Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk e fshehu aspak admirimin e tij për një nga lojtarët më të spikatur të Real Madridit pas ndeshjes së së mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve në “Bernabeu”.

Skuadra e Guardiolës u ngjit në vendin e katërt në tabelën e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve pasi golat e Nico O’Reilly dhe Erling Haaland siguruan fitoren 2-1 ndaj Madridit.


Rodrygo, i cili gjatë verës u lidh fuqishëm me një transferim te City, shënoi golin e tij të parë pas 32 ndeshjesh duke kaluar Los Blancos në epërsi në minutën e 28-të.

Por miqtë përmbysën rezultatin me dy gola në pjesën e parë, duke e lënë Xabi Alonson në prag shkarkimi pas raportimeve për një takim “krize” me presidentin e Madridit, Florentino Perez.

Pas përfundimit të ndeshjes, Pep Guardiola, i entuziazmuar, u pa duke iu afruar menjëherë golashënuesit Rodrygo.

Në fakt, Guardiola foli për admirimin e tij ndaj sulmuesit brazilian, vetëm disa muaj pasi City raportohej se po “konsideronte” një lëvizje për të.

“I thashë Rodrygos sa i mirë është. Ai është një lojtar nga një nivel tjetër. Ky djalë është në një nivel tjetër. Jam i lumtur që është rikthyer nga dëmtimi. Është shumë, shumë i mirë”, ka deklaruar tekniku spanjoll.

Që në gusht, City dukej se ishte futur në garë për të nënshkruar me Rodrygon, në prag të largimeve të James McAtee dhe Jack Grealish.

Megjithatë, një lëvizje e mundshme për të u përjashtua pasi ‘Los Blancos’ kërkonin rreth 100 milionë euro për kartonin e tij./Telegrafi/

telegrafi sport app