Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit, në nderim të të vrarëve më 19 prill 1999, kur forcat e armatosura të Serbisë vranë 20 civilë të pafajshëm, të cilët u ndanë nga familjet dhe u ekzekutuan, e më pas u varrosën në një varrezë masive.

Kurti tha se kjo ditë shënon edhe përkujtimin e grupit të intelektualëve të Mitrovicës, ku – sipas tij – 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të të drejtave të njeriut, në zonën e Drenit të Zubin Potokut, u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat serbe.


Ai theksoi se Serbia, krahas mohimit të krimeve, “vazhdon të shkelë detyrimet e saj ndërkombëtare”, duke mos zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Sakrifica për liri mbetet udhërrëfyese për të çuar përpara Republikën e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Lavdi!”, ka shkruar Kurti.