LAJMI I FUNDIT:

Kurti në përmbyllje të Defender-Europe 21: Do ta shtojmë buxhetin për FSK-në

Kurti në përmbyllje të Defender-Europe 21: Do ta shtojmë buxhetin për FSK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është fisnikëria dhe mishërimi i së kaluarës së dhimbshme dhe të lavdishme, i së tashmes sfiduese por drejt së ardhmes prosperuese.

Kurti gjatë fjalimit të tij në përmbyllje të ushtrimit “DEFENDER – Europe 21”, tha se do ta rrisë buxhetin për FSK-në.


Ai po ashtu shtoi se pas këtij ushtrimi FSK-ja ka fituar aftësi të reja ushtarake.

“Unë jam i bindur që pas këtij ushtrimi, FSK-ja ka fituar aftësi të reja ushtarake dhe ju përgëzoj. Ju siguroj që kabineti im qeveritar do të vazhdojë mbështetjen dhe do ta shtojë buxhetin për FSK-në, në rrugën e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale”, theksoi ai.

Kryeministri gjithashtu i përgëzoi për profesionalizmin dhe përkushtimin që ushtarët e FSK-së treguan gjatë ushtrimit “Defender-Europe 21”.

“Ju përgëzoj për profesionalizimin dhe përkushtimin që treguat gjatë këtij ushtrimi, e cila është më rëndësi për vendin tonë. Veçantia e ushtrimit ‘Defender-Europe 21’ lidhet me faktin që partneri ynë strategjik SHBA-ja, i dhanë besimin vendit tonë dhe FSK-së, që për herë të parë të mirëpres një pjesë të këtij ushtrimi në territorin tonë. Pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin ‘Defender-Europe 21’, dëshmon qartë për synimin e vendit tonë për një ambient të sigurt dhe paqësor. Profesionalizmi juaj i treguar dhe operacionet që sapo pamë, tregon që FSK është jo vetëm e vullnetshme por edhe e gatshme, e aftë për të ndihmuar dhe kontribuuar në sigurinë kontinentale dhe globale. Ushtarak të nderuar, gjatë këtij ushtrimi ju keni shtyrë kufijtë më të skajshëm, kufizimet e juaja fizike dhe psikike me të vetmin qëllim që të dëshmoni para vetes, qytetarëve dhe partnerëve tanë që forca jonë është e përkushtuar dhe e gatshme për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin tonë, e gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/