LAJMI I FUNDIT:

Kurti: E pamundur të ketë zhvillim ekonomik me këtë menaxhim të buxhetit

Kurti: E pamundur të ketë zhvillim ekonomik me këtë menaxhim të buxhetit

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se në Kosovë duhet të ndërrojë qeveria.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se buxheti i Kosovës është tejet i ngjashëm nga viti në vit, ku gati gjysma shkon paga e mëditje, mallra e shërbime, çereku shpenzime kapitale (3/4 aty në asfalt) si dhe po aq subvencionet e transferet.


Lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:

“Në Kosovë nuk është e vërtetë se ndërrohen qeveritë.

Buxheti i Kosovës është tejet i ngjashëm nga viti në vit: gati gjysma paga e mëditje dhe mallra e shërbime, çereku shpenzime kapitale (3/4 aty në asfalt) si dhe po aq subvencionet e transferet.

Të hyrat vetanake të komunave të Kosovës (gjysma prej të cilave tatim në pronë) nuk janë as 50 milionë euro në vit. 30 herë më shumë janë të hyrat tatimore e të cilat përbëjnë mbi 2/3 e të hyrave buxhetore (me ç’rast afër 90% të tyre janë tatimet indirekte: TVSh, dogana dhe akcizë).

Në vitin 2017 nuk pati fare të hyra nga fitimet e nxjerra nga korporatat përmes dividentave. Ndërkaq, tatimi në të ardhurat e korporatave ishte 75 milionë euro apo vetëm 5% e të hyrave tatimore.

Zhvillim ekonomik? Rrugëtim evropian? E pamundur me këtë strukturë dhe me këso shifrash.

Është e vërtetë se në Kosovë duhet të ndërrojë qeveria.

Sepse, duhet të ndryshojë buxheti: të hyrat dhe shpenzimet, planifikimi dhe realizimi i këtyre, gjithnjë në dritën e një vizioni zhvillimor socio-ekonomik për të ardhmen, e jo nën hijen e një administrimi dembel për mbijetesë në tashmen”, shkruan Kurti në Facebook. /Telegrafi/