LAJMI I FUNDIT:

Lekë Tasi rrëfen 90 vjet jetë

Lekë Tasi rrëfen 90 vjet jetë
Lekë Tasi (foto: Agron Shala, 2019)

Piktori Lekë Tasi rrëfen kalvarin e vuajtjeve gjatë 15 viteve internim në komunizëm, jetën e tij si violinçelist dhe angazhimin tek artet pamore…

Anila Dedaj


Tasi, gjendeni në ekspozitën mes “Vizatimeve të një jete”, cila qe zanafilla e këtij rrugëtimi dhe figurat që ju mbështetën?

Nisa të vizatoj që në adoleshencë. Edhe pse autodiktat, pasi nuk kam bërë shkollë artistike, këshillohesha me piktorë, si Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali. U kam qenë atyre gjithmonë mirënjohës. Madje me Mion kam një episod të veçantë. Qe xhaxhai im që më çoi tek ai. Isha 12 vjeç, sapo kisha filluar të punoja më bojërat e vajit të mamasë sime, pasi ishte piktore amatore dhe Mio më bëri një vërejtje që për mua ishte “si një dush i ftohtë”. Teksa shikon një pikturë time, më thotë: “Ke parë ndonjëherë pemë me këtë ngjyrë?!”. E braktisa vajin dhe ushtrohesha në vizatim. Shkova tek ai sërish tre vite më vonë. Më çmoi për peizazhet që kisha bërë. Mandej “u hodha” tek portretet familjare, më tej në ushtri vizatoja kolegët të mi, e pastaj në orkestër ku punoja. Vizatoja në kafene, në piknik, në Shirok të Shkodrës, ose kur bënim turne me operën. Akuareli në natyrë nuk më ka ecur fort. Por e kam shijuar tek ndërtesat, arkitektura, veçanërisht ajo e vjetra. Apo në pika të ndryshme si pijetore, mullinjtë e vjetër në Përmet etj.

Kjo ishte faza edukative, por pastaj erdhi një moment që unë nuk isha më i kënaqur me natyrën siç është, kjo edhe nga ndikimet që pata nga letërsia. Pra, në një fazë të tillë, që vlen të ilustrohet me shprehjen e një poeti që e kam shumë për zemër, Pablo Nerudës: “Realizmi ka vdekur, të përpiqemi të mos ngjallet”.

Pra, isha i vetëdijshëm se realizmi nuk kishte të bënte me kopjimin e natyrës, por pasqyrimin e asaj që na sugjeron. Njësoj siç Beethoven ka thënë për Simfoninë Pastorale (simfonia nr.6), pra që lidhet me ndjesitë që natyra na sugjeron dhe jo me imitimin e saj. Pasi edhe muzika bëhej me programe. Natyrisht që edhe kompozitorët Debussy apo Ravel e kanë elementin imitues, por anojnë nga fryma që sugjeron natyra.

Në ekspozitë ka gjithashtu vizatime të realizuara gjatë kohës së internimit. Çfarë kujtimesh ju sjellin ato?

Kur u internuam në Myzeqe, në tetor të 1975-ës, unë isha ende me mbresat e Tiranës, me atë rutinë që isha mësuar. Ne kishim një tavolinë ku ushqeheshim, punonim e lexonim dhe në mbrëmje, pas pune unë ulesha e krijoja. Atje kam vizatuar shumë nga punimet që janë këtu! Ndodhi kështu për dy vjet, mandej mund të realizoj dy akuarele. Njëra është “Jashtë” e ekspozuar, e për të realizuar tjetrën jam larguar nga vendi i caktuar për më shumë se një kilometër. Më panë atje dhe kjo më ndrydhi, më bëri që ta lija… Por, mund të them se ajo periudhë më shërbeu në disa aspekte. Për shembull unë mund të shikoja “Grande mostre” përmes televizorit, pasi në verë kapte Italinë dhe Shkupin. Shikoja gjithashtu filma me përkthime.

Edhe kuratori i ekspozitës ju përshkuan si një “optimist të pandreqshëm”. Një histori familjare me burgime, internime e një sërë vuajtjesh që pason… Çfarë ju bën që të ruani optimizmin?

Sigurisht që internimi ishte një vuajtje, një kufizim. Jeta, aktivitetet ndërpriten. Unë u internova në moshën 46-vjeçare dhe dola 61, por ne si familje jemi shumë rezistentë… Jemi aktivë, pra nuk e kuptojmë dot jetën pa aktivitet dhe si shembull kemi pasur babanë edhe nënën. Ishin një çift shumë vitalë, rezistentë! Babai im ishte në burg për 20 vite dhe atëherë pati kohë të mjaftueshme për të shkruar. Shkroi një libër të cilin më vonë e botova unë.

Babai juaj, Koço Tasi jurist edhe ministër, burgoset… Jeta për ju ndryshoi gati në mënyrë të menjëhershme, si e përjetuat?

