LAJMI I FUNDIT:

Kurti flet për rastin e një qytetari rom në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues

Kurti flet për rastin e një qytetari rom në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

“Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues”, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit.

“Po ashtu, synojmë rritjen e numrit të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë nëpërmjet mbështetjes financiare me bursa, si dhe ngritjen e suksesit të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare. Lartësia e bursave do të jetë 300 euro për një vit mësimor”, tha kryeministri Kurti.

Samiti mbi Antigjipsizmin organizohet nga organizata Terre des hommes, përfaqësia në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat partnere Voice of Roma, Ashkali and Egyptians dhe HEKS Foundation në kuadër të projektit “Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht ju falënderoj për ftesën që më keni bërë që të marr pjesë në këtë Samit mbi antigjipsizmin.

Shpreh keqardhjen time dhe e dënoj fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian ku ashtu edhe siç u raportua, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar shërbimin ndaj këtyre komuniteteve.

Po ashtu dënoj ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues.

Qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Ata janë kolegët tanë që punojnë krah nesh në qeveri; janë policët të cilët patrullojnë rrugët tona; janë ushtarët që ruajnë kufijtë tanë; janë mësuesit e punëtorët kudo në vendin tonë që mundohen të jetësojnë ëndrrat e tyre e të japin kontributin e tyre këtu në vendin tonë të përbashkët.

Aktet e dhunës janë akte që nuk mund e nuk duhet t’i injorojmë, por të flasim hapur për burimin e tyre e t’i trajtojmë drejtë nga autoritetet tona.

Ne duhet të punojmë e të jetojmë së bashku sepse armiku ynë i përbashkët është papunësia, korrupsioni e padrejtësia, por nuk e kemi armik njëri tjetrin.

Si Kryeministër i të gjithë qytetarëve të Republikës angazhohem për të gjithë njëlloj, e sidomos për ata që janë më të varfër sepse përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Si social-demokrat zhvillimin e mati me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim kemi shpallur konkurs për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synojmë përfshirjen e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimin e iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit.

Po ashtu, synojmë rritjen e numrit të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm të lartë nëpërmjet mbështetjes financiare me bursa, si dhe ngritjen e suksesit të nxënësve duke iu ofruar mbështetje financiare. Lartësia e bursave do të jetë 300 euro për një vit mësimor.

Prandaj ne kemi filluar edhe programin për shtesat për lehona dhe për fëmijë, nga të cilat fitojnë të gjithë qytetarët e Republikës pa dallim, pra që të rrisim mundësitë për të gjithë, jo vetëm si premtim por si veprim konkret.

Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të respektojmë dhe të pranojmë njëri-tjetrin.

Është e vërtetë se me Kushtetutë të drejtat i kemi të garantuara, kurse para ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë, mirëpo për të arritur barazinë që synojmë duhet të hapim edhe mendjet e zemrat tona.

E për këtë duhet të punojmë së bashku sepse kërkohet më shumë.

Të gjeturat preliminare të studimit tuaj tregojnë se kemi shumë punë për të bërë në promovimin e një kulture të përbashkët, ku ato që na dallojnë të gjithëve sikurse pamja prejardhja, feja, gjuha e rajoni t’i përdorim si asete që na bëjnë më të fortë si shoqëri. Pra, diversitet dhe solidaritet njëkohësisht.

Raporti juaj tregon se rreth 60% e të anketuarve kanë treguar pak ose aspak njohuri për historinë, kulturën dhe traditat e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, dhe se burimi kryesor i informacionit nuk vjen nga librat në shkollat tona apo programet edukative, por nga televizioni e rrjetet sociale. Kjo duhet të ndryshojë.

Hulumtimi po ashtu tregon se ka pak e aspak ndërveprim mes komuniteteve, çka shton ndjesinë e izolimit e të përjashtimit që sjellë stereotipe dhe paragjykime, e të cilat pastaj rezultojnë edhe në akte të dhunës.

Këtë cikël vicioz duhet ta ndalim përmes ofrimit të mundësive të barabarta që në radhë të parë vijnë nga qasja dhe gjithëpërfshirja në edukim, e shoqëruar me mundësi ekonomike.

Edukimi dhe punësimi janë faktorët kyçë dhe motor i integrimit dhe janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. E unë jam me shpresë që rritja jonë ekonomike këtë vit do t’i hapë rrugë ndryshimeve të gjithmbarshme pozitive që nuk e përjashtojnë asnjërin.

Një ndër rekomandimet e këtij Samiti është edhe njohja e Antigjipsizmit dhe hartimi i politikave mbi Antigjipsizmin si mënyra më e mirë për të siguruar qasje më të mirë të komuniteteve në edukim, drejtësi, mbrojtje dhe të drejta të tjera themelore.

Në strategjinë e re për përfshirjen e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, Antigjipsizmi do të trajtohet gjatë hartimit të politikave në mënyrë që të rritet vetëdijesimi dhe të parandalohet diskriminimi e përjashtimi.

Unë ju uroj punë të mbarë në këtë samit dhe ju siguroj se të gjitha konkluzionet e këtij samiti do të lexohen me kujdes dhe do të integrohen me programin e qeverisë sonë, të qeverisë suaj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori