Pak para se ajo dhe i dashuri i saj u rrahën brutalisht në rrugët e qytetit polak të Vroklavit, ukrainasja e quajtur Anastasia Kitsay ishte brenda një dyqani duke blerë kafe.

Kur një burrë i doli përpara në radhë për të paguar birrën që kishte blerë, Kitsay i tha se ajo ishte para tij për të paguar, tha nëna e saj, Karina për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë. Burri iu përgjigj: “A je në Ukrainë?” dhe e quajti atë “leckë ukrainase”, teksa po debatonin dhe ai po largohej nga dyqani.


Pak minuta më vonë, ai burrë dhe edhe dy persona të tjerë e goditën me grushte dhe shqelma të dashurin ukrainas të Kitsayit, Maksimin, teksa ai qëndronte pranë veturës së tij, ndërsa goditën me grushte edhe Kitsayin. Përleshja, që ndodhi më 26 korrik, u filmua dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale ukrainase dhe polake.

Të dy u shtruan në spital. Dy nga burrat u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave për sulm me motive etnike më 29 korrik gjatë paraqitjes para një gjykate në Vroklav. Kryetari i qytetit e dënoi incidentin, duke deklaruar: “Në qytetin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë tolerancë për dhunën e motivuar nga urrejtja, ksenofobia apo paragjykimet kombëtare”.

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022, Polonia ka pranuar më shumë refugjatë ukrainas se çdo vend tjetër evropian, përveç Gjermanisë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, deri në prill, gati 1 milion ukrainas kishin statusin e refugjatit në Poloni.

Si Qeveria aktuale në Varshavë, ashtu edhe paraardhësja e saj, e kanë konsideruar mbrojtjen e Ukrainës fqinje si një prioritet të sigurisë kombëtare.

Popullsia ukrainase ka ndihmuar po ashtu në nxitjen e ekonomisë të Polonisë. Sipas ambasadorit të Ukrainës në Poloni, rreth 1 milion ukrainas klasifikohen si punëtorë migrantë.

Megjithatë, ukrainasit raportojnë për rritje të tensioneve dhe pakënaqësisë nga një pjesë e polakëve, të cilët kanë vënë në pikëpyetje shkallën dhe kohëzgjatjen e mbështetjes për refugjatët, të financuar nga taksapaguesit.

Sipas gazetës Rzeczpospolita, policia polake ka raportuar për një rritje prej 30 për qind të sulmeve të motivuara nga urrejtja ndaj ukrainasve gjatë gjashtë muajve të fundit.

“Në Poloni fol polonisht”

Kitsaj nuk është refugjate. Ajo tha se jeton në Poloni që gati një dekadë, ndërsa vajza e saj, Anastasia, u shpërngul atje në vitin 2019.

Por, Natalja Melynk është refugjate. Pas fillimit të luftës, ajo u shpërngul nga rajoni perëndimor ukrainas i Zhitomirit në Pllock, një qytet në perëndim të Varshavës.

Më 27 qershor, ajo tha se djali i saj 15-vjeçar dhe shoku i tij ukrainas po ktheheshin në shtëpi me autobus, kur një pasagjer tjetër i dëgjoi duke folur në gjuhën ukrainase.

“Polonia u takon polakëve”, i tha pasagjeri, sipas saj. “Fëmijët heshtën, pastaj ai iu drejtua sërish djalit tim: ‘A më dëgjon? Polonia u takon polakëve. Në Poloni fol polonisht’”.

Melnyk tha se djali i saj flet shumë mirë polonisht dhe iu përgjigj se ata po flisnin në gjuhën ukrainase, sepse shoku i tij ishte ukrainas.

“Duke u kundërpërgjigjur, burri filloi të bërtiste: ‘Zbrisni nga autobusi. Dilni nga ky shtet’”, tha ajo për Current Time.

Pasi djali i saj tha se do të zbriste në stacionin e tij, Melnyk tha se burri u vërsul drejt tij dhe e goditi shokun e tij. Një pasagjer tjetër i kërkoi burrit që po bërtiste të zbriste nga autobusi. Në stacionin e radhës, burri “i nxori fëmijët jashtë autobusit”, tha ajo.

