LAJMI I FUNDIT:

Ky vend ka qenë i banuar për 12 mijë vjet – por, turistët e huaj e kanë vizituar vetëm në katër vjetët e fundit

Ky vend ka qenë i banuar për 12 mijë vjet – por, turistët e huaj e kanë vizituar vetëm në katër vjetët e fundit

Në një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë në botë, ekziston një monument i gdhendur në gur ranor, i rrethuar nga ferma hurmash dhe rrugë të pluhurosura me dy korsi.

Kjo është Hegra.


I njohur gjithashtu si al-Hijr ose Mada’in Saleh, Hegra është xhevahiri i kurorës së atraksioneve arkeologjike të Arabisë Saudite dhe ishte vendi i parë i këtij shteti që është regjistruar në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

I ndërtuar midis shekullit të I-rë para Krishtit dhe shekullit të I-rë të erës sonë, ky qytet antik ka një nekropol mbresëlënës, me varre të gdhendura në gur ranor, të vendosura përballë peizazhit të shkretëtirës së gjerë në veriperëndim të Arabisë Saudite, transmeton Telegrafi.

Petra, vendi i famshëm në Jordani, ishte kryeqyteti i popullit nabatean, ndërsa Hegra ishte posti jugor i mbretërisë derisa u braktis në shekullin e XII-të, raporton cnn.

Por, ndërsa Petra është një nga shtatë mrekullitë e botës moderne dhe priste më shumë se një milion vizitorë vendas në vit përpara pandemisë, Hegra ka qenë e qasshme për shumicën e turistëve ndërkombëtarë që nga viti 2019, kur Arabia Saudite filloi për herë të parë lëshimin e vizave turistike.

Megjithëse Hegra ende nuk është e famshme, kjo po ndryshon falë AlUla, qytet që është shnëdrruar në një qendër arti, kulture dhe turizmi ndërsa tani krenohet me një aeroport të vogël, por që ka fluturime të rregullta drejt Jeddah, Riadit dhe Dubait.

Jashtë hijeve të historisë

Nabateanët besohet se kanë qenë tregtar të aromatikëve, shumica prej të cilave përdoren në ritualet fetare.

Dy prej tyre ishin temjan dhe myrrh (rrëshirë e nxjerrë nga disa lloje të pemëve të vogla të gjinisë Commiphora), të cilat shumë perëndimorë besojnë se ato ishin dhurata për foshnjën Jezus.

Por, pjesa më e madhe e kulturës së tyre ka humbur. Tani, rritja e investimeve në arkeologji do të thotë se gjithnjë e më shumë informacione po dalin nga Hegra dhe vende të tjera nabateane.

“Të gjithë kemi dëgjuar për asirianët, të gjithë kemi dëgjuar për mesopotamianët”, thotë Wayne Bowen, profesor i historisë në Universitetin e Floridës Qendrore.

“Por, (nabateanët) iu kundërvunë romakëve si dhe helenëve të Greqisë. Ata kishin një sistem të pabesueshëm të ujitjes në shkretëtirë, kontrollonin rrugët tregtare. Unë mendoj se ata kontribuan në rritjen e historisë së Perandorisë Romake”, shtoi ai.

Megjithëse nabateanët nuk kanë mbetur shumë prapa në rrugën e dokumentimit historik, ku njëri nga arritjet e kulturës së tyre vazhdon të luajë një rol të madh në rajon – alfabeti nabatean hodhi themelet e arabishtes moderne.

Në fillim të vitit 2023, ata zbuluan “Hinat”, fytyrën e rindërtuar të një gruaje nabateane, mbetjet e së cilës u gjetën në shkretëtirë. Tani, udhëtarët mund ta shohin atë në qendrën e vizitorëve Hegra.

Në tokë ranore

Me të arritur në qendrën e vizitorëve, mysafirët priten me hurma dhe filxhanë kafeje saudite, e cila shumë lehtë përgatitet.

Nga atje, turistët mund të hidhen në një Land Rover të stilit të vjetër (me ose pa çati, në varësi të motit) me një udhëzues dhe të nisen për të eksploruar vendin.

Ashtu si shumë vende në këtë pjesë të botës të njomur nga dielli, AlUla dhe rajoni preferohet të vizitohet herët në mëngjes ose në mbrëmje. Kjo vlen edhe më shumë në Hegra, e cila nuk ka pemë apo struktura për të bllokuar diellin përvëlues të mesditës.

