LAJMI I FUNDIT:

Lekaj takon Apostolovën, bisedojnë për infrastrukturën

Lekaj takon Apostolovën, bisedojnë për infrastrukturën

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti në takim shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, të cilën e ka informuar për projektet aktuale të ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Republikës së Kosovës dhe për ato në të ardhmen lidhur me agjendën e konektivitetit për projektet ndërkufitare.

Sipas një komunikate dërguar mediave, Lekaj ka diskutuar me Apostolovën edhe për takimin e mbajtur në Sofje në mes ministrave të vendeve të rajonit dhe për përgatitjet për Samitin e Sofjes që do të mbahet në muajin maj, me temë kryesore transportin.


“Ndërkaq, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për zhvillimet aktuale e politike në vend për procesin e liberalizimit të vizave, si një çështje e rëndësishme dhe që i bënë qytetarët e Kosovës së barabartë me të gjithë qytetarët e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në një pjesë të komunikatës.

Apostolova e konfirmoi se Bashkimi Evropian është shumë i angazhuar në agjendën e konektivitetit, në mënyrë që të krijohen lidhje dhe korridore ndërkufitare në mes vendeve dhe për të cilat ka mundësi financimi përmes instrumenteve financiare të BE-së. /Telegrafi/