Kurti takon ambasadorin Whitaker: NATO dhe SHBA jetike për sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Sipas njoftimit, Kurti e ka falënderuar Whitaker për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si jetike për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Në takim, kryeministri ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes, përfshirë trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve të Forca e Sigurisë së Kosovës, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet dhe siguri në rajon.
Kurti vlerësoi rolin e pranisë së NATO në Kosovë, si dhe atë të SHBA-së brenda saj, duke i konsideruar si elemente kruciale për paqen dhe sigurinë jo vetëm në vend, por edhe në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi gjithashtu se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte garanci afatgjatë për stabilitetin rajonal.
Duke folur për situatën e sigurisë në rajon, Kurti tha se ajo mbetet e brishtë, duke përmendur Serbinë, e cila sipas tij mbështetet nga Rusia dhe Kina dhe ndjek politika hegjemoniste.
Ai ngriti shqetësime edhe për armatosjen e Serbisë dhe zhvillimet ushtarake pranë kufirit me Kosovën, të cilat i cilësoi si rrezik për stabilitetin rajonal.





















