Nabateanët ishin një popull nomad, kështu që nuk ka mbetur shumë nga jeta e tyre e përditshme. Ato që mbeten, megjithatë, janë vendet e tyre të pabesueshme të pushimit përfundimtar. Në total, janë rreth 115 varre.

Më i famshmi prej tyre është Qasr al-Farid (arabisht për “kështjellën e vetmuar”), i cili qëndron me krenari i vetëm, me strukturën prej 21 metrash të vendosur përballë një hapësire rëre. Kontrasti krijon një sfond fotografik të shkëlqyer, veçanërisht pak para perëndimit të diellit, ndërsa drita rozë-portokalli largon tonet e shkretëtirës.

Vetëm një varr është i hapur në një kohë për vizitorët që duan t’i hedhin një vështrim. Sidoqoftë, ato janë shumë më të ndërlikuara dhe interesante nga jashtë.

Zona rreth kornizave të dyerve mund të shfaqin emrat e njerëzve të varrosur. Detajet e projektimit japin të dhëna se nga mund të kenë udhëtuar banorët. Imazhet e fenikasve, shqiponjave dhe gjarpërinjve nënkuptojnë njohjen me kulturat e largëta si Greqia dhe Egjipti.

Zgjeroni kërkimin tuaj

Shumë vizitorë kombinojnë udhëtimin e tyre në Hegra me vizitat në vendet më të vogla historike të Dadan dhe Jabal Ikmah.

Në luginën e Xhebel Ikmah, të cilën sauditët e quajnë “bibliotekë e hapur”, mund të shihni një sërë mbishkrimesh të gdhendura në aramaisht, dadanitisht, thamudik, minaik dhe nabate.

Përkthimet shfaqen në arabisht, anglisht dhe nganjëherë frëngjisht, pasi murgjit francezë ishin vizitorë të hershëm në zonë.

Dadan, ndërkohë, dikur ishte shtëpia e një qyteti tregtar para-islamik, ku shitësit e erëzave përziheshin me pelegrinët fetarë.

Vendi më i dukshëm është “Varret e Luanëve”, grup mauzolesh të zbukuruara me – siç tregon emri – gdhendje luanësh.

Është e thjeshtë të vizitosh të tre këto vende në një ditë të vetme. Mënyra më e lehtë për të rezervuar është nëpërmjet faqes së internetit të organit zyrtar të turizmit të drejtuar nga qeveria e zonës, Experience AlUla. Udhëtarët me nxitim mund të rezervojnë një turne dy-orësh, por ka edhe opsione për pasdite dhe gjatë ditës.

Mos e humbisni stacionin në natyrë të mbuluar pranë qendrës së vizitorëve Hegra, ku mund të shfrytëzoni një daltë të vogël për të gdhendur emrin ose inicialet tuaja në copa guri.

Sasia e përpjekjeve të përfshira do t’ju bëjë të vlerësoni vërtetë se sa shumë punë kanë bërë nabateanët për të krijuar këto kryevepra. Versione në miniaturë të strukturave më madhështore të Hegra-s, të bëra nga gratë që drejtojnë këtë punishte, janë gjithashtu në dispozicion për shitje.

E ardhmja

Këto ditë, Petra është fokusuar në ruajtjen dhe luftimin e mbiturizmit, gjë që i jep mundësi Hegrës të rritet dhe të tërheqë më shumë vizitorë.

Sipas David Graf, profesor i Historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Miamit, shumë nga arkeologët që më parë drejtuan gërmimet në Petra po zhvendosen në Arabinë Saudite, që ka të ngjarë të thotë se do të ketë zbulime të reja në vitet në vijim.

Kjo do të thotë gjithashtu se më shumë njerëz në mbarë botën do të mësojnë për nabateanët dhe kontributet e tyre në histori.

“Nabatianët kishin kulturë shumë kozmopolite, të sofistikuar dhe unë jam përpjekur ta theksoj këtë”, thotë Graf, i cili vazhdon të botojë artikuj dhe të mbajë fjalime gjatë daljes në pension.

“Ne nuk dinim shumë për nabatianët. Unë kam qenë në mision për të parë se ne dimë më shumë rreth tyre. Se ne i shohim ata si jo të prapambetur dhe primitivë, por me të vërtetë të angazhuar dhe të përfshirë, dhe si njerëz dinamikë që ndërveprojnë me romakët dhe botën greke si dhe kulturat e tjera”, përfundoi ai. /Telegrafi/