Lamine Yamal gati për ndeshjen hapëse të Spanjës në Kupën e Botës

Spanja ka marrë një lajm pozitiv para nisjes së Kupës së Botës, pasi Lamine Yamal është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në kofshë dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të turneut.
Sipas gazetarit Javier Herraez, talenti i Barcelonës ka kaluar me sukses fazën e rikuperimit dhe është në gjendje të mirë fizike, duke larguar çdo dyshim mbi pjesëmarrjen e tij me kombëtaren spanjolle.
18-vjeçari u lëndua gjatë një ndeshjeje të Barcelonës ndaj Celta Vigos në prill, kur ndjeu shqetësime gjatë ekzekutimit të një penalltie. Si pasojë, ai mungoi në javët e fundit të sezonit me klubin katalanas.

Vetë Yamal kishte pranuar më herët se kishte frikë se dëmtimi mund ta linte jashtë Kupës së Botës, por puna intensive në rikuperim i ka mundësuar rikthimin në kohë për turneun.
Raportimet e fundit bëjnë të ditur se sulmuesi anësor pritet të jetë titullar në ndeshjen hapëse të Spanjës kundër Kepit të Gjelbër në Atlanta. Trajneri Luis de la Fuente synon ta ketë Yamalin një nga armët kryesore në repartin ofensiv.
Yamal pritet të formojë treshen sulmuese së bashku me Nico Williams dhe Mikel Oyarzabal, ndërsa Spanja po finalizon përgatitjet për sfidat e Kupës së Botës. /Telegrafi/









