Policia e hetoi rastin, por nuk e cilësoi sulmin si krim të motivuar nga urrejtja derisa Melnyk paraqiti ankesë. Deri më 29 korrik, burri ende nuk ishte identifikuar, tha ajo.

Rritja e rasteve të raportuara të krimeve të urrejtjes vjen në një kohë kur anketat tregojnë se në mesin e polakëve po bie mbështetja për refugjatët ukrainas.

Një anketë e zhvilluar më herët gjatë këtij muaji nga Qendra për Hulumtimin e Opinionit Publik zbuloi se 52 për qind e polakëve kundërshtonin pranimin e refugjatëve të tjerë ukrainas të luftës, ndërsa 42 për qind ishin në favor.

Kjo shifër paraqet një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2022, menjëherë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, kur 94 për qind e polakëve deklaronin se mbështesnin pranimin e refugjatëve ukrainas.

Anketa tregoi gjithashtu se shumica e polakëve mbështesin kufizimin e qasjes falas në kujdesin shëndetësor për ukrainasit, të cilëve deri vonë nuk u kërkohej të kontribuonin në sistemin kombëtar të sigurimit shëndetësor.

Pakënaqësi historike

Rritja e ndjenjave antiukrainase vjen gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet mes Varshavës dhe Kievit janë tensionuar për shkak të një mosmarrëveshjeje historike, që daton prej dekadash.

Në maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se do të nderonte një njësit ushtarak që lufton kundër trupave ruse duke i dhënë një emërtim, që lidhet me Ushtrinë Kryengritëse Ukrainase.

Polonia thotë se ky grup masakroi rreth 100.000 polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një rajon që sot kufizohet me Ukrainën. Në atë kohë, rajoni ishte nën kontrollin gjerman.

Polonia i ka cilësuar këto vrasje si Masakra e Volhinisë, ndërsa Parlamenti polak ka shpallur se vrasjet përbëjnë gjenocid.

Ukraina e kundërshton këtë cilësim, duke argumentuar se edhe ukrainasit ishin viktima të dhunës nga polakët dhe se mijëra prej tyre u vranë në sulme hakmarrëse. Në Ukrainë, këto ngjarje njihen si Tragjedia e Volinit.

Shumë ukrainas e konsiderojnë Ushtrinë Kryengritëse Ukrainase si luftëtarë të lirisë – një perceptim që është forcuar edhe më shumë ndërsa vendi përpiqet t’i rezistojë pushtimit rus, 35 vjet pasi fitoi pavarësinë nga Moska, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Vendimi i Zelensky për këtë emërtim nderi shkaktoi reagime të ashpra në Poloni.

Presidenti polak, Karol Nawrocki, një historian me prirje populiste dhe ish-drejtor i një muzeu të Luftës së Dytë Botërore, muajin e kaluar njoftoi se do t'ia hiqte Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore që ndan Polonia.

Presidenti Zelensky më pas ia ktheu Polonisë dekoratën e tij, dhe të njëjtën gjë bënë edhe tre paraardhësit e tij.

“Diskutimet rreth politikës së kujtesës... janë bërë sërish temë e një debati të gjerë publik në Poloni”, tha Mateusz Kamionka, politolog dhe ekspert i marrëdhënieve polako-ukrainase në Universitetin Jagellonian në Krakovë.

Ai tha se ndryshimet në opinionin publik po ndikohen edhe nga faktorë ekonomikë dhe socialë, përfshirë edhe rritjen e kostos së jetesës, si dhe nga bindja se ndihma publike për ukrainasit është tepër bujare dhe duhet të kufizohet më shumë.

“Të flasësh gjuhën ukrainase [ose rusisht] në rrugë po bëhet problem”, tha Alexei Cheplyansky, gazetar polak. “Polakët nuk arrijnë ta dallojnë gjuhën ruse nga ajo ukrainase. Së fundi, një sportist bjellorus u sulmua, ndërsa i bërtisnin: ‘Kthehu në Ukrainë!’”.

Ai tha se partitë politike të krahut të djathtë po përpiqen po ashtu të përfitojnë politikisht nga pakënaqësitë dhe zemërimi i një pjese të polakëve.

“Po fillon që nga interneti të shfaqet në jetën reale”, shtoi ai. /REL/