Kurti dënon sulmin ndaj Hysni Mehanit në Skenderaj: Veprime të tilla nuk na trembin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverusë ka reaguar lidhur me incidentin në Skenderaj, duke dënuar sulmin fizik ndaj kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Kurti tha se Mehani është sulmuar teksa ndodhej në një lokal së bashku me aktivistë të tjerë të partisë.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa pinte kafe me Arjeta Fejzën dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se incidente të tilla nuk do ta ndalin Lëvizjen Vetëvendosje nga aktiviteti politik në asnjë komunë të vendit, përcjell Telegrafi.
“Veprimet e tilla nuk na trembin dhe nuk tërhiqemi nga gara në asnjë komunë”, u shpreh ai.
Kurti gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj personave përgjegjës për sulmin.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti. /Telegrafi/




















































