LAJMI I FUNDIT:

Lekaj: Me ndarjen e 53 milionë eurove për “Bechtel Enka” e shpëtuam vendin nga arbitrazhi

Lekaj: Me ndarjen e 53 milionë eurove për “Bechtel Enka” e shpëtuam vendin nga arbitrazhi

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar sot pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 53 milionë eurove kompanisë ‘Bechtel Enka’, për projektin e Autostradës “Arbën Xhaferi”, duke thënë se Qeveria e ka shpëtuar vendin nga një arbitrazh tjetër.

“Qeveria e Kosovës sot e shpëtoi Kosovën edhe nga një arbitrazh. E kuptojmë plotësisht interesimin e opinionit për vendimin e sotëm që u mor nga Qeveria e Republikës së Kosovës për koston shtesë të zgjatjes së kontratës për përfundimin e projektit të autostradës. Është zgjidhja më e mirë e mundshme nga çka e si e kemi gjetur ne kur kemi ardhur në krye të detyrës”, tha ai.


“Keqmenaxhimi nga ish Qeveria na ka lënë këtë “bakshish”, aspak të lehtë për tu trajtuar. Si Ministri e Infrastrukturës, e rrjedhimisht si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi marrë përgjegjësitë për të shtyrë përpara proceset (edhe ato që nuk janë lehta, siç është rasti me këtë projekt), që në të kaluarën nuk është bërë as me i vogli veprim dhe prandaj shpesh jemi gjendur në pozita aspak të dëshirueshme, për vendime aspak populiste, por shumë të domosdoshme për të mos e rënduar edhe më tutje imazhin e vendit tonë në raport me investitorët që potencialisht janë te gatshëm të investojnë në vendin tonë. Kemi bërë një zgjidhje, për një çështje, e mbetur pezull që katër vite, pa penallti, pa arbitrazh, dhe i kemi dhënë shansin që projekti të përfundoj ashtu siç e kemi premtuar, në fund të këtij viti”, tha ai.

Qeveria i jep 53 milionë euro Bechtel & Enka
Lexo po ashtu Qeveria i jep 53 milionë euro Bechtel & Enka

Lekaj ka falënderuar për bashkëpunimin anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, duke përkujtuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për pagesën e kostos së shtyrjes së projektit për një vit ka ardhur pas negociatave të Komitetit Drejtues Ndërministror dhe kontraktuesit.

“Sot zgjidhem një problem dhe shmangem një më të madh, që Kosova të mos përfundojë në një proces arbitrazhi që do të kishte kosto të lartë për buxhetin e shtetit të Kosovës. Do të jemi në krye të detyrës për të shtyrë përpara projekte në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe lidhjes së Kosovës me vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në reagimin e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. /Telegrafi/