Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se në mbledhjen e 10-të të rregullt të Kuvendit Komunal janë miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat synojnë mbështetjen e aktiviteteve kulturore, organizatave joqeveritare dhe grupeve të cenueshme në komunë.

Sipas Pecit, Kuvendi ka miratuar 30,000 euro për financimin e aktiviteteve kulturore dhe festivaleve, përkatësisht: Green Fest, Mitrovica International Festival Jazz Days, Festivali Tradicional i Komedisë, Festivali i Pianos, Festivali i Këngës së Fëmijëve “Cicërimat Buzë Ibrit”, Mitrovica Art Colony.


Po ashtu, është miratuar një paketë mbështetëse në vlerë prej 29,500 euro për organizatat joqeveritare, shoqatat dhe grupet e cenueshme, ndërsa është aprovuar edhe mbështetja financiare prej 250 euro për të gjitha viktimat e dhunës gjatë vitit 2026.

Përfituese të kësaj mbështetjeje janë: Shoqata e të Verbërve, Shoqata e të Shurdhërve, HANDIKOS – Mitrovicë, Down Syndrome – Mitrovicë, Shoqata “Së Bashku”, R.E.C, OPFAKOS, OJQ “Zëri i Prindërve”, Shoqata “Minatori ’89”, Parasportisti Sabri Çabra.

Gjithashtu, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe mbulimin e qirasë për familjet e prekura nga rrëshqitja e dheut në lagjen Bair, si pjesë e masave për mbështetjen e qytetarëve të prekur.

Kryetari Faton Peci ka theksuar se këto vendime pasqyrojnë angazhimin e institucioneve komunale për të mbështetur kulturën, përfshirjen sociale dhe kategoritë që kanë nevojë për përkrahje, duke synuar përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Mitrovicës. /Telegrafi/