Duke shfrytëzuar çdo mundësi fizike dhe materiale. Për fat unë pas punës në orkestrën e Radio Televizionit, u pranova në Opera. Më mori Mustafa Krantja, i jam shumë mirënjohës, pasi Imer Skënderi ishte me studime e sipër. Ai u angazhua dhe më dhanë rrogën maksimale e kjo ishte një ndihmesë e madhe në atë kohë. Mandej mamaja qepte. Ishim bashkë me kushërinjtë, të cilët po ashtu punonin. Ka pasur momente shumë të vështira, sigurisht. Vëllai im Ylli, i cili po ashtu ka qenë në burg për shtatë vjet. Kur mbaroi shkollën teknike, e përjashtuan nga të gjitha shkollat. U fut në punë si mekanik, në karburante të përgjithshme. Një ditë aty bie një shkëndijë, dhe ndizet flakë. Ai u fut në zjarr dhe u dogj. Nuk kishte rrugë tjetër, ndryshe do ta pushkatonin. E uli levën që kishte marr zjarr dhe u shtrua në spital për pesë muaj. U dogj në fytyrë dhe në dorë. Mamaja e mbante në duar kështu… (bën me duar si të ishte duke mbajtur një foshnjë), e mjekonte me penicilinë oleoze. Pas kësaj, i dhanë të drejtën e studimit. E mbajti Kadri Hazbiu. Puna e tij quhej heroike, por neve dhe atij vetë nuk ia shpallën asnjëherë diçka të tillë. Madje, duke qenë se ai kishte një mendje shumë inovatore, krijoi materiale shumë të vlefshme, si ferroda për ekonominë, pesha për të shtypur pllaka etj. Mirëpo, kur për të gjitha këto arritje bëheshin lavdërime, atë nuk e ftonin brenda.

Më sipër treguat se puna në Filarmoni, erdhi si ngushëllim e njëkohësisht ju ndihmoi në shumë aspekte. Mirëpo, në një moment ju detyruan të shkëputeshim, ndërkaq muzika shfaqet shpesh në “Vizatime të një jete”, në periudha të ndryshme…

Ajo ishte si një goditje për mua. Ishte një periudhë kur shumë nga ne mendonin “Vetëm të na i lënë në dorë veglën muzikore!”. Për mua ajo që nuk donim, ndodhi! Edhe erdhi pikërisht në një moment, kur kisha gjetur një lloj muzike, një mënyrë për të përmirësuar studimin e që ua sugjeroja edhe shokëve.

Kaq shumë peripeci e vuajtje, e megjithatë në një kohë si ajo, orientimet politike nuk prekën artin tuaj. Ku e gjenit këtë guxim, për të sjellë elementë bashkëkohorë?

Që në vegjëli kam qenë i orientuar drejt artit modern. Nuk kam qenë i kufizuar në referenca, një fenomen që fatkeqësisht e shikoj edhe sot në fusha të ndryshme. Pra, shikojnë njëri-tjetrin, ndërkohë që bota është më shumë se kaq. Pra, të ndalesh brenda kufijve, në një kohë që ke Balzakun, Dostojevskin etj. Duke qenë se unë e kam mësuar anglishten që 10 vjeç, daja im jurist më jepte disa materiale për t’i lexuar. Pra, leximi është në një farë mënyre çelësi i suksesit. Në komunizëm kishte një lloj tolerance të pandërgjegjshme, përsa i përket asaj që ofrohej, autorëve të huaj që mund të gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare. Unë shkoja edhe gjeja materiale interesante e i përktheja për t’ua kaluar edhe shokëve. Më vjen keq që kanë humbur…

Të gjitha këto, e bënin të sigurt rrugën që unë do të ndiqja: Chagall dhe Picasso. Unë ekspozova në 1954, 1955, 1956, mandej në 1973-shin, kur ritentova të përfshihesha në rrethin artistik e të ekspozoja, e nuk më pranuan. Kështu që hoqa dorë deri në 1991-shin. Prej këtij viti kam një pikturë të veçantë, për të cilën djali më thotë: “Sado që të të ofrojnë, mos e shit!”

Ju ndërkohë krahas galerisë FAB, keni ekspozuar edhe në Muzeun Historik Kombëtar në “PranverArt”. Një ekspozitë, që përfshin edhe emra të rinj. Si ju duket puna e tyre?

Më duhet të pohoj se arti vuan nga një konservatorizëm i butë. Unë tentova të bëj një kritikë, por “më pritën me këmbët e para”. Midis tyre ka më të avancuar, teknikisht disa nuk janë keq, por teknika nuk thotë gjë. Duhet hequr dorë nga teknika në mënyrë savante; teknika duhet të thjeshtohet. Në Milano kam parë një peizazh të zbehtë të Morandit. Arti modern është i tillë, pa nga ngarkesa, sepse ajo plotësia e neverit… Krahas thjeshtimit duhen gjetur mënyra më të personalizuara, jemi mes një larmie pa fund. Artisti shqiptar ende nuk e ka bërë të vetin artin botëror, është në fillime. Edhe profesionalitet do të thotë teknikë e përvetësuar, si dhe njohje e historisë së artit.

Kur njeriu pavarësisht pengesave ka një vepër të tillë, por mbi të gjitha një shpirt të madh, mund të thuhet se “demojt” e diktaturës i ka mundur…

Moralisht është kjo! E mira është që edhe sot çdokush të mbajë parimet dhe personalitetin e tij. Diçka e tillë do të bëjë që politika të reduktohet. Nëse ndikimi i politikës reduktohet, ndoshta edhe në parlament do të ketë personalitete, e të tjerë që janë ithtarë, por edhe nga ata që dinë të kundërshtojnë. Kështu edhe partitë reduktohen në joleniniste, sepse trashëgimia leniniste vazhdon. Me emra të tjerë, por thelbi është i njëjtë… /Shekulli/