ri në Gomsiqe, në Hot (aty ku takoi e njofti mirë Marash Ucin, malësorin e urtë e trim e të ditun, që u ba personazhi epik-shëmbelltyrë i kreshnikut dhe zanafilla e vetë poemës epope) e në Lezhë…

Të shumtat e viteve të jetës i kaloi në Provincën Françeskane në Shkodër, por edhe… në Tiranë, në Korçë, në Manastir, në Romë, në Bruksel, në Vjenë, në “Turki të re”, në Amerikë, kudo ku e lyp misioni në punët e mëdha të kombit. Rrallë, fort i bie rasti me ardhë në Fishtë. Kthehet përmallshëm, në shtëpinë e të parëve në javët e ditët e mbrame të jetës, në dhjetorin e vitit 1940.

Ka kaluar gati rreth një shekull e gjysëm prej fillimit. Shtëpia tani është një ngrehinë e cila ka pak të ngjashme në atë fshat e në të tjerë fshatra aty rrotull. Jo vetëm për arsyen se peisazhi arkitekturor i fshatrave, thuajse është përmbysur vizualisht, por edhe për pavlefshmërinë utilitare të saj si banesë. Tani ajo është bosh, pa njerëz brenda. Vërtetë, dalëngadalë ajo shtëpi po rrënohet dhe nuk do të jetë e largët dita kur ajo do të shembet. Sigurisht se nuk do të mbetet ndonjë familje e pastrehë, në këtë rast, e cila do t’i shtohej numrit të fatkeqëve, që gjithsesi nuk janë të pakët. As nuk do t’i mungojë Zadrimës ndonjë banesë që ka mbartur a mbart vlera të veçanta arkitekturore. Ka pasë ajo krahinë, si edhe jo pak të tjera në Shqipëri, vlera të shënuara të qytetrimit, të barasvlefshme me vlera të qytetrimit europian, të cilat, janë shuar e fundosur “shtatë pash nën dhé” nga rrëmetet e kohës, por edhe prej mirënjohjes sonë të zhgarravitur për etnosin e qytetrimin tonë…

Por, shtëpia e poetit, më shumë se si banesë, të grish si një simbolikë, të josh geni i racës së poetëve, zanafilla e gjeniut… dhe kaq. Atëherë përse kjo sjellje e parrespektëshme ndaj një personazhi simbol të kulturës dhe historisë së kombit si Fishta…! Kjo besoj se përbën nevojën e përkujdesjes për atë shtëpi, restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj, kjo është e përbashkëta e gulçimit tonë, gjithashtu.

Fishta ka për banesë pjesën e vet në Tempullin e Vlerave të Kombit, në kujtesën dhe shpirtin e shqiptarëve, kudo janë, anë e kënd botës. Porse parija e vendit e ka për detyrë përkujdesjen edhe për reliket, si për gjithçka tjetër të lidhur me njerëzit e vlertë të historisë së kombit… Ajo murana, sipër së cilës është vendosur një kryq i madh dhe shënimi: këtu u lind Poeti kombëtar, frati i Madh Gjergj Fishta, meriton të jetë qendra e pelegrinazhit kulturor, për të cilën ka tagër dhe detyrë ta bëjë udhëheqësia. Porse shteti shqiptar nuk e ka dashur asnjeherë përnjimend Fishtën, edhe ai i bashkëkohësisë së vet nuk e qasi, madje, sikur Fishta të mos kishte atë “strehë” gjigande në vetëdijen e popullit, jo vetëm do ta ndalonte a edhe do ta dëbonte për ca kohë, siç bëri, po nuk e di se ç’mund të bënte edhe më… E shumta e njerëzve të shtetit shqiptar [sot], jo veç nuk duen, por as nuk janë të zotët, me ia sjellë të mbaren e të miren shtetit e kombit, e se prandej këta janë ata mikrobe që janë tue ia pi gjakun e tue ia shkurtue jeten Shqipnisë së mjerë. – do të qortonte ai shumë e shumë herë kështu, në mediumet e kohës po edhe në parlamentin shqiptar ku qe zgjedhur deputet dhe nënkryetar.

Shteti dhe qeveritë e tij nuk e kanë dashur asnjëherë meritueshëm trashëgiminë kulturore të këtij vendi, sepse ai thesar ka qenë gjithmonë “konkurrenti” i qeverive, përgjithësisht të mangëta që ka pasë shteti shqiptar qyshse është themeluar. (Padyshim, rrënimtarja më e madhe ka qenë diktatura).
Dikush prej zyrave të larta të shtetit, për shtëpinë që nuk e restaurojnë ka fajësuar ngatërresat që ekzistokërkan ndërmjet familjarëve e trashëgimtarëve ,duke synuar në këtë mënyrë ta provincializojë sa të jetë e mundur më shumë poetin kombëtar. Djallëzore e dashakeqe sa më s’bëhet kjo sjellje, që ndërsehet së andejmi.

Lëshojani hisen e diellit…

Po ka një dashakeqësi të shpifur edhe prej shkrimtarísë së sotme në Shqipëri për Fishtën e veprën e vet. E shprehur me heshtje buzështrembëruar kryesisht. Si reminishencë e së shkuarës. Por për dikë edhe thjesht se Fishta nuk është stofi i përshtatshëm për ballo modernitare në praninë e të mëdhenjëve të gjallë…

Sikur Fishta t’ju ketë zënë diellin e duan të terratisur, nën re! Larg, atje në periferi